Juventus, e ardhmja në Champions, në fije të perit

anazapta

Juventus do të ndeshet me Realin sot në një sfidë për jetë a vdekje në Champions League. Nëse italianët nuk arrijnë të mundin spanjollët dhe Gallatasaraj fiton në Danimarkë me Kopenhagën, atëherë Juventus është i dalë nga lufta para kohe në një kompeticion ku ka hyrë me shpresa të mëdha për të bërë më mirë se vitin e kaluar. Trajneri Antonio Konte e di fare mirë se sot luhet për gjithçka, ndaj vetëm fitorja është ajo që vlen.

“Është e kotë të fshihemi, do të jetë një ndeshje thelbësore, një takim i bukur. Është shumë e rëndësishme që të ecim përpara në Champions League, por duhet ta meritojmë në fushë”, thotë trajneri bardhezi. Ai vlerëson fuqinë sulmuese të Realit si pengesën kryesore për t’ia arritur. “Ançeloti mbështetet në një sulm të jashtëzakonshëm dhe shkatërrues. Ronaldo, Bale, Benzema, Di Maria dhe të tjerët janë fantastikë kur gjejnë hapësira. Duhet të kemi kujdes taktikisht”.

Konte ka kërkuar që tifozët të luajnë pjesën e tyre, duke mbështetur skuadrën. “Reali ka kampionë të mëdhenj dhe luan çdo fundjavë ndeshje të këtij lloji. Juve-Real është një klasike e futbollit evropian. Duhet të bëjmë të mundur që të ndikojë faktori fushë, ndaj për këtë arsye jam i bindur se do të kemi mbështetjen e zjarrtë të tifozëve tanë. Ata duhet ta shoqërojnë skuadrën si në momentet pozitive dhe në ato negative”.

Në konferencën pragndeshjes, përkrah trajnerit, ishte edhe sulmuesi argjentinas, Karlos Tevez, fitues i kompeticioni me Manchester United, por që nuk shënon në të prej pothuajse katër vitesh. 29-vjeçari tha se të treja ndeshjet e mbetura janë finale për bardhezinjtë dhe duhen fituar të gjitha, duke nisur që nga e sotmja, kundër madrilenëve.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *