Juventusi mbyll vitin me rekorde

DITA Online

Juventusi mbylli një vit me rekorde, pas fitores ndaj Sampdorias në Serinë A. Cristiano Ronaldo ishte sërish heroi, duke shënuar të dy golat.

Vendi i parë në renditje? Po! Përfundim i fazës së parë pa humbje? Patjetër që po! Rekord i pikëve të fazës së parë të Serisë A? Edhe këtë e realizoi Juventusi pas fitores 2-1 ndaj Sampdorias në Torino. Në 19 ndeshjet e gjysmëkampionatit, u grumbulluan 53 pikë, ndërsa gjatë gjithë vitit 2018, skuadra e trajnerit Masimiliano Allegri kaloi kuotën e 100 pikëve.

Cristiano Ronaldo ishte sërish protagonisti numër 1, autor i të dy golave, dhe po ashtu njeriu që krijoi rreziqet më të mëdha në portën e dorianëve. Portieri mik, Audero, kartonin e të cilit e ka pjesërisht Juventusi, bëri pritje të rëndësishme. Në total, portugezi ka 14 rrjeta në Serinë A, katër prej të cilave me penallti, një nivel i kënaqshëm, edhe pse ende jo në ritmet e tij tek Reali i Madridit.

Gjithsesi, një skuadër 7 herë radhazi kampione, nuk mund të jetë vazhdimisht në maksimum. Kështu i ndodhi Juves ndaj Sampdorias, kur uli ritmin sa herë ishte në avantazh, i ngopur nga sukseset e shumta. Gjenovezët bënë detyrën, dhe jo vetëm barazuan herën e parë, por fare mirë mund të kishin marrë pikën në stadiumin “Al lianz Arena”.

Për fat që Seria A ka teknologjinë VAR, dhe ishte ajo që anuloi golin shumë të bukur të Saponarës. Pozicioni jashtë loje ekzistonte dhe vendimi i gjyqtarit ishte i drejtë. Juventusi kryeson pra me 53 pikë në 19 ndeshje, i shkëputur ndjeshëm nga rivalët.

v.l/ Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *