Objektivi i Juventusit për të fituar titullin e tretë radhazi është i vështirë për t’u arritur, por kapiteni Xhixhi Bufon thotë se shifrat e bardhezinjve trembin çdo kundërshtar. Dominimi i skuadrës së Antonio Kontes nis që më 7 prill 2012, kur mposhti 2-0 Palermon dhe u ngjit në krye të klasifikimit, për të mos e lëshuar më deri tani. Kanë kaluar 506 ditë dhe Juventus i sheh nga lart të gjithë rivalët e Serisë A. Në total janë 35 fitore, 7 barazime dhe vetëm 5 humbje në kampionat dhe asnjë skuadër nuk ka mundur të renditet qoftë për një javë të vetme mbi kampionët e Italisë. Një sukses që i dedikohet trajnerit Antonio Konte, të cilin portieri e konsideron çelësin e suksesit. “Kur u fol për largimin e Kontes u frikësova shumë. Ai është një vlera e shtuar, ndaj largimi do të ishte humbje e madhe”. 34-vjeçari zbulon se ishte pikërisht Konte ai që dy vjet më parë e bindi të vazhdonte karrierën me Juventusin. “Mendoja se kishte ardhur momenti për t’u larguar nga Juve. Pasi u takova me drejtuesit, u njohëm më mirë, madje ndryshuan edhe mendim për mua. Ndërtuar marrëdhënie shumë të mira pas disa krisjeve që ndodhën në atë periudhë”.
