Kadare në dritën e një “qyteti…”

redaktor

Duke shtegtuar në të parin roman të Kadaresë “Qyteti pa reklama” gjendesh përpara një befasie tepër të këndshme: Mes nesh, për herë të parë, i plotë, në realitetin shqiptar të “republikës së letrave shqipe”, i pari roman i Kadaresë “Qyteti pa reklama”, pas një izolimi dhe “imigrimi” disadekadash në kushtet e realsocializmit dhe socrealizmit shqiptar për t’u bërë, tashmë, pjesë e shëndetshme e universit kadarejan, në mijëvjeçarin e ri.

Autori e quan “Qytet pa reklama” krijesën e vet të parë, në llojin e gjatë të prozës, ndoshta sa si rebelim ndaj asaj mjegullnaje plot vrug të një letërsie “dritë shterpe, ndriçim zhveshur, e llogaritur për t’i shërbyer një teze, një kohe, një dreqi e di çfarë”, a si kushtrim i fuqishëm moderniteti përballë përdhosjes ideologjike, që po i bëhej këtij tempulli të shenjtë, siç është ky i artit, në hullitë e kursit zhdanovian, shijen e hidhur të të cilit po aq, sa do ta parandjente nga leximi në moshën 14-15 vjeçare të romanit “Nëna” të Gorkit, po aq do ta “shijonte” si dëshmitar okular i zhvillimit të “këtyre shijeve” si student qё ndiqte me aq pasion letёrsinё pranë institutit moskovit “Gorki” në ish-Bashkimin Sovjetik.

Ndonëse e gjithë vepra përshkohet nga tharmi modernist, tepër pikant, mbështetur mbi një fabul të reduktuar, kurrsesi shtrat Prokusti, në linjën e saj subjektore, ajo gjithsesi është farë e ndritshme, plot jetë, e qartë dhe e thjeshtë, siç mund të jetë një vepër e shëndetshme, ndryshe si vepër sfidë ndaj një kursi-krize po kaq të vërtetë, që mjerisht, si një ndërprerje e dhimbshme, qe fati i letërsisë sonë të pasçlirimit, e shprehur në kodin krijues të Kadaresë si kodi i njё “Qyteti pa reklama”.

Ja fabula: Gjon Kurti, kryeqytetasi 23 vjeçar, i sapodiplomuar, emërohet mësues në qytetin N, 16 orë larg Tiranës. Pas aq përpjekjesh refuzimi, ai ka filluar si mësues letërsie pranë gjimnazit të atij qyteti. Me ndjenjën e një Kolombi të vogël, si ka lënë pas Klarën dhe ëndrrën për të bërë karrierë në shkencat filologjike, është bërë, tashmë, banori më i ri i kësaj province. Së bashku me kolegët e tij: Mentor Radёn, mësues kimie dhe Evgjen Perin “poetin”, kalon kohën në shoqërinë e një grupi vajzash të shthurura: “mall vendi” si dhe me studenten diku në Evropë, Diana Mezini, që, si e tillë, nuk e ka problem seksin me shumë djem, poligaminë e quan një e drejtë normale për çdo seks.

Në N, Gjoni do të njihet edhe me një grup poetësh “tradicionalistë”: Ramiz Beqiri, Jorgo Senica, partner pederast i hoxhë Hiqmetit dhe Kristo Thoma Spirin, që me përçmim e thërrasin Kethi, siç do të njihet me modelin e studiuesit si Dino Çiço, që aq shumë e nderojnë burrat e provincës, sa që nuk duan ta njohin as Ajnshtajnin para tij, apo një farë Taqi i Kekezajve , të cilin kujdestari i kishës e zë duke vjedhur të vdekurit. Marrëdhëniet, mes të tjerash, me Stelën, gjimnazisten, në shtëpinë e së cilës Gjoni ka marrë dhomë banimi, janë kuadri nga më tërheqësit të këtij romani.

Në këtë sfond tollovi, në këtë atmosferë “entuziazmi”, “optimizmi” (guximi i të maturit me Ajnshtajnin) e euforie në “vetvete” (jo më kot do të pohojë një rast më vonë Kadare: “shqiptarët hynë në diktaturë si në festë”) Gjon Kurti si rrugë “për të çarë” përpara në jetë bind veten dhe shokët e tij kolegë, të rinj parazitë, për krijimin e pergameneve të rremë, sipas të cilëve dokumenti i parë i shqipes së shkruar qenka i shek. XIV, përpara Formulës së Pagëzimit, etj. “zbulime” si “vepra e humbur” e Çajupit. Me këto “zbulime”, ndarjen e Gjonit nga Stela, emërimin e tij në Tiranë mbyllet gjithë “intriga” e këtij romani karakteresh tё spikatura pёr deheroizmin e tyre

Në epilogun e tij shohim Evgjenin të presë në mëdyshje me qwllim qё të  postojë një zarf adresuar Presidentit të Akademisë së Shkencave të RP të Shqipërisë… në puhinë e një shiu të imët. Ky roman, si përjetim artistik dhe si sfidë ndaj realizmit socialist, veçanërisht në vendin tonë, po të kujtojmë se në BRSS jo pasardhësit e tij, por as Stalini nuk do të prekte shenjtërinë e panteonit rus të shekullit  XIX me: Pushkinin, Gogolin, Tolstoin, Nekrasovin, Çernishevskin, Çehovin, Dostojevskin etj., vjen sfida më kuptimplote e atij eksperimenti të ri, që si metastazat, po shtrihej vrullshëm në realitetin shqiptar të viteve 50-të. Jo rastësisht, mjeshtri i fjalës si filozofi estetike, kritiku letrar, Mitrush Kuteli, do të shprehej në vitet ‘40-të: “Terreni i letërsisë është një tokë ku gëlojnë gjarpërinjtë; të vrasin shokët , se u bën hije”. Mrekullia e Kadaresë së ri shpaloset në nuhatjen intuitive artistike të denoncimit, në mënyrën e vet, të këtij rreziku që do të shterpësonte vlerash të vërteta krijimtarinë e disa dekadave të të ashtuquajturit realizëm socialist.

Vepra mbështetet mbi një fabul të reduktuar dhe “intrigë” subjektore jo të zakonshme duke u shquar për një tharm modernist mjaft brilant në kuptimin më të plotë të këtij nocioni. Le të lexojmë “së brendshmi”, më konkretisht, ku qëndron moderniteti i këtij epi modern, kur Kadare i ri mund të themi, pa gabuar, ishte ende nën “kurthin e ëndrrës” si shumë prej nesh, që Bernard Shou, nobelist, do ta quante normale për një 23 vjeçar, çka shprehet mjaft bukur në nënvizimin e autorit:

“Ai ishte fatkeq. Ai ishte edhe më fatkeq, ngaqë e dinte këtë”, duke iu referuar kёshtu personazhit kryesor të romanit, Gjon Kurtit, ndryshe zёri i instinktit tё krijuesit.

Më parë se të ndalemi më hollësisht nëpër hullitë e veprës, kujtojmë se vepra shquhet si jo e zakonshme, po të kemi parasysh hosanatë me të cilat u rrethua romani “Çlirimtarët” i Dh.Shuteriqit si “i pari” roman shqiptar i Pasçlirimit, që jo thjesht dëshmonte si model skemash bardh e zi, por po kaq realisht sa “Qyteti pa reklama” (Moskë, 1959), publikimi i çerekut të të cilit do t’i kushtonte “burgosjen” së tërës, do të ishte i pari roman i Kadaresë, romani “Rinia e kohës sime” (1948) i disidentit estetik të linjës së ashpër, Kasem Trebeshina si dhe “Harbutët” i autorit të romanit “Pse”, Sterjo Spasses, kishin njohur dritën e botimit 4 vite më parë, paçka se nuk doli njeri qё t’i zërë as njёrin, as tjetrin në gojë. Solla, thjesht, një ndër shumë arsyet që ndofta do të vlejnë në njohjen e atij konteksti social-kulturor, historiko-politik, disi si horizont pritjeje, për të kuptuar domethënien e izolimit të të parës prozë të Kadaresë për aq dekada, sidomos për lexuesin e ri.

Kalimi në “laboratorin” e krijuesit, rregjistrimi në “kalendarin e dytë” të tij, të një vepre të tillë si “Qyteti pa reklama”, në rrethanat që dihen dhe aq sa mund të nënkuptohen falë imoralitetit, deri institucional letraro-artistik të atyre viteve e mjerisht disa dekadash, nuk ishte tjetër veçse një “joshje e përhershme drejt zonave të ftohta të padashura, madje, disi të frikshme, për të mos thënë skëterrore, veti e racës sonë demoniake” nga ana e Kadaresë si artist me një prirje të natyrshme drejt botës së “izmave”. Modernitetin e kësaj vepre lexuesi e ndjen që në titullin e saj.

Autori fare lehtë mund ta quante “Qytet kështjellë”, apo “Qytet kuçedër”, që i shkonte aq për shtat dekorit folklorik, apo mitologjik, kur simbolika tradicionale në të tillë tituj, apo referenca e gjente plotësisht vetveten, por ai e quan qyteti N në një mënyrë krejt jashtë shijes në modë, diçka sa reale, sa sureale, sa anonimat, sa shumësi përbërësish, po të kemi parasysh se N-ja vjen edhe në idenë e n-qyteteve, d.m.th. shumësisë, së tërës sonë si qytet-qytetërim po që për paradoks kërkon të mbahet peng i një diçkaje absurde, jashtë shijes dhe origjinës së tij.

Kështu Kadare nga një status universal, në konceptimin artistik, me elokuencë e përjetim i drejtohet simbolikës kontekstuale, pavarësisht se simbolika tradicionale e “kështjellave”, “kullave”, “dragonjve”, “luanëve” etj., së bashku me alegorizmin dhe psikologjizmin e personazheve, me mbizotërim të monologut të brendshëm, ishin aq fort për zemër për autorët socrealistë dhe kalorësit feudalë të kritikës.

Dhe ky qytet N, (ku çdo vit përmes një dekori dhe patetike folklorike, në gjendje ekstaze, poetë të llojit “Ramiz Beqiri”, mitit të gjallë të shqiptarëve, do t’i thurnin ditirambe sui-generis (“A ka këngë/që e këndon këtë burrë/, pikërisht në muajin e letërsisë), i lexuar në kodin e simbolikës si shasi e gjithë veprës, tingëllon më tepër se nudo-lakuriq, i braktisur vlerave të veta qytetëruese, “edhe pse ndoshta ishte i vetmi qytet në botë ku kalimtari duke ecur rrugës për një hap të gabuar do të rrokullisej e të thyente kokën mbi çatinë e një shtëpie tjetër”, pohon autori.

Kodi metonimik dhe nënteksti kadarejan shpalosen madhështorë: Arkitektura e këtij qyteti për të cilin tregoheshin aq anekdota, si një nga qytetet më të shëmtuar të Shqipërisë, me befasinë kompozicionale dhe vlerat shpirtërore, magjepse, që struk në gjirin e saj, vjen si tingëllimë e qartë e një tradite dhe qytetërimi të shkëlqyer, që i ka rezistuar kohës në origjinalitetin e tij, por që çuditërisht nën trysninë e një eksperimenti, qe kthyer në qytet N (nul…), që i trembej “zving-zvingut” të origjinës së tij. Kujtojmë këtu tipin e qytetarit Qull Qani, apo Qani Qulli, modelin e ish-drejtorit njeri, apo të njeriut ish-drejtor të 1910-tës, i cili kurrë nuk ulej prej tribunave në tubimet zyrtare.

Në gjithë sfondin e romanit po aq, sa nuk shohim “luftëtarë të vijës së parë”, “flamurtarë aksionesh”, “një tonin” e “një të armikut”, “komisarë të dritës”, “pionierë vigjilentë”, po aq nuk shohim “ditë me diell”, “netë me hënë”, “qytete të lulëzuara”, “natyrë të qeshur”, “fytyra gazmore”, por madje dekor të zymtë, ndjenja skepticizmi maksimal, ditë me shi nga fillimi deri në epilog, personazhe parazitë si “heronjtë” kryesorë (Gjonin, Mentorin e Evgjenin), që autori “harron” t’i përmendë qoftë edhe një rast si të “vijës së parë” ku duhet të shkëlqente “filli i kuq” si “garanci” e sё ardhmes…

Në të njëjtin sfond autori jep një grup vajzash moralgrisura si Roza Papa, Luiza Angoni, Lizheta Konomi, Eratulla Kristaqi që pëlqejnë seksin kolektiv dhe abortet me “shumicë”, sikur Diana Mezini, që pëlqente seksin “herë me njërin, herë me tjetrin”. Më tepër se realitet shpirtëror modern, hapësinor, në atë qytet të lashtë (të cilin Kadare do ta donte artistikisht si i madhi Balzak Parisin, pёrmes përjetimeve artistike të të gjitha skutave të frymëmarrjes së tij), këto raporte mes çiftesh vijnë si sfidë ndaj atyre shtampave në oazin e një përpjekjeje groteske të moralit “të sugjeruar”; herë si moral borgjez, herë si moral komunist, herë si moral proletar, herë si moral klasor, herë… si fasadë e një filozofie që në vend të së vërtetës mbi domethënien etiko-qytetare të qenies njerëzore, ofronte realisht shtjetërsimin e saj, të jetuarit në oazin e hipokrizisë civile.

Këto ndërhyrje në jetën e tjetrit po bëheshin aq të padurueshme, sa qё njeriu “nuk mund t’i mirrte lejen, as t’i shfaqte vullnetin e zemrës së vet” vetvetes, nëse nuk donte zemra e vullneti i “nënës parti”.  Lotët e kësaj të fundit mund të ktheheshin në lotë gjaku, lotë dhimbje e përhershme për poetë si “haramziu” që trazonte, mё saktё thumbonte herëpashere me shkrimet e tij Lame Qorrët, Jorgo Senicët, Kethët, apo Ramiz Bilbilët e qytetit N.

Dhe  kur thumbi helmues kërkonte të hidhte “helmin e vet” në venat e Lame Qorrit, që sot mund ta gjeje të frymëzuar si Çajld Harold, nesër të dëshpëruar si Peçorrin, në emër të “vigjilencës revolucionare”, kёtu “durimi s’bënte më, bile mund të impononte edhe “sakrifica” të tilla etiko-estetiko-filozofike, sa “Çajupin nga përcaktimi i tij si poet demokrat revolucionar me tendenca antifashiste, “duhej” ta kthenim (në rrugën e së ardhmes sonë pas vdekjes), si poet revolucionar demokrat me tendenca antiimperialiste “ku duken (qartë) simptomat e luftës së klasave”. Kështu që poetit “haramzi” të N-ës, shpeshherë, i kujtohej me respekt  këshilla e një kolegu të universitetit:

“Kur je në çaste pasigurie dhe s’ke guxim kujto o i mjerë, që pas ca vjetësh që do të bëhesh pluhur e kocka, do të kesh një kryq mbi kokë dhe pastaj asgjë më, hiç pambarim…

Kishte të drejtë Evgjeni kur thoshte: “Edhe yjet ushqehen me shpirtëra”. Madje Gjoni, si strumbullari, “koka” (kokë në fakt që nuk i del aq punë me “kokat “ tjera) e vetme “linjë” subjekti, ku ndryshe traditës realiste mungojnë pikëlidhja, linjat e veprimit si konfrontim, kulmorja, zgjidhja finale e lumtur “së jashtmi”), nuk jepet në asnjë çast i preokupuar si “komisar i dritës”.  Çuditërisht ai ka një tjetër preokupim absurd në oazin e ekstazës revolucionare “Ju të rinj, ju të reja, i madh është vrulli jonë”, “një nga ëndrrat e para (kur u bë përsëri i aftë të ëndërrojë), ishte dita kur do të lamtumirësohej me N-ën…”, shprehet autori.  Në dhomën e Gjonit nuk shohim portretin e udhëheqësit “tonё”, përkundrazi, bri portretit të Sami Frashërit, ai ka vendosur atë të Xhina Lolobrixhidës nudo.

Dhe, kur në gojën e Mentorit mund të dëgjonim emrin e ndonjë “kështjelle”, “shtegu partizan”, “kalaje”, “transformimi madhështor” (jo se edhe nuk pati edhe ndërmarrje me karakter thellësisht demokratik si Reforma Arsimore, Reforma Agrare apo nё Shëndetësi) mësojmë prej tij për një ish- shtëpi publike, në zemër të N-së, në 44-tën nën “ekstazën”e prostitucionit të së cilës “gjithë kalamajtë e N-së mësuan onanizmin”, rënien me dorë….

Dhe në akord të plotë me këtë “atmosferë epshi”, kur ajo revolucionare: “Hajt të shkojmë / djersën të kullojmë, / se ndërtojmë / Shqipërinë e re /”, ishte normë mitmorali revolucionar, deri në tmerr, ai shqetësohej për sifilizin që kishte “fituar” gjatë kontakteve seksuale.

Kur pritet nga Gjoni “bëma” kulmore, zgjidhja, lexuesi njihet me“makromekanizmin” absurd, po aq grotesk, përpjekjen “për të çarë” në jetë: Krijimin e pergameneve të rremë. Mesazhi dhe nënteksti kushtrimojnë fort: Çmenduria e revizionimit të gjithçkaje, nën ethet e dogmës, si instrument i mbajtjes së përjetshme të pushtetit vetiak po përfshinte tërë panteonin e vlerave tona si qytetërim.

Kështu, nëse Naimi, Mjeda, Çajupi, Serembe, Asdreni, Migjeni, Noli, etj., do të “reformoheshin” përmes interpretimit, nën dritën e boshtit ideologjik, Fishta, Konica, Kuteli, Camaj, Pipa, Koliqi etj., do të braktiseshin si agjentë të austriakëve, italianëve, i dreqit e i të birit, ndërkohë që Lasgushi, gjenerali i poezisë, në vetminë e tij brilante, me heshtjen rebeluese do t’i kthehej deri dashurisë së vonë, tamam si Gëte i madh për të ruajtur të shenjtë “kështjellën”e tij, muzën e artistit të vërtetë.

Kur falsifikohej rëndshëm në panteonin e kulturës së një populli, ç’fund i lumtur do të ishte për fatin e heroit tonë?  Këto gjetje artistike, jashtëzakonisht të spikatura, vinë plot domethënie estetiko-filozofike nën “pushtetin” e një grotesku dhe nënteksti tepër të fuqishëm, kur gjithçka mund të “rishikohej”, “revolucionarizohej” edhe pas vdekjes nën idenë groteske dhe absurde të një euforie delirante: “Nuk ka kala që nuk marrin komunistët”. Madje mund të shkohej deri atje aq, sa të “duhej” të sakrifikohej edhe gjaku i nënës apo i babës në emër të “nënës” Parti, pa le sa punë e thjeshtë ishin “biografitë”, “kontributet njerëzore”, “lëvizjet pa progres” nën ekstazën e “kauzës sonë të përbashkët”. Në këto rrethana Kadare nuk “kënaqet” ta quaj ndryshe qytetin N, vetëm qytet pa reklama, si Nulqytet, jashtë çdo paraqitjeje të shtirur, si të thuash “të porositur”, apo të “këshilluar”, çka qe aq për gusto në letërsinë shqipe të asaj stine plot shkëlqim të rremë. “Në vetëdijen e tij Gjoni i quante vitet që do të kalonte në N, si vite të fshira nga jeta e tij”, pohon autori.

Bisturia kadarejane operon me një ndjenjë të hollë artisti në paraqitjen e atij grupi poetësh, përfaqësues tipikë të grupit “tradicionalistë” të atyre viteve, që si mediokër e fanatikë të vargut të matur, i cili  vjen nga koha e monarkive, nën ethet e mbrojtjes së “Çështjes së Partisë e të Popullit”, shumë nga kolegët e tyre “novatorë” do t’i drejtonin seksioneve të “Sukrullahut” modern shqiptar, nën akuzën e poetëve “antisocialistë”, “modernistë”, “abstraksionistë” etj., izmave të mallkuara.

