Pas neutralizimit të Alush Lleshanakut, në dorë të Sigurimit të Shtetit ranë dhe banda të tjera, ku ndër më të rëndësishmet ishin ajo e Hamit Matjanit dhe Zenel Shehut. Për gjykimin e saj, përveç trupave gjyqësore, impenjohet dhe Byroja Politike… Në këtë mbledhje, në prani të Enver Hoxhës, Mehmet Shehu kërkon që për anëtarët e bandave të merren dënimet më të rënda, duke mos qenë dakord dhe me qëndrimin e mbajtur ndaj tyre dhe Kadri Hazbiu… Ja pjesë nga debati në Byronë Politike, siguruar në arkivat e kohës nga DITA:
Mehmet Shehu:– Ne duhet të shikojmë grupin e këtyre njerëzve që për herë të parë na del se kanë pasur qëllim diversioni, po edhe për të shkaktuar turbullira në vendin tonë. Faktet për këtë gjë janë schiacciante (dërrmuese – shënim). Tek ne për këto gjëra vendos gjykata dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor, por ne si organet e brendshme, kemi të drejtë t’i shfaqim mendimin tonë byrosë politike. Ky gjyq ka rëndësi jo vetëm në shkallën nacionale, por edhe ndërkombëtare, pse me këtë goditet spiunazhi amerikan, grek dhe Italian gjer diku, demaskon në popull organizatat tradhtare të jashtme, varros Zogun dhe godit reaksionin e brendshëm. Ky është një gjyq me karakter politik dhe ideologjik. Unë mendoj që ky grup të mos dënohet si grupet e tjera, por më rëndë. Atje janë 6 diversantë. Mendimi im është që për rëndësinë politike që ka për ne dhe për kampin tonë dhe duke marrë parasysh edhe aktivitetin praktik të këtyre diversantëve, ata të dënohen me vdekje. Me këtë mënyrë ne godasim rëndë për herë të parë imperializmin amerikan, demaskojmë edhe grekët. Prandaj mendoj të ekzekutohen që të 6 dhe nga të gjithë këtë Hamit Matjanin me litar në Lushnjë. Këtë lloj dënimi e parashikon edhe ligji. Nga të dy bazat e tyre, meqenëse është Puçe Moçani si baza kryesore dhe që gjatë luftës na ka luftuar si ballist dhe si njeri që ka spiunuar patriotin Riza Cerova, i cili është vrarë për shkak të tij, pastaj edhe për qëndrimin e tij të poshtër të mëvonshëm. Edhe në gjyq qëndrimi i tij ka qenë jashtëzakonisht i poshtër, prandaj mendoj që edhe ky të ekzekutohet me litar. Ai që ka qenë bazë e dytë në Elbasan, mendoj të mos ekzekutohet, po të dënohet me 5 ose me 10 vjet. Domethënë nga të 6 këta mbetet gjallë vetëm një. Si konkluzion them që Zenel Shehu të dënohet me vdekje, Hamit Matjani me litar, Adem Kabashi, Naun Sula, Gani Malushi dhe Halil Branica me vdekje. Ky është mendimi im dhe si të vendoset, të dalë një komunikatë e ministrisë sonë për të njoftuar ekzekutimin e tyre.
Byroja politike këtu duhet të ndërhyjë se Kadriu nuk është dakord që këta njerëz të ekzekutohen, sidomos për Zenel Shehun. Ai e sheh çështjen jo nga ana politike, por thjeshtë agjenturiale. Po të mos dënohet ky, atëherë me përjashtim të Hamit Matjanit, të tjerët nuk i dënon dot se Zeneli është kryesori Kadriu niset nga koncepcione shumë të gabuara, sentimentale, ndoshta dhe jo krejt sentimentale, por ngushtësisht agjenturiale, meqenëse Zenel Shehu u vu në shërbimin tonë. Tani Kadriu preket kur dëgjon që Zenel Shehu do të dënohet me vdekje. Bile, mua më ka propozuar ta lirojmë fare dhe me gjithë drunë që dhashë prapë të falet. Unë i thashë se ai me shokë do të ekzekutohen, po u prek shumë dhe më tha se nuk është i qartë, pse të dënohet me vdekje. E gjithë bota e di, thotë Kadriu se ai na ka shërbyer dhe nga ai u sigurua suksesi që ne kemi arritur në kapjen e të tjerëve. Unë i thashë se nuk është puna e atyre, po është puna jonë që i kemi kapur këta armiq. Kadriu tha se po të ekzekutohet, do të preket rrethi i tij familjar, po unë i thashë se po të mos vritet Zeneli, do të preket i gjithë populli shqiptar dhe miqtë tonë jashtë. Unë mendoj se Kadriu duhet sqaruar ndoshta nga shoku Komandant mendoj unë, se pikëpamjen time ai nuk e pranoi. Ndoshta kjo çështje është pak më e thellë dhe i ka rrënjët në pikëpamjen që ai ka për luftën e klasës. Kadriu një njeri që nuk e njeh, mundet ta vrasë në vend, kurse një tjetri, qoftë edhe armik, e mbron, e trajton si shok. Gjëra të tilla në sigurim janë të palejueshme, madje të dëmshme. Me Halil Branicën, Kadriu ka pirë raki dhe ka rënë në familjaritet, domethënë, një trajtim të çuditshëm, aspak të hijshëm, ky nuk pajtohet me qëndrimin që duhet të mbahet kundër një armiku nga një funksionar i lartë i organeve të brendshme.
Prandaj si anëtar i Komitetit Qendror, ai duhet të kuptojë se gjëra të tilla nuk lejohen në organet e sigurimit, nuk i lejon atij sidomos që është zëvendësministër i parë dhe zëvendëson ministrin, kur ai mungon. Në shtator të 1952 koloneli sovjetik më tha se si një zëvendës ministër i punëve të brendshme, mund të puthet me një diversant? Unë Kadriun e kam kritikuar për këto gabime megjithëkëtë, ai nuk e ka kuptuar gabimin e tij, prandaj byroja politike të japë opinionin e saj, që kjo gjë të jetë e qartë edhe për Presidiumin e Kuvendit Popullor.
Enver Hoxha: – Unë jam dakord me sa tha Mehmeti që të ekzekutohen, por jo me litar.
Beqir Balluku e Hysni Kapo:– Ne jemi dakord që Hamit Matjani të varet në litar se kështu do të kënaqet populli, ta shohë nja 3-4 orë.
Enver Hoxha:– Unë e kisha nga kjo anë se krijohet një farë frike e padeklaruar në popull, kur sheh një njeri në atë gjendje me gjuhën jashtë, prandaj më mirë me pushkatim si të tjerët.
Mehmet Shehu:- Edhe në lidhje me armiqtë e tjerë, Kadriu ka raste të tilla. Në Durrës ai i dha tokën e shtetit një armiku ose automatikun. Ai nuk e ka të qartë qëndrimin që duhet mbajtur kundrejt armikut.
Enver Hoxha:- Edhe taktika e njerëzve të Ministrisë së Brendshme nuk mund të jetë kështu. Zenel Shehu nëse u bë bashkëpunëtor, ka pasur frikë dhe jo se na do ne, prandaj si t’ia hedhësh dorën në qafë atij qeni? Ahere jemi dakord të ekzekutohen ata njerëz me përjashtim të strehuesit të Elbasanit. Për çështjen e varjes në litar, të Hamit Matjanit, ta shohim më vonë. Edhe çështjen e Kadriut ta shohim në Sekretariat ku të vijë edhe Mehmet Shehu.
Mehmet Shehu:– Është një gjë që Kadriu e mbajti 8 muaj procesin në dorë dhe më në fund pashë se ishte krejt ndryshe nga ai që është sot. Kadriu me atë proces që kish përgatitur Zenel Shehun e linte të lirë. Në proces nuk përmendej asgjë për kryengritje të armatosur, atje dilte sikur kishte ardhur këtu vetëm për të parë se si ishte gjendja në Shqipëri. Për të gjitha dokumentet që iu gjetën si: radio, pushkë, helm etj, nuk bëhej fjalë fare në procesverbalin hetimor.
Enver Hoxha:- Duke i ekzekutuar, ne evidentojmë rrezikshmërinë për të bërë kryengritje nga ana e tyre, se ai nuk erdhi kot këtu.
Mehmet Shehu:- Ai më tha mua se nuk dorëzohej i gjallë, aq armik i vendosur është. Unë mendoj se Kadriu ka bërë gabim të rëndë në pikëpamje politike ai i ka mbajtur zgjidhur këta armiq gjatë të gjithë kohës dhe në shumë raste edhe në pyll, kurse në organet e sigurimit nuk mund të ecet kështu dhe Kadriut i duhet të bëjë kthesën.
********
Foto: Mbesa e Matjanit me një foto ku është ai dhe babai i saj
Figurat politike që formatoi koha e ndryshimeve demokratike nuk zunë dot vend në themelin e shtetit, jo se ata nuk u bënë dot lëndë e vertetë për qëndrueshmërinë e tij por sepse lëndëshpirti menaxhues i tyre kishte anomali në orjentimin kah modeli i panjohur i liderit në kushte të demokracisë, përqasur gati gjysëm shekull me modelin e liderit e lidershipit komunist.
A jane pjese e agjentures personat per te cilin po diskuton B,P. e KQPPSH? Po Hamit Matjani a ishte antar i bandes se kapur nga Sigurimi i Shtetit te asaj kohe?
Ne rast se po, cfare jeni duke bere ju zoterinj te Redaksise se “Dita”-s? Ne rast se jo atehere vertetoheni si gazete te kunderten, sepse nuk mund te ndjesh keqardhje per ata qe sabotonin Pushtetin Popullor, Veprat e popullit qe ndertoheshin me sakrafice e vetmohim prej Tij. Ata qe me ndergjegje kishin mare armet per te permbysur pushtetin e asaj kohe e dinin rrezikun qe i priste ne rast se do te deshtonin, dhe kjo keshtu ndodhi, morren denimin qe vet e dinin sec denim do te ishte.
Nuk ka pse te evokohen ngjarje te tilla, nuk i sherbeni progresit qe pret shoqeria shqiptare.
u beme si kembet e dhise ,nuk e merr vesh qeni te zone,nuk ndahe dot e mira nga e keqja
Kjo video trego shume qarte pse Enveri priste dhe vriste si i donte qefi http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww