Juventus-Barcelona, një lojë shahu që do të drejtohet nga dy strategë dhe gurët e tyre në fushën e lojës. Dy skuadra që brenda një nate do të konsumojnë aktin e fundit të një sezoni të gjatë, ku kanë bërë çdo gjë mirë duke fituar gjithçka që mund të fitohej respektivisht në Itali dhe Spanjë.
Një finale mbetet gjithmonë e paparashikueshme, sepse ashtu si loja e shahut lëvizjet e kundërshtarit dhe kombinimet në fushë janë perdja e padukshme pas së cilës nuk mund të hedhësh vështrimin për të përgatitur këtë sfidë. Gjithsesi, në gjithë këtë tablo pjesa më e dukshme janë duelet në fushën e blertë ku mbi të gjithë spikasin disa në veçanti.
Chiellini-Pique. Dy kolonat e mbrojtjeve respektive, por dy modele të ndryshme dhe mbi të gjitha të pakalueshëm. Chiellini e shënoi golin e parë sezonal në finalen e Kupës së Italisë, ndërsa Pique ka arritur ta prekë rrjetën në të gjitha kompeticionet.
Morata-Suarez. Dy emrat e rinj që shpërthyen pas periudhës së nevojshme të ambientimit. Sezoni i tyre ka ardhur duke u rritur aq sa tashmë janë bërë të paparashikueshëm për kundërshtarët. Spanjolli shtriu nokdaun Realin, ndërsa “El Pistolero” ka qëlluar 6 herë në Champions League.
Messi-Tevez. Një flamur argjentinas mbi Berlin do të valëvitet në çdo skenar. Dy kampionë të ndryshëm jashtë fushës së lojës, por të ngjashëm brenda kuadratit të blertë, pasi kanë dhënë për klubet më shumë se sa me Argjentinën. Tevez duhet të bëjë llogaritë edhe me peshën e 30 viteve mbi supe, por aktualisht po jeton sezonin më të mirë të karrierës, ndërsa Messi vazhdon të thyejë rekordet njëri pas tjetrit, sepse ta ndalësh është pothuajse një mision i pamundur.
Pogba-Iniesta. Një mesfushor si Pogba do të rregullonte shumë mekanizma të mesfushës së Barcelonës dhe nuk është rastësi që Bartomeu ka hedhur grepin për ta shkëputur nga bardhezinjtë. Fuqia fizike dhe talenti i francezit do të vihen përballë “magjive” të spanjollit që çoi Spanjën në majën e botës 5 vjet më parë.
Allegri-Luis Enrique. Ata janë dy drejtues me mentalitet të ndryshëm pasi edhe shkollat ku janë rritur janë të ndryshme. Një duel tipik italo-spanjoll, edhe pse të dy kanë marrë diçka nga njëri-tjetri. Allegri e ka bërë Juventusin më argëtues, ndërsa Luis Enrique ka vendosur frena të reja te Barcelona e tij, pasi blaugranat janë një skuadër më taktike. Dy shkolla të ndryshme në testin final ku vetëm njëra do të triumfojë. Këtë mbetet ta mësojmë pas finales së madhe të 6 qershorit.

Alegri esht trainer me I mire, sepse ai hariti ne kety finale me lojtare te zakonshem ,ndersa Enrike I ka lojtaret super klass, dhe finalen e hariti me shume per merite the lojtareve, sesa per merite te tij