“Kacafytje infrastrukturore”!

redaktor

Infrastruktura ka qenë dhe mbetet një prej arsyeve për “kacafytje” mes qeverive tek ne, siç dhe mes tifozerisë së dy kampeve. Së fundi, ishte Rruga e Arbërit ajo për të cilën pati një “dyluftim” mes Ramës dhe Bashës, se kush e ka autorësinë e saj. Por po ta ndjekësh me vëmendje gjithë sa është bërë dhe se si është bërë në infrastrukturë këto vite, do vësh re se, pothuajse të gjitha kanë patur fatin që njëra ta nisë e tjetra ta bitisë, pa mundur që vetëm qeveria e një force politike, ta nisë prej pikës A e ta përfundojë në pikën B, pa qenë nevoja për pikë C, D e me rradhë. Le ta marrin më të madhen vepër, Rrugën e Kombit. E nisi PS-ja, si ide e si “lopatë e parë”, e ndërtoi PD-ja, por për ta përfunduar e për t`ia vënë plotësisht kapakun, ka gjasë t`i takojë PS-së. Aksi i jugut, u nis nga PS-ja, vijoi PD-ja në një segment, e është po sërish PS-ja që po merret me të për ta mbyllur plotësisht. Autostrada Tiranë- Durrës, si vepra e parë publike në demokraci, u nis nga PD-ja e u përfundua nga PS-ja kur erdhi në pushtet pas `97. Autostrada Tiranë – Elbasan, qartazi po i bie për pjesë PS-së që ta mbyllë tërësisht. Pra, siç shihet, rrugët janë ndarë në: ide, përgatitje letrash, startim, e më pas përfundimit, ku çdo forcë politikë paska nga një rol për të kryer. Atëherë, mbetet të grinden vetëm për faktin se kur i duhet prerë shiriti një rruge: kur shpaloset si ide, kur i qepen letrat dhe i sigurohet fondi, kur nis realizimin në terren, apo kur përfundon?!

Share This Article
1 Comment
  • I nderuar zoti Robelli, une mendoj se nuk eshte ky problemi.
    Problemi i infrastruktures dhe veçanerisht i rrugeve tona eshte se deri tani ne kemi ndertuar me stilin e shokut Enver qe lexonte ndonje liber, shihte ndonje enderr dhe fap gjente se ne cilin trekendesh dergjej nafte. Gjeologen qe nuk e gjen dot i cilesonte armiq dhe pastaj…
    Lideret tane sado te mençur e largpames nuk duhet te kene tagrin te vendosin ne cilen rruge do te hidhen leket e pakta te shqiptareve te varfer.
    Ne urgjentisht duhet te perforcojme nuklin e specialisteve te infrastruktures me inxhinjere, sociologe, ekonomiste , juriste e shkencetare, te zgjedhur me shume kujdes per aftesite e treguara e jo per partishmerine e tyre. Do te jete ky shtab lufte-se rruget tona jane tamam per lufte, qe mbasi te kete nje studim te detajuar te qarkullimit rrugor ne te gjitha rruget e Shqiperese te vendosi radhen e rrugeve qe do te ndertohen me leket tona apo me kredi,rruget qe do te jepen me koncension etj
    Ky mendoj se eshte nje problem qe duhet zgjidhur urgjent nga qeverria Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *