Ergys Kaçe, përmes faqes së tij në Facebook, mohon të ketë vendosur të luajë për Greqinë. Pas qarkullimit të një deklarate të Alban Bushit, menaxher i kombëtares, se mesfushori i PAOK-ut do të luajë me helenët, në adresë të lojtarit ka pasur irritim dhe sharje nga shumë tifozë shqiptarë. Por, administratori i faqes së Kaçes në Facebook ka komunikuar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Për të qenë më i besueshëm për publikun, nga administratori është sqaruar se faqja e futbollistit në rrjetin social administrohet nga disa shqiptarë që jetojnë në Selanik, midis të cilëve edhe të afërm të Kaçes. Futbollisti korçar, i larguar që në moshën trevjeçare në Greqi me familjen, e ka thënë hapur para disa muajsh për shtypin grek se është në dilemë për të zgjedhur midis Shqipërisë e Greqisë, duke cilësuar megjithatë skuadrën kuqezi si më të dashurën për të. “Unë ndihem edhe shqiptar, edhe grek”, ka deklaruar atëherë Kaçe. “I dua të dyja skuadrat, por më parë jam shqiptar, pastaj grek”. Në shkurt ai kërkoi kohë për t’u menduar më tepër, pasi marrja e nënshtetësisë greke do ta ndihmonte më tepër në karrierën si profesionist. Gjatë gjithë kësaj kohe, nga faqja e tij në Facebook është dhënë vazhdimisht garanci se ai do të veshë fanellën e Shqipërisë, gjë që është rikonfirmuar edhe dje, pas fjalëve për “devijim” të tij drejt ngjyrave greke.
nuk duhet paragjykuar
te shkoje ku te kete deshire