Juventus është kampion i Italisë edhe për sa u përket pagave të lojtarëve. Klubi bardhezi shpenzon 115 milionë euro në sezon, ndërkohë që Interi dhe Milani kanë vendosur kufizime të mëdha. Këtë sezon, klubet do të shpenzojnë 912 milionë euro në paga dhe shpëtblime, një shumë ndjeshëm më e ulët se ajo e sezonit të shkuar, pasi shifra nuk ulej poshtë 1 miliardë eurove që prej sezonit 2009-2010. Në kohët e sotme nuk është më e mjaftueshme të fitosh, por edhe të ekuilibrosh bilancin. Këtë po e bëjnë dy skuadrat milaneze, ndryshe nga Napoli dhe Fiorentina që shumat e arkëtuara nga shitjet e Kavanit e Jovetiçit vendosën t’i shpenzonin për të ruajtur grupin e tyre. Roma ka korrigjuar diçka në bilancin e saj edhe pse De Rosi mbetet lojtari më i paguar i Serisë A, me 6.5 milionë euro në sezon, i ndjekur nga Higuain me 5.5, Milito 5 dhe Tevez 4.5 milionë. Sipas shkrimit të publikuar në “Gazzetta dello Sport”, gjatë sezonit 2011-2012 u shpenzuan plot 1.1 miliardë euro, ndërsa verën e shkuar diçka më shumë se një miliard. Nga lojtarët shqiptarë në Itali, më i paguari është Lorik Cana, me 1.7 milionë euro në sezon, duke qenë i treti te Lacio, pas Klose dhe Hernanes, ndërsa Etrit Berisha do të përfitojë rreth 500 mijë euro në sezon. 100 mijë euro më pak se portieri përfiton mesfushori i Torinos, Migjen Basha.
