Supersfida e javës së 6-të të Serisë A, Juventus–Roma, që u pasua me polemika të nxehta për shkak të gabimeve të gjyqtarit, ka përfunduar në shënjestrën e Codacons, shoqatës së konsumatorëve në Itali. Sipas kësaj shoqate, gjykimi i dobët i Gianluca Rocchi, tregoi edhe një herë se sistemi italian nuk mundet të ecë në asnjë moment me hapin e kohës. Për këtë arsye, Codacons i fton të gjithë ata që kanë humbur në baste t’i kërkojnë rimbursimin Federatës Italiane të Futbollit.
Shoqata e konsumatorit e konsideron shumë të rëndësishme garantimin e disa rregullave në sistemin e futbollit dhe sugjeron përdorimin e moviolës në fushë si një instrument për të sqaruar episodet më të diskutueshme. Situatat problematike të këtij lloji dëmtojnë tifozët dhe të gjithë ata që vënë baste dhe humbin paratë e tyre. Codacons u bën thirrje të gjithë atyre që kanë humbur në baste që të shkojnë në Federatën Italiane të Futbollit për t’u rimbursuar.
