Ndër karakteristikat e veprës së Kadaresë, është dhe ambiguiteti, ç`ka ka bërë që në kohë të ndryshme, një ‘produkti’ të tij t`i jenë bërë qasje të ndryshme, me përfundime të ndryshme. Një prej tyre është skenari i filmit “Radiostacioni” kushtuar çlirimit të Tiranës, afërmendsh për të shenjtëruar luftën partizane e mallkuar jo thjesht pushtuesin por sidomos klasat që më pas do cilësoheshin me gjuhë ideologjike si të përmbysura. Por mjafton një tjetër qasje e vëmendshme, për të nxjerrë në pah një tallje paq të shkrimtarit të njohur me ata, që siç thuhej poetikisht, zbritën nga mali. Dhe këtë zbritje, më mirë se Kadare, pakkush e ka sendërtuar në një vepër artistike…
Tej nostalgjisë, që si një rregjistër shpirtëror i mistershëm të shtyn paradoksalisht të ndjesh ëmbëlsi për ca shije të hidhura të së kaluarës, ca filma të Kinostudios, nga ndryshimi i efektit kohë, shndërrohen dhe në argëtues në mos mbeten realistë në moralin e tyre, sidomos kur është fjala për tema sociale. Dhe filmi “Radiostacioni” me skenar të Kadaresë, i ka të gjitha nga pak. Si një film kushtuar çlirimit të Tiranës, ai mund të përftohet e shijohet dhe si një dokument filmik, për t`iu qasur të vërtetës (pa anën heroike gjithë fiction), të mënyrës së ndërrimit të epokave me ardhjen e komunistëve në pushtet, pas së cilës do vinte ndërrimi edhe i elitave udhëheqëse e kulturore, pasojat e së cilës ndihen dhe sot në krizën e dukshme e të thellë të elitës aktuale. Ndryshe nga mitizimet e figurës së luftëtarit partizan e posaçërisht komunistit, tek “Radiostacioni”, kjo figurë paraqitet me dritëhijet e natyrshme e krejt realiste që ngërthejnë qënien njerëzore, pavarsisht formimit, karakterit apo rolit që luan në jetë. Aty shfaqet një partizan trim të çartur siç Mete Aliu (Birçe Hasko), por që bën dhe sjellje tipike fshatare të një njeriu të sapozbritur nga mali, e që po ashtu shfaqet dhe partizan Sherifi (Bujar Asqeriu), naiv i lehtë nga mendja në përballje me çdo gjë të re, të cilën nuk e ka hasur në jetën e tij prej fshatari të rëndomtë. Edhe dialogu i parë i filimit, skicon këtë përmasë të dhimbshme të formimit të atyre që më pas do ishin përfaqsuesit e pushtetit të ri, njerëzit me aureolë lavdie po e po, pa llogaritur përgjegjësitë e mëdha që do merrnin në punët e shtetit. Dhe ja se si:
– “I shikon antenat e Radiostacionit?” – e pyet një shok partizan Sherifin.
– “Po i shikoj” – përgjigjet Sherifi
– “Pse i mbledh buzët, nuk ta mbushin synë?” – pyet sërish tjetri.
– “S`ma mbushin, një shtëpi me ca tela përsipër” – ia kthen Sherifi, duke shtuar se nuk i besohet që ajo shtëpi (pra Radiostacioni), të jetë më e rëndësishmja në bulevardin që ata e kanë nën vëzhgim.
– “Ke të drejtë”. – i thotë shoku duke ja plasur më pas: “Po të kishte përsipër ndonjë mullar me kashtë dhe ndonjë lopë duke kullotur aty, ndryshonte puna!”
Po me partizan Sherifin, është dhe skena tjetër, ajo e kërkimit të diskut të Himnit të Flamurit tek një nënpunës i radios, duke mos mundur të shqiptojë dot fjalën diskotekë, që i duket hata për ta mbajtur mend, pasi po me vështirësi ia shqipton dhe vetë komandanti (Rikard Larja) me një manikotë në të majtë të ballit, të cilit po ashtu, kur i thonë se do jesh drejtor i Radiostacionit, gati sa nuk i bie pika nga emërtesa drejtor, duke vendosur që të jetë vetëm komandant i radios.
