Roberto Mançini ka kërcënuar Juventusin me eliminim nga Champions League. Të dyja skuadrat do të ndeshen nesër në mbrëmje për një vend në fazën tjetër të kompeticionit dhe italianëve u mjafton barazimi. Por, trajneri i Gallatasarajit thotë se skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë që fitojë kundër bardhezinjve të Kontes, e ndihmuar edhe nga një tifozeri e zjarrtë prej 52 mijë vetësh, të cilët nuk reshtin kurrë së brohorituri. “Kemi një tifozeri të madhe, me të vërtetë të mrekullueshme. Mbështetja e tyre do të na ndihmojë shumë. Duhet të jemi të vetëdijshëm për të luajtur shanset tona. Juventus është skuadër e madhe dhe është shumë i vështirë për ta mundur, por ne mund t’ia dalim”. Mançini mund të mbështetet te Drogba por edhe te Sneijder e portieri Muslera, të cilët janë riaftësuar plotësisht nga dëmtimet e pësuara. Nga ana tjetër, Juventusit do t’i mungojë Andrea Pirlo, truri i lojës së skuadrës. Në lidhje me këtë, Mançini thotë se kampionët e Italisë i kanë burimet njerëzore për ta kompensuar. “Pirlo është futbollist shumë i rëndësishëm dhe këtë e këtë e ka treguar gjatë gjithë këtyre viteve të karrierës së tij. Por ata kanë lojtarë si Vidal, Markizio dhe Pogba, i cili më pëlqen shumë dhe po tregon që ka një potencial të madh”, tha italiani i Gallatasarajit, duke mos festuar për mungesën e rëndësishme të Juventusit.
