Rivaliteti mes Juventusit dhe Milanit i kishte humbur disa nga shkëlqimet e tij gjatë viteve të fundit, por është duke e gjetur atë shkëndijë edhe një herë.
Një tjetër kapitull shpaloset këtë fundjavë në rivalitetin mes këtyre dy skuadrave të mirënjohura të Italisë, teksa ato do të përplasen të shtunën në mbrëmje në Torino, në stadiumin “Allianz”.
Nuk ka ndodhur shumë kohë më parë, kur të dy këta gjigandë italianë “përplasnin brirët” për “primatin” e të drejtave të Gadishullit. Pasi kuqezinjtë fituan titullin e tyre të 18-të në sezonin 2010-2011,
Italia është pikturuar në të bardhë dhe të zezë nga “Zonja e Vjetër”, e cila ka marrë fronin e saj në majë të podiumit të Seria A për gjashtë sezone të rregullta.
Allegri vjen me dy mungesa kundër ish-skuadrës së tij, Bernardeschi e Alex Sandro janë të dëmtuar, ndërkohë që ka lajme të mira për Chiellinin e Cuadradon, të cilët i janë bashkuar grupit.
Në rreshtimin 4-2-3-1 ka gjasa që tekniku toskan të aktivizojë në repartin e avancuar treshen Mandzukic-Dybala-Douglas Costa në mbështetje të sulmuesit kryesor Gonzalo Higuain.
Në anën tjetër, Milani po kalon momentin më të mirë të sezonit. 8 fitore në 9 takimet e fundit në kampionat.
Objektivi kryesor është rikthimi në Champions dhe kjo ndeshje vendos shumë për kuqezinjtë. 18 herë kampionët kanë hasur vështirësi në stadiumin e Juves, aq sa fitoren e fundit ua ka dhuruar trajneri aktual, Gennaro Gattuso, në vitin 2011, kur ishte ende aktiv në fushën e lojës. Në 9 sfidat e zhvilluara pas atij viti Milani është dorëzuar 8 herë përballë Juventusit në Torino, duke barazuar vetëm 1 takim
Kësaj here ekipi nga Milano do të kërkojë të thyejë këtë tabu dhe për ta bërë këtë tekniku 40-vjeçar do t’u besojë Susos, Cutrones e turkut Calhanoglu në repartin e avancuar. Mjaft interesante do të jetë edhe pritja që tifozët e Juves do t’i rezervojnë Leonardo Bonuccit.
Kapiteni i Milanit u largua gjatë muajve të verës nga kampionët e Italisë dhe në atë kohë nuk munguan kritikat dhe ofendimet ndaj tij nga tifozët bardhezi, që u ndien të tradhtuar.
a.s/dita
