Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca e 20
Akuza: Dosja ka qenë në Ministrinë e Brendshme, por u zhduk nga Kadri Hazbiu. Mehmeti ishte agjent potencial dhe ruhej nga CIA për situata e shërbime madhore!
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e 20-të të gjyqit kundër Kadri Hazbiut, kryesuesi i seancës Aranit Çela dhe prokurori Rrapi Mino, mbështetur në deponimet e të akuzuarve të tjerë, bashkëpunëtorë të ‘grupit armiqësor të vënë në shërbim të agjencive të huaja’ si dhe pohimeve në hetuesi, i kërkojnë Hazbiut shpjegime lidhur me zhdukjen e emrit e të dosjes së agjentit Mehmet Shehu, i rekrutuar nga CIA(nga Harri Fulc) që në bankat e shkollës. “Ka qenë një material i tillë, me emra e shpjegime për 7-8 persona. Ishte mes tyre dhe Mehmet Shehu. Por unë nuk e di fatin e mëtejshëm”- shpjegon mes të tjerave në këtë seancë i pandehuri Kadri Hazbiu…
Seanca e 20-të.
Kryetari(Aranit Çela):-Lidhur me kleçkat që kishte në Sigurim të Shtetit Mehmet Shehu në atë kohë, gjithmonë ke ditur ti? Sepse na dalin shumë të dhëna, shumë gjëra të këtij Mehmet Shehut?
Kadriu:- Unë, i nderuar kryetar, jam pyetur shumë për këtë çështje, bile më është bërë edhe presion fizik. Për këtë unë di vetëm një gjë që për Mehmet Shehun, si material, kur kam vajtur në Ministrinë e Brendshme, ku e kam gjetur tani nuk më kujtohet, ishte një material.. Ishte një listë ku ishin 7 ose 8 emra të shkruara me nga një karakteristikë të shkurtër dy-tre rreshta që ishte identiteti i tyre dhe një farë vlerësimi që u bëhej si studentë të shkollës së Harri Fulcit. Aty ishte dhe Mehmet Shehu. Këtë unë nuk ja kam treguar Mehmet Shehut, e kam dorëzuar në Komitetin Qendror atëherë, siç ishte urdhri atëherë. Edhe aq është e vërteta. Ka rëndësi dhe unë e kuptoj që s’mund të pyetet që pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut… Kur po studionim një listë bashkë me sekretarin për çështje ideologjike të ngarkuar nga Udhëheqësi i Partisë(Enver Hoxha) ku bëhej fjalë për Mehmet Shehun, unë i thashë se duhet të ketë edhe tjetër, se unë e kam parë një material të tillë. Përveç kësaj, unë për Mehmet Shehun nuk di gjë. Është me rëndësi të theksohet edhe një gjë sepse e thotë edhe Nesti Kerenxhi…
Kryetari:- Nesti Kerenxhi thotë se “ne kemi pasur informata në Sigurim që e kompromentonin Mehmet Shehun”?
Kadriu:- Më falni i nderuar kryetar. Unë kam qenë Shef i Sigurimit të Ushtrisë, ndërsa Mehmet Shehu ka qenë Shef i Shtatmadhorisë. Për kohën që ai ka qenë Shef i Shtatmadhorisë, materiale në sigurim nuk ka pasur. Llambi Peçini, që është këtu, mund të pyetet, po është absolute kjo. Kjo i përket deri në shtator të vitit 1947, kur unë kam vajtur në Bashkimin Sovjetik. Gjithë këto gjëra, Plenumi i 8-të, megjithë si të thuash, ato veprimet e tij të kundraligjshme që u shtuan në atë kohë është në atë kohë që unë kam munguar, pra nga shtatori i vitit 1947 deri në prill të vitit 1948. Gjatë kësaj kohe, Mehmet Shehu ishte hequr si Shef i Shtatmadhorisë e kishte qëndruar në dispozicion. Pastaj, kur kam ardhur unë, ishte bërë ministër i Komunikacionit. Gjatë kësaj kohe, Sigurimi i Ushtrisë, siç thotë edhe Llambi Peçini, ka vënë oficerë dhe është survejuar. Por drejtimin e veprimtarisë së Mehmet Shehut nuk mund ta donte në këtë kohë logjikisht Sigurimi i Ushtrisë, sepse ai i kishte shkëputur marrëdhëniet me ushtrinë, ishte hequr dhe Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit… Ka pasur një sektor të veçantë që merrej me këto…
Kryetari:- Po në kohën që ka qenë Shef i Shtatmadhorisë, e kam fjalën unë, ka pasur dosje? Nesti Kerenxhi thotë që ka pasur një dosje…
Kadriu:- Nuk ka pasur dosje në asnjë mënyrë. Unë nuk e kam pranuar… Pas kësaj, mund të ketë kërkuar informacione…
Kryetari:- Ti, këtë Llazar Papapostolin (Laripostin) e ke dëgjuar apo jo? Çfarë ishte ky?
Kadriu:- E kam dëgjuar, ka qenë spiun i amerikanëve…
Kryetari:- Shiko se çfarë thotë ky këtu:”Unë kam një dokument që i referohet një kohe të shpejtë natyrisht kjo dhe thotë në deponimet që bën ky… Këto deponime që të gjitha janë në sigurim se nuk janë marrë gjetkë tjetër, nuk na i ka dhënë njeri këto, janë tonat i kemi në arkiv. E prej Gjirokastre, erdha në Berat – thotë midis të tjerave. Në Berat – thotë – jam takuar për herë të parë me Hasan Reçin. Hasan Reçin ti e njihje. Ai, Hasan Reçi – thotë – më pyeti për letrat nëse i kisha marrë ose jo. Dhe raportin e Mehmet Shehut e Mustafa Gjinishit që e kishin dërguar me anë të Hasanit me MCDOO. Ky i fundit pretendon se i kishte djegur letrat e Mehmetit dhe Gjinishit. E thotë hapur Llazar Papapostoli këtë. Ditën që u çlirua, thotë, jam prezantuar tek Mehmet Shehu – thotë ai – dhe më dha këtë e më dha atë… S’ka rëndësi për këto që thotë ai. Por më e rëndësishmja është kjo që ai thotë, thotë këtu hapur, për një dokument që është në Sigurimin e Shtetit. Thotë që jam takuar me Hasan Reçin dhe jep se kujt i është dërguar letra, e ku di unë si informator… Tani, ky dokument i referohet një kohe, kupton ti, që është një kohë shumë e shpejtë. Tani ky dokument ka qenë në Sigurim. Në këtë kohë, Mehmet Shehu ka qenë shef i Shtatmadhorisë. Në kohën e Koçi Xoxes, gjithmonë e kam… Kjo dosje kishte të bënte me Sigurimin e Ushtrisë apo jo?
Kadriu:- Unë e di këtë se më është thënë në hetuesi, por e kam thënë me çiltërsi edhe përpara hetuesisë, e them edhe këtu përpara gjykatës, unë as e kam ditur fare këtë. Jo vetëm që s’ka ardhur në Sigurimin e Ushtrisë, por unë them edhe më vonë s’erdhi njeri të më thotë, ose këtu është emri i Mehmet Shehut edhe ta heqim të paktën nga dosja sipas atyre rregullave që kemi ne. Kush e ka mbajtur këtë? Pse e kanë mbajtur këtë pa më vënë në dijeni mua, unë s’e di…
Kryetari:- Gjithmonë në dosje, përsëri kësaj kohe i referohemi… Ai thotë që di që Mehmet Shehu – thotë – ka qenë në shkollën Teknike dhe kam dëgjuar që kur erdhi Hasan Reçi nga Italia, i ka prurë letër Mehmetit nga Fulci… E di që Fulci e mburrte si nxënës e ku e di unë… Kemi të dhëna – thotë – këtu i përmend atë të Lefter Lakrorit, domethënë, të dhëna të marra në rrugë sigurimi – thotë…
Kadriu:- Lefter Lakrori s’ka qenë në Sigurimin e Ushtrisë…
Kryetari:- Në dosje, siç e di ti, ka të dhëna aty që në këtë periudhë, pikërisht në vitet 1954-1957, që ‘ne e kemi ndërprerë të gjithë veprimtarinë, punën agjenturore kundër jugosllavëve’. Pra, që në vitin 1954. Kush e ndërpreu këtë?
Kadriu:- Me urdhër të Udhëheqjes së Partisë…
Kryetari:- Kush është ky urdhër?
Kadriu:- Urdhri është dhënë me gojë dhe është orientim i dhënë në atë kohë…
Kryetari:- Ku ka gjetur pasqyrim ky udhëzim që thua ti?
Kadriu:- Ky ka gjetur pasqyrim në ndërprerjen e punës agjenturore.
Kryetari:- Jo, jo si dokument xhanëm, me porosi të udhëheqjes. A ka ndonjë referat, a ndonjë urdhër, ë?
Kadriu:- Unë urdhër!? Në atë kohë s’kam qenë në Byronë Politike, as njërën, as tjetrën. Mua më është thënë nga Udhëheqësi kryesor i Partisë dhe më është shpjeguar tërë situata e mirënjohur. Tërë Partia ndërtonte një qëndrim të tillë dhe pse ne duhet ta ndërpresim këtë dhe si duhet ta konceptojmë…
Kryetari:- Në ç’kohë është dhënë ky?
Kadriu:- Ky është dhënë kur unë jam bërë ministër, domethënë pas qershorit të vitit 1954…`
Kryetari:- Po jo mo, realiteti nuk është ky.
Kadriu:- Realiteti është ky, si them unë…
Prokurori:- Shoku kryetar! Boll ja keni zgjatur këtij tradhtari! Vendimet e Byrosë Politike i quan shkresa…
Kadriu:- Tani, logjikisht, është kështu si them unë. Si fakt, është kështu si po them unë… Sepse nuk është puna e një përpunimi të thjeshtë, lamë ambasadën jugosllave pa ndjekje, edhe kjo bëhet nën kontrollin dhe dijeninë e Partisë… Dhe Partia është që nga Komiteti Qendror, deri në organizatën bazë të Partisë….
