Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut
Aranit Çela: Atentatin e bëtë me një bashkëpunëtor, me urdhër të Mehmet Shehut pasi Sadiku kishte të dhëna kompromentuese për lidhjet agjenturore të Mehmetit me zbulimet e huaja!
(Vijon nga numri i kaluar)
Akuza zyrtare dhe deponimet në gjyqin ndaj Kadri Hazbiut në gusht të vitit 1983, të disa të arrestuarve si bashkëpunëtorë të tij në shërbim të zbulimeve të huaja, nxjerrin një dëshmi dramatike: Ekzekutimin pa gjyq të kundërshtarëve politik të Enver Hoxhës e regjimit komunist. Në deponimet e këtij gjyqi që publikohen për herë të parë, bëhet fjalë për atentatin në Paris ndaj Sadik Premtes. Zyrtarisht, siç dëshmohet në këtë dosje sekrete, ekzekutimi i Premtes bëhej ‘për shkak se ai e dinte aktivitetin agjenturor të Mehmet Shehut në shërbim të zbulimeve të huaja’. Por i akuzuari kryesor në këtë gjyq, Kadri Hazbiu, e merr vetë përsipër këtë ekzekutim. “Unë urdhërova atentatin ndaj Sadik Premtes në Paris dhe jo Mehmet Shehu. Për këtë akt terrorist, më ka qortuar dhe Udhëheqësi(E.Hoxha)”- pohon mes të tjerave në seancë Kadri Hazbiu….
(Vijon nga numri i kaluar)
Kryetari:- Fakti është i vërtetë, që ty, domethënë, ajo çështje e moralit, të është thënë, pra, që ai të ka thënë se e di që më ke survejuar….
Llambi:- Do të hakmerrem, nuk ka thënë. Ç’do të hakmerrej…
Kryetari:- Dhe do të më shërbesh mua ti nuk të ka thënë?
Llambi:- Nuk më ka thënë.
Kryetari:- Tani unë kam pyetjen tjetër, Llambi Peçini. Për shërbime të tilla kaq të rëndësishme, në poste kaq kështu, Mehmet Shehu e di që ti e ke survejuar, e di që ke marre pjesë në këto ti, se si ke qenë në krye të Sigurimit të Ushtrisë… Tani, si është e mundur kjo që të besoi Mehmet Shehu ty detyra të tilla, domethënë kur ai e dinte që ti je njeriu që e ke survejuar?
Llambi:- Ajo detyrë nuk ishte në interes të Mehmet Shehut, ishte për Partinë…
Kryetari:- Mehmet Shehu, tani, ishte ai që urdhëronte këto, si të besoi, them unë!?
Llambi:- Çarë do më bënte mua Mehmet Shehu, më tepër se, për të më vrarë, s’më vriste dot se ishte komprometuese. Çfarë do të më bënte, çfarë kompromentuese ka… Unë e kisha detyrë nga Partia për të survejuar Mehmet Shehun.
Kryetari:- Jo, Partia nuk kish dhënë ndonjë detyrë, këto ishin të Koçi Xoxes. E di që të ketë dhënë partia detyra të tilla të survejohen njerëz të Komitetit Qendror.
Llambi:- Jo, jo, më fal. Mua ma dha Kristo Themelko, po nëpërmjet Koçi Xoxes. Por unë nuk e dija as për Koçi Xoxen, as për Kristo Themelkon. Nuk dija unë që ishin tradhtarë…
Kryetari:- Po flet sot ti, po ti e di mirë që Partia për të survejuar udhëheqjen nuk ka dhënë… Se atëherë u survejua gjer tek Enver Hoxha. Kush e ka dhënë, vetë Enver Hoxha?
Llambi:- Po atëherë, unë kam dhënë urdhër!
Kryetari:- Mire, unë them këtë që Mehmet Shehu, duke ditur, si të besonte ty, që thua ti vetë, ishte shumë e rëndësishme…
Llambi:- Po këtë e dinte Partia që unë e kisha survejuar Mehmet Shehun.
Kryetari:- More, Mehmet Shehu e dinte apo jo?
Llambi:- Edhe Mehmet Shehu, edhe Partia e dinte.
Kryetari:- Megjithatë, e quan normale ti.
Llambi:- Fare, ka këtu, domethënë jonormale…
Kryetari:- Mirë, mirë, është mendimi jot ai. Me tutje. Këtu, në procesverbalin më 2 Tetor 1982, ke thënë këtu një problem tjetër. Thua, në vitin 1951, duke qenë në zyrën e këshilltarit rus Saharov…
Llambi:- Sahapov.
Kryetari:- Çfarë i thonë…
Llambi:- Sahapov.