Ja kush janë disa nga këta poetë, shprehje më elokuente e mediokritetit letrar zyrtar:

Ramiz Beqiri, një poet me vargjet e të cilit, ironizon Evgjeni, do të shkruhej një poemë këtu e deri në Komitetin Ekzekutiv. Jorgo Senica “një poet hajvan që hypën çdo natë në maje të burgut (kalasë) për t’u frymëzuar, Kristo Thoma Spiri, që e thërrasin Kethi anakronik, i cili “shquhet” në aftësinë për të kthyer në vargje brenda dy orësh gazetën “Bashkimi”, Lame Qorri, një poetuc që vetdehjen e ndjen si t’ja ndjejnë b… lagështirën: Gdhihet Çajld Harold e ngryset Peçorin. Ndërkohë N-ja ka dhe një “haramzi”, poet me banim në kryeqytet, që herëpashere me shkrimet e tij turbullon apo ngacmon thershёm “bëmat” në këtë qytet pa reklama.

Autori, aspak i prirur drejt përshkrimit entuziast, madje këtë gjë e ka frikë si vdekjen, pohon: “Ai do ta braktiste patjetër N, sepse, nëse nuk do ta braktiste, ai do të vdiste”, duke operuar kështu suksesshëm në thelbin e qenies, në natyrshmërinë, jashtë çdo shije “së jashtmi” që mund t’i imponohej njeriut, definon idenë e vet autori, falë një meditacioni të fuqishëm që ridimensionon hapësirën poetike të frymëmarrjes së romanit.

Ky është altruizmi i llojit “Një për të gjithë e të gjithë për një” në këtë vepër të Kadaresë duke na tërhequr kështu drejt mesazhit thelbësor: “Shkatërrimi më i madh që mund t’i bëhej një qytetërimi është shkatërrimi i vlerave shpirtërore të tij”. Ja si shprehet ai përmes narratorit : “Unë jam me… Qimo Papët, Lame Qorrët, Kethët etj. Unë jam mizerje. Po pse jam mizerje? Unë jam karrierist. Unë dua kryeqytetin, s’heq dorë nga kryeqyteti”.

Kështu, përmes ekspresionesh aq të shpeshta, që vinë si përplasje “së brendshmi” me vetorin e tretë si kryefjalë Ai-Ajo, autori krijon tabllo meditative dhe renditje asosacionale, të cilat “injorojnë” fare “destinacionin tradicional” – rrjedhën horizontale të ngjarjeve, në formën e një lëvizjeje të fuqishme të mendimit, po aq në formën e enumeracioneve epitetike. “Me të vërtetë ai ishte aq i poshtër, aq i poshtër, aq i poshtër, i poshtër, i poshtër, sikur në formën e një shkallëzimi ngjitës”.  “Ajo deshi ta shante, ta pështynte, ta gërricte me thonj”, apo në formën e një dileme të çuditshme: “Ajo nuk do t’i kërkonte kurrë para atij… Ajo duhej t’ia kërkonte atij”, po kaq në një formë fantazmagorike: “klasa i ngjante si një përbindësh me dyzet palë sy që e shikonin plot djallëzi” – meditacion që vinte aq paradoksal në atmosferën aq revolucionare, vërtet të admirueshme, të zbatimit të disa reformave me karakter demokratik, popullor tё shumёpritura.

Marrëdhëniet me gjimnazisten Stela, ku thyhet miti zyrtar, janë dhënë plot sentiment dhe kolorit poetik, një gjerdan elegant renditjesh asosacionale, ku ndjehet në thellësi të qenies, të personazhit tonë, një “brejtje” në”turbullirën e shpirtit”, të cilën autori e pranon vetëm si të shenjtë dhe të paprekshme, ndryshe si një vrasje ndërgjegjeje qetësihumbëse, si një masakrim moral e shpirtëror të vetvetes:

“Po pse jam mizerje… Mizerje, mizerje me bisht” – kushtrimon autori kundër mediokritetit letrar. Duke e ndjerë letërsinë, nën këtë trysni, si një mallkim, ai shprehet:

“Unë të dua Stela. Asgjë s’më gëzon. As pasuria, as transferimi, as fama. sepse të dua ty, Stela”, shpërthen me shfrim poetik brilant autori.

E, ndonëse Stela, një mrekulli në virgjërinë e saj shpirtërore, me një botë plot ndjenja në idealitetin e saj po aq mrekullor e të pafajshëm: “Ajo u dha e tëra pas përkëdheljeve me nerva të shkrehura, siç ish, për herë të parë në jetë dhe pa asnjë kundërshtim iu dorëzua e gjitha” do ta ndjente e mbronte me gjithçka të kërkonte momenti dashurinë e saj, Gjoni detyrohet të ndahet nga Stela, përballë hyjnisë shpirtërore të saj, sepse autori për herë të parë në vetvete do të ndjente ftohjen me muzën e tij, ndofta për t’iu rikthyer më me pasion dhe pashmangshmërisht “mushkës xanxare”, tashmë nën hijen e askujt, veç “hijeve shekspiriane” plot jetë.

Në vështrimin kompozicional, në vështrim të motivit dhe mesazhit estetiko-filozofik gjithë kjo vinte si një përpjekje e autorit kundër atij vizioni sipërfaqësor të sistemit, thjesht fabulativ, socrealist,  i zhveshur totalisht nga misteri i fjalës “mister”, “sonte vetëm pas një nate ai vetë u bë si ata: “indigjen” i mbështjellë me misterin e provincës”, shprehet autori duke u përpjekur kështu të depërtojë në metafizikën e karakterit, derivat i një operimi vertikal në thelbin e qenies, në klimën e një moderniteti për t’ia patur zili cilido krijues i fuqishëm, kur kemi parasysh moshën aq të re të autorit të romanit, ndryshe të të riut Kadare.

Duke ndërtuar gjithë “bëmat” e karaktereve në një linjë të vetme në roman ku personazhet dytësore plotësojnë komponentet artistike të shprehjes së tyre, por kurrë në rrafshin e një ndeshjeje, Kadare dëshmon me një theks jashtëzakonisht aktual se, kurrsesi, fabula, as mungesa e saj nuk mund të jenë kusht, patjetër i domosdoshëm i modernitetit të një vepre letrare.

Përkundrazi, proza moderne, nënkupton Kadare, mund të konsiderohet e mirëqenë, në hapësirat gjithëpërfshirëse të një vetëdijeje që përmbush maksimalisht shumësinë e mundësive, shumësinë e formave dhe të tipeve gjithsesi “të ndryshëm” në brumin e saj, qoftë të eksperiencave, qoftë të profileve artistike nga më “të ndryshëm” të traditës, të së sotmes dhe të së ardhmes. E thënë ndryshe, siç shprehet studiuesi i mirënjohur, akademiku ynё Profesor Rexhep Qosja, “Proza moderne nuk mund të jetë rezultat i vetëdijes reduksioniste ndaj përvojave të ndryshme krijuese, mbasrealiste dhe mbassimboliste”( Libri “Tri mёnyrat e shkrimit” fq.69).

E parë me kujdes, fabula e “Qytetit pa reklama” vjen si mundësi krijimi pa vështirësi të specifikave – veçantive të çdo karakteri në marrëdhëniet ekzistenciale mes tyre, po aq edhe si konfirmim shprehish, prirjesh dhe aftësish të reja në njё mënyrë krejt të natyrshme.  Ndërkohë edhe si një sfidë gjigande ndaj atij kodi të shtirur modern, i cili në esencë s’është gjë tjetër veçse izolim i karaktereve letrare nga mjedisi social, rregjistrim artikulimesh të shprehura, apo të nënkuptuara, derivat i izolimit të vetë autorit në “kullën e fildishtë”, një konvencë tërësisht e kapërcyer dhe asgjë më shumë kur flitet për modernitet, si kundërpeshë ndaj konformizmit dhe normativizmit ngado “t’i këshillohet”.

Me shumë domethënie vjen edhe epilogu i romanit: Evgjeni Peri, që fillimisht e refuzoi “falsifikimin e historisë së kombit të tij”, mban në dorë një zarf adresuar presidentit të Akademisë së Shkencave të RP të Shqipërisë, në një mëdyshje për ta dorëzuar në postë në puhinë e një shiut të imët ku thëllimi që fryn lëkund çdo gjë: dritat, siluetat, drurët. Ndoshta ky thëllim si shpresë e së nesërmes se jo çdo gjë do të tretej nën trysninë e modelit të ri, socrealizmit që me të drejtë Trebeshina e pati cilësuar si realizmi me bisht, thënë ndryshe mohrënie e realizmit të vërtetë.

 

*Kritik letrar

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *