Prapakthehu që bëri Interi në shkëmbimin Vuçiniç-Guarin ka shkaktuar zemërim te Juventus. Administratorit i klubit bardhezi, Bepe Marota, ka dalë para medias për të deklaruar versionin e tij të ngjarjeve. “Jam i detyruar të dal e të flas. Nuk patëm mundësi të reagonim në kohë, pasi përgatiteshim për ndeshjen me Romën”, tha Marota.
“Kemi dëgjuar shumë të pavërteta për gjithë këtë histori. Për shkëmbimin Vuçiniç-Guarin kishte një akord verbal mes palëve. Anjeli mori një sms konfirmimi nga Thohir. Kjo tregon mungesë korrektësie edhe ndaj lojtarëve. E kam fjalën për Vuçiniç, që është një profesionist serioz.
Situata ishte e pakëndshme edhe për Guarin, i cili kishte arritur akordin me ne”. Në vijim të konferencës, Marota i ashpërsoi edhe më tepër fjalët në adresë të Interit. “U gjendëm në vështirësi të mëdha, nuk po e kuptonim se çfarë po ndodhte. Është hera e parë në 30 vjet që ndodh diçka e tillë. Nuk ia drejtuam pistoletën askujt. U pyetëm se cili lojtar na interesonte dhe dhamë emrin e Guarin”. Marota konfirmoi se ka pasur sërish kontakte të mëvonshme mes dy presidentëve për transferimin e Vuçiniçit në Milano.
“Anjeli ka biseduar me Thohirin jo vetëm për të kërkuar sqarime, por edhe për kalimin e Mirkos tek Interi. Për momentin nuk ka asgjë konkrete. Tani e di më mirë se për të arritur një akord me Interin nuk bëhet fjalë për çështje besueshmërie, por për çështje serioziteti”. Ndërkaq, Guarin e ka mbajtur premtimin që kishte bërë për të mos dalë në stërvitje me Interin, duke dashur të kalojë përfundimisht te Juventus.