Kryetari:- Sahapov. Mësova se një agjenti ynë në Paris kishte tentuar të vriste Sadik Premten. Me porosi të Sahapovit, kërkova dosjen e agjentit, po Zoi Themeli më tha se e ka marrë Mehmet Shehu dhe e zhduku…
Llambi:- Ja si është çështja, kryetar i Gjykatës së Lartë. Unë, në ’51, erdha nga Bashkimi Sovjetik, nga shkolla e Bashkimit Sovjetik. Ishim 24 veta, 22 dhe dy përkthyes 24. Edhe unë u emërova zëvendëskryetar i degës së zbulimit politik, ashtu quhej atëherë. Zoi Themeli ishte kryetar dege. Atë ditë që fillova punën, vjen një radiogram nga Franca, nga e rezidentura jonë në Francë, ku lajmëronte për tentativën për vrasje të tradhtarit Sadik Premte. Unë isha tek Sahapovi. Dhe ai më thotë mua kështu e kështu. Unë nuk e kisha parë radiogramin se e kishte marrë Zoi. Shikoni thotë, se mos ka ndonjë detyrë ndonjë agjent tjetër, mos ka detyra të tilla se është detyrë terroriste kjo!
Kryetari:- Po është akt terrori.
Llambi:- Është akt terrori. Edhe u informua udhëheqësi i Partisë për këtë. Udhëheqësi e dënoi si veprim terrorist. Unë nuk kisha, domethënë, për të ashtu, për të marrë dosjen e agjentit që vrau Sadik Premten. Ai s’e vrau se mbeti në tentativë ajo, sepse agjenti u kthye në Durrës. Ndërsa ai më tha për agjentët e tjerë, dhe unë mora gjithë dosjet e agjentëve të tjerë, u dhashë një sy shpejt e shpejt detyrave që kishin dhe nuk kishte një detyrë të tillë. Edhe vajta ta informoj këtë. I gjej poshtë, ishin në paradhomën e zyrës se Mehmet Shehut, që ishte ministër atëherë. Aty gjej kryekëshilltarin Gllaskov, gjej Kadri Hazbiun, gjej edhe Zoi Themelin. Dëgjova që kryekëshilltari Gllaskov, duke biseduar me Kadriun edhe Zoin, po i thoshte: ‘Eto pahijet turjeckaja ragjetka’, domethënë, bie erë zbulimi turk, dhe nuk është mirë, domethënë, nuk janë mirë këto veprime. Edhe më thotë mua kryekëshilltari, shiko, atë dosjen thotë, të agjentit. Zoi ishte aty. Them unë e ka marrë Zoi. I them unë, ti e ke marrë dosjen, i them Zoit. S’di gjë unë pastaj, e mori ministri e zhduku apo çfarë bëri, kjo është veshja pastaj…
Kryetari:- Po mirë, dosja ku është, ku ishte?
Llambi:- Dosja nuk ishte, e kishte marrë Zoi.
Kryetari:- Po Zoi ku e kishte shpënë, nuk e pyete ti Zoin?
Llambi:- Pyeta Zoin dhe Zoi thotë se e mori ministri…
Kryetari:- Ja kam dhënë ministrit…
Llambi:- Po, ja kam dhënë ministrit
Kryetari:- Deri këtu, fakti qëndron.
Llambi:- Deri këtu qëndron.
Kryetari:- Një herë qëndron fakti që Sadik Premtja është qëlluar, ajo dihet…
Llambi:- Ajo dihet.
Kryetari:- Qëndron fakti tjetër, që këtë goditje e ka bërë bashkëpunëtori ynë. A qëndron?
Llambi:- Qëndron, e ka bërë me porosi të Zbulimit.
Kryetari:- Me porosi të zbulimit, qëndron fakti tjetër që ti kërkon dosjen, dosjen e kishte Zoi Themeli. Pastaj qëndron fakti tjetër që Zoi themeli të tha e ka ministri. Deri këtu, apo jo!?
Llambi:- Po. Edhe di dhe këtë që ai Sahapovi më tha që kjo është bërë me urdhër të ministrit, me anë të tradhtarit Mehmet Shehu…
Kryetari:- Me urdhër… kush ta tha?
Llambi:- Sahapovi.
Kryetari:- Sahapovi të tha që është bërë me urdhër të ministrit?
Llambi:- Edhe Zoi tha, se Sahapovi me Zoin kishte komunikuar, se unë s’dija gjë…
Kryetari:- Domethënë, kjo që të këndova unë këtu është në rregull, pra s’është veshur ndonjë gjë deri këtu?
Llambi:- Jo, nuk është veshur ndonjë gjë.
Kryetari:- Domethënë, ky fakt që ke thënë ti qëndron?
Llambi:- Po.
Kryetari:- Tani, fare nuk qëndron këtu!
Llambi:- Këtu nuk qëndron kjo, që e zhduku Mehmet Shehu. Këtë unë nuk e di që e zhduku apo se zhduku Mehmet Shehu, se ishte Zoi më i madh se unë, ishte kryetar dege.
Kryetari:- Mirë, nuk di këtë e zhduku apo se zhduku, por që e ka marrë Mehmet Shehu këtë ta tha Zoi?
Llambi:- Këtë tha Zoi. Zoi Themeli është dëshmitar, kur të vijë të pyetet…
Kryetari:- Deri këtu jemi në rregull.
Llambi:- Shumë në rregull.
Kryetari:- Domethënë, s’ka punë imponimi deri këtu?
Llambi:- Ka punë më vonë, ka për vitin 1960.
Kadriu:- Mund ta sqaroj unë këtë, i nderuar kryetar!
Kryetari:- Kur të pyesim ty i pandehur.
Llambi:- Ai duhet të dijë shumë më mirë se unë.
Kadriu:- Është bërë me urdhrin tim kjo, jo të Mehmet Shehut. Për këtë jam kritikuar unë nga Udhëheqësi. E para, dhe e fundit herë, tha që terror zbulimi s’duhet të bëje. Si është dhënë urdhri unë s’e kam parasysh, mund të jetë thirrur këtu punëtori operativ dhe i është thënë si duhet të veproje, mundet me radiogram, nuk e di. Por para drejtësisë së Partisë, them hapur, këtë e kam dhënë unë.
Kryetari:- E ke dhënë ti, jo Mehmet Shehu?
Kadriu:- E kam dhënë unë, jo Mehmet Shehu. Se Mehmet Shehu, nuk e di ku ka qenë në atë kohë.
Kryetari:- Pa dijeninë e Mehmet Shehut e ke bërë ti këtë?
Kadriu:- Kur ka ardhur Mehmet Shehu, është vënë në dijeni, por ai kërkonte premisa, mundësitë që ishin krijuar kërkonin një përgjigje të shpejtë. Unë i thashë bëjeni.
Kryetari:- Po ti pa udhëheqjen e Partisë, pa biseduar me njeri, nga koka jote!?
Kadriu:- Pa udhëheqjen e Partisë. Ministri nuk ishte, a ka qenë i sëmurë, nuk më kujtohet.
Kryetari:- Po s’ishte ministri, ishte sekretari përkatës i Komitetit Qëndror se si do të bëhej atentati, të qëllohej në mes të Parisit me urdhrin tonë jo qeveritar…
Kadriu:- Nuk ishte atentat ky, është një version likuidimi. Edhe në procesverbal e kam dhënë kështu si e them unë.
Kryetari:- Mirë si thua ti, po që nuk i jepje kokë xhevap atij tjetrit që si e bëre ti, si do ta bëje ti vetë këtë, domethënë që të fusje ti agjenturën tonë të qëllonte kundër Sadik Premtes në Paris me iniciativën tënde…
Kadriu:- Agjentura jonë ishte e futur dhe ai e trajtonte këtë. Ishte një agjent turbekuloz që përpara vdekjes propozoi që para se të vijë në Shqipëri të vdes, tha, më lejoni të vras këtë tradhtar. Ishte propozimi i tij. Unë u thashë atyre, kërkova, nuk gjeta….
Kryetari:- Çfarë nuk gjete, nuk gjete ministrin?
Kadriu:- Po, nuk gjeta ministrin.
Kryetari:- Komitetin Qëndror atje…
Kadriu:- Mundet dhe Sekretarin e Parë, se me sekretarin përkatës nuk mund të bisedoje…
Kreytari:- Po me kokën tënde që do ta bëja…
Kadriu:- Me kokën time, kupton, me bindje të plotë dhe përgjegjësi të plotë….
Kryetari:- Që e thua mirë, po një çikë e çuditshme duket. Edhe ty vetë e çuditshme të duket që të marrësh një akt të tillë në mes të Parisit, të qëllohet…
Kadriu:- Nuk është e çuditshme, është përgjegjësia ime.
Kryetari:- Mirë, ti e ke.
Llambi:- Kryetari i Gjykatës së Lartë, na falni. Unë i kam thënë hetuesisë se isha zëvendëssekretar dege, sapo kisha vajtur. Këtu e keni Kadri Hazbiun, edhe Zoi Themelin thirreni dhe sqaroni këtë punë. Këtu Zoi Themeli është thirrur, është pyetur për tjetër gjë. Për këtë kryesoren që e veshi hetuesia me këtë që më ’60, mua, Mehmet Shehu më tha që kam dashur ta vras për arsye se ai dinte gjëra që më kompromentonin mua me Partinë. Kjo i interesoi, domethënë, këtë veshi hetuesi.
Kryetari:- Mirë, mirë, po kjo ngjarje duket tamam sikur e ke thënë ti.
Llambi:- Ngjarja është tamam, është në atë kohë, ama për Zoi Themelin, për atë që e zhduku ministri, të pyetet Zoi Themeli.
Kryetari:- Deri këtu, që dosjen e ka marrë ministri. Ç’punë ka ministri me dosjen?. Që është bërë me urdhër të ministrit të ka thënë Zoi Themeli?
Llambi:- Që është bërë me urdhër të ministrit më tha Sahapovi, unë kaq di.
Kryetari:- Po ministër kush ishte në atë kohë?
Llambi:- Ishte Mehmet Shehu.
Kryetari:- Kadri Hazbiu thotë e kam bërë unë.
Llambi:- Po nuk e di unë.
Kryetari:- Sovjetiku thotë e ka bërë Mehmet Shehu.
Llambi:- Prandaj i kam thënë unë hetuesisë që këtu e kini Kadri Hazbiun, ai duhet të dijë shumë më mirë se sa një tjetër.
Kryetari:– Mirë, sovjetiku të ka thënë me urdhër të Mehmet Shehut.
Llambi:- Me urdhër të ministrit.
Kryetari:– Po, po ministër ishte Mehmet Shehu.
Llambi:- Mehmet Shehu, po ai kështu më tha…(Vijon nesër)
(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)
SOM 1
“Ekzekutimi i Sadik Premtes, është bërë me urdhrin tim, jo të Mehmet Shehut. Për këtë jam kritikuar unë nga Udhehëqesi. E para, dhe e fundit herë, tha që terror zbulimi s’duhet të bëje. Si është dhënë urdhri unë s’e kam parasysh. Mund të jetë thirrur këtu punëtori operativ dhe i është thënë si duhet të veprojë, mundet me radiogram, nuk e di. Por para drejtësisë së Partisë, them hapur, këtë e kam dhënë unë Kadri Hazbiu”
SOM 2
“Llambi deponoi: Për atentatin ndaj Sadik Premtes, u informua ushëheqësi i Partisë. Udhëheqësi(Enver Hoxha) e dënoi si veprim terrorist. Shkova dhe në zyrën e Mehmetit. Aty gjej kryekëshilltarin rus Gllaskov, Kadri Hazbiun, dhe Zoi Themelin. Gllaskov, po u thoshte: ‘Eto pahijet turjeckaja ragjetka’, domethënë, bie erë zbulimi turk, dhe nuk është mirë, domethënë, nuk janë mirë këto veprime”
SOM 3
“Llambi ndërhyn: Kryetari i Gjykatës së Lartë, na falni. Unë isha zëvendëssekretar dege, sapo kisha vajtur. Këtu e keni Kadri Hazbiun, edhe Zoi Themelin thirreni dhe sqaroni këtë punë. Këtu Zoi Themeli është pyetur për tjetër gjë. Për këtë kryesoren që e veshi hetuesia me këtë që më ’60, se Mehmet Shehu më tha që kam dashur ta vras për arsye se ai dinte gjëra që më kompromentonin mua me Partinë. Të pyetet…”
NË NUMRIN E ARDHSHËM DO TË LEXONI:
-Dëshmitë e Kadri Hazbiut dhe Llambi Peçinit për misteret e zhdukjes së dosjes së atentatit ndaj Sadik Premtes në Paris.
-Deponimi i Ziçishtit: Pas atentatit të urdhëruar nga Kadri Hazbiu, dosja ju dërgua ministrit Mehmet Shehu.
-Roli i këshilltarëve rus, funksionar të KGB-së, në strukturat e Sigurimit të Shtetit në Shqipëri
S’i ka patur faj Enveri ketyre,ia kishin te gjithe me hile.
Po te lexosh me vemendje deponimet e tyre ne gjyq
edhe nje i palexuar i kupton hilete e tyre duke filluar
nga M.Shehu,K.Hazbiu,Ll. Pecini,etj. Keta te gjithe
kane vepruar nen rrogoz kunder E.Hoxhes.
Ato qe qarkullojne ne popull se “Enveri vrau shoket e vet”, kjo mundet te mos arrihej deri ne likuidimin fizik
por si hileqare duheshin denuar . Enver kushte aq autori-
tet sa t’i mbante nen kontroll te tere keta duke i vene ne
detyra te rangjeve te ulta. Nje shembull paksa naiv por
M. Shehun fare mire mund ta conte kryetar kooperative
ne Corushaj,Kadrin – bari dhensh ne Tepelene qe te zevendesonte Thoma Delianen apo karrocier po ne Tepelene qe te zevendesonte S. Konicen. Kete propozi-
min e fundit per pak humor,etj.