Europarlamentari slloven, Jelko Kacin, u takua në Bruksel me Ilir Dedën, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Hulumtimin e Politikës dhe Zhvillimit. Ata dy zhvilluan bisedime lidhur me ndihmën shoqërisë civile në Kosovë, në dritën e dialogut Beograd-Prishtinë, për mbrojtjen e pakicave, lirinë e medieve, përgatitjen dhe zbatimin e zgjedhjeve, si dhe për fillimin e procesit të lidhjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Siç thuhet në njoftimin nga zyra e Kacinit në Bruksel, europarlamentari slloven nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe zbatimin e marrëveshjeve nga të dy palët. Kacin shtoi se “çështjet e tjera të rënda me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare nuk bën të humbin në rëndësi. Përmirësimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit duhet të fitojnë kujdesin e plotë të liderëve kosovarë”.
“Personalisht mendoj se politikanët kosovarë duhet të nisin vetë luftën kundër korrupsionit, sepse vetëm ata mund t’i çojnë deri në fund përpjekje të tilla. EULEX-i është mision i përkohshëm, i cili nuk mund të zëvendësojë rolin e drejtësisë, medieve dhe shoqërisë civile. Veçmas do të theksoja nevojën urgjente për përmirësimin e koordinimit ndërmjet policisë dhe Prokurorisë në Kosovë”, tha Kacin.
Sipas tij, njëkohësisht suksesi në dialogun me Beogradin i sjell Kosovës marrëveshjen e stabilizim-asocimit. “Konsideroj që Kosova para fundit të procesit afatgjatë të ratifikimit të MSA-së do të fitojë statusin e kandidatit, ashtu siç ka ndodhur me Serbinë”, përfundoi Kacin. / Kosova.com