Ergys Kaçe gjen agjent. Mesfushori shqiptar i PAOK-ut nuk përfaqësohej prej disa muajsh nga asnjë person për çështjet juridike që pas divorcit me grekun Gianis Evagelopoulos. Ky fakt ndikoi edhe në bisedimet me klubin helen për rinovimin e kontratës, por tashmë ai është pjesë e kompanisë prestigjoze gjermane “PROProfil UK Sports Management”.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat helene që publikojnë edhe foton e mesfushorit kuqezi me njeriun që do ta përfaqësojë në bisedimet me PAOK-un apo klubet e interesuara. Ky vendim pritet të zbardhë përfundimisht enigmën e së ardhmes së 22-vjeçarit i cili po kalon një moment vërtet negativ në radhët e skuadrës nga Selaniku.
Gjatë këtij sezoni numri i ndeshjeve si titullar për Kaçen është reduktuar në mënyrë të ndjeshme. Zyrtarisht nga stafi drejtues vendimi për të mos e aktivizuar në vazhdimësi është justifikuar me çështjet teknike, por fakti që Kaçe nuk ka rinovuar mund të jetë një nga shkaqet kryesore.
Kontrata e mesfushorit të lindur në Korçë skadon në vitin 2017 por palët nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për rinovimin. Ndaj lojtarit shqiptar ka pasur sinjale edhe prej disa klubeve të mëdha europiane, por gjatë merkatos së dimrit situata e tij mbeti e ngrirë.