Ndërsa skena që simbolizon dhe ndërrimin e epokave, është ajo me ballafaqimin para mikrofonit të partizan Mete Aliut me folësen Mirjam, dy portrete e dy tipologji njerëzore krejt të kundërta në çdo gjë, ku njëri përfaqson kokshkretësinë, egërsinë, brutalitetin, pandjeshmërinë absolute për femëroren si nga ana etike e si nga ajo erotike; e tjetra përfaqson vërtet botën që po shembej, por gjithsesi me nurin e pafajshmërisë për vendin dhe kohën ku jetonte. E quajtur nepërkë nga Mete Aliu, i cili zërin e saj të shtruar e të qetë e merr si një sabotim kundrejt luftës partizane, me të vetmen armë që dispononte, timbrin, Mirijami zbythet nga mikrofoni si e fundit armike ende e padorëzuar.
Episodi
Monologu i një borgjezi në film, që rendit tmerret që i presin pas marrjes së pushtetit nga komunistët
Qaj Makbule qaj. Thonë se lehtësohesh!
Jo jo, më mirë në varr!
Jo jo. Po ka dhe më, të fusin një plumb mu në zemër, të presin një dorë, të nxjerrin një sy ose të dy.
Po ku e gjen të mos shohësh se çdo të bëhet!
Të marrin florinjtë, të marrin gruan…hehehehehe…..më falni po ka dhe më:
është një një reformë e tmerrshme, mbase e keni dëgjuar, reforma agrare.
Kjo është se ç`është moj zonjë!
Kjo është, si t`jua spjegoj unë, që dhembjen ta ndjesh jo në një vend të ngushtë siç është gjoksi i njeriut, por në njëqind hektarë, në njëmijë hektarë.
Të shikosh se si t`i presin si me gërshërë, si i shqyejnë, si i ndajnë me njëri-tjetrin si një zogori qensh, tokat e mija. Ohh, gjëra të frikshme!
Qaj. Qaj Makbule qaj. Thonë se
lehtësohesh! / E.H

Kadare, gjithnje i madh, i pa arritshem, kush ka mend, nuk e konteston. Eshte shkrimtar qe rilexohet me kenaqesi. Tomi
KAM PERSHTYPJEN SE ISMAILI KA VUAJTUR DHE VUAN SHUME PREJ “LENDES SE PARE ” ME TE CILEN I DUHET “TE GATUAJ” LETERSI…
Kadare eshte me i madhi i letrave shqipe… Gjeni i mendimit dhe i fjales
Kadare nuk eshte tallur kurre me ata qe zbriten nga mali.Ai ishte prijes dhe mbrojtes ideologjik i tyre me sjelljet vetiake dhe vepren e shkruar, misheronte frymezimin e forces se te gjithe mekanizmave shteterore politike, ekonomike, kulturore etrj,qe sundonin jeten e vendit.Ata qe kane dashur dhe kane mundur te perdorin Kadarene per te fshehur dobesite e veta si arriviste ne emer te ndryshimit nga tirania ne demokraci me ane te genjeshtres kapen pas ndonje artifisi te kritikes qe i eshte bere Kadarese ne malin e madheshtise e te lavdise qe meritonte dhe shperblimeve te tjera qe merrte si shkelqimtar ideologjik i letersise se partise per te gjitha moshat dhe shtresat.Ata duan te harrojne se “bishat” e diktatures qe kafshonin njera-tjetren, nuk arriten kurre ta gjakosin Kadarene sepse e dinin mire dhe e ndjenin ashtu si te gjithe lexuesit e adhuruesit etij se ai “mbrohej” ne kopshtin e tiranit nga rrezellimet qe i vinin prej dritares se tij.Nuk ka kurrefare ambiguiteti te skenarit per njerezit qe zbriten nga mali tek “Radiostacioni”, perveçse nje realiteti qe shihej ngrohtesiht si nga “Zeusi e perendite e tjera me shkop ne dore” dhe nga kopeja qe turrej pas per kafshaten. Kadareja ishte njeri prej atyre perendive prane kupoles qe u shpetoi xhelozive e zemratave te saj dhe ndeshkimit te “Zeusit” duke ngritur me mjeshteri te pashoqe lart e me lart kultin e tyre.Kadare eshte i madh ashtu siç eshte ne veprat qe ndikuan formimin e disa gjeneratave dhe jo siç nuk eshte.
turp per kete gazete komuniste qe hedh shkrime te tilla ku pretendohet se Kadareja qenka tallur me sistemin komunist, kadareja e mbrojti me mish dhe shpirt rregjimin hoxhist, ku edhe shkelqeu si shkrimtar i atij sistemi, turp edhe nje here