Kryetari:- Neve tani, Mehmet Shehun, Partia e zbulon si agjent pas 40 vitesh, ku ka qenë Partia… Pse, kështu shtrohet problemi?
Kadriu:- Krahasimi nuk bëhet me Mehmet Shehun, se ai ishte një konspirator… Kurse ky ishte një veprim legal përpara popullit e përpara Partisë… Në këtë rast, pra, nuk mund të bëhet krahasim…
Kryetari(Aranit Çela):- More, këtu është fjala për ndërprerje të çdo lloj përpunimi. More, këtu ka vdekur puna e Sigurimit, këtu është varrosur puna e Sigurimit!
Kadriu:- Të lutem shumë, ndërprerje e varrosje e gjithë aktivitetit agjenturor-operativ…
Kryetari:- Domethënë, nuk ekziston më Ministria e Punëve të Brendshme në drejtim të Jugosllavisë…
Kadriu:- Si drejtim, edhe ne jemi porositur dhe me tërë dokumentacionin… Se çfarë kam porositur unë, se si do të konkretizohen këto në bazë të udhëzimeve që kam marrë nga Komiteti Qendror i Partisë, janë….
Kryetari:- Për këtë problem Kadri Hazbiu, ja tek kemi dhe Mihallaq Ziçishtin, e pyesim po të duash…?
Prokurori(Rrapi Mino):- Fill pas Konferencës së Tiranës të vitit 1956, është bërë një mbledhje në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku ka qenë dhe Mehmet Shehu…
Kadriu:- Mund të jetë bërë. Mua nuk më është thënë. Më është lexuar një procesverbal i mbajtur i mbledhjes që ka qenë Mehmet Shehu…
Prokurori:- Edhe si thotë Mehmeti?
Kadriu:- Nuk më kujtohet.
Prokurori:- Ndryshon nga ai mendim që jep Byroja Politike dhe shoku Enver?
Kadriu:- Ekzakt nuk më kujtohet. Atje u tha që Mehmet Shehu ka thënë në këtë mbledhje që Jugosllavia është një vend mik…
Prokurori:- Domethënë, ndryshon kryekëput…
Kadriu:- Tani, në bazë të këtij procesverbali të mbajtur, kështu është…
Prokurori:- Atëherë, u pyes prapë. Mos është dhe ky qëndrim i bashkëpunëtorëve këtu vazhdim i veprimtarisë së drejtuar nga Mehmet Shehu? Pasi deklarimet e Mehmet Shehut vijnë pasi ka folur shoku Enver dhe pasi ndodhi ajo që ndodhi në Konferencën e Partisë të Tiranës dhe flet për Jugosllavinë mike!
Kadriu:- Unë them një gjë që Mehmet Shehu, si armik që ka qenë dhe njeri i agjenturës jugosllave, ai ka bërë çmos që të ndikojë sa të jetë e mundur. Unë nuk jam në gjendje ta them sa ka ndikuar, a është përpjekur ai që t’i japë një kuptim ndryshe këtyre gjërave, mund të jetë përpjekur. Dhe është përpjekur me siguri.
Prokurori(Rrapi Mino):- Siç del nga gjykimi, ndërprerja e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit ndaj agjenturës jugosllave pati pasoja veçanërisht të rëndësishme dhe ky është një ndër aktet e komplotit, ose një ndër aktet e tradhtisë nga i pandehuri Kadri Hazbiu dhe bashkëpunëtorët të tij… Ja orientimi që jep Mehmet Shehu më datën 23.06.1956:”Kohët e fundit, disa elementë antiparti(disa elementë-thotë për Konferencën e Tiranës), janë përpjekur të godasin vijën e Partisë, që siç jeni në dijeni, u shpall në Konferencën e Partisë të qytetit të Tiranës. Për atë që ndodhi në Konferencën e Tiranës, kanë përgjegjësi organet e Partisë dhe të Sigurimit. Jugosllavia është një vend mik dhe kjo miqësi do të forcohet…”
Një moment tjetër me që lidhet me këtë dhe që është një tradhti, edhe ajo e lartë, shoku kryetar, është dhe akti që bëri i pandehuri Kadri Hazbiu në mbledhjen e ministrave të punëve të brendshme të Traktatit të Varshavës, në Pragë, në vitin 1960, ku në bashkëpunim me zbulimin rus, propozoi të unifikohen agjenturat e zbulimit të shteteve dhe këto të mblidhen në Moskë nën drejtimin e KGB-së, domethënë, KGB-ja të kishte gjithë Traktatin e Varshavës. Kjo ishte një humbje e sovranitetit, një cënim i rrezikshëm i sovranitetit të një shteti, aq shokë gjyqtarë, sa që dhe rumuni që është revizionist, nuk e pranoi… Kurse Kadri Hazbiu, në marrëveshje me Shelepinin, kryetarin e KGB-së, e bën këtë propozim pa autorizimin e Udhëheqjes së Partisë… Dhe akti i tretë i tradhtisë së lartë është dorëzimi i Platformës, që është një dokument veçanërisht sekret, KGB-së sovjetike…
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Unë Kadri Hazbiu, jam pyetur shumë për zhdukjen e emrit e të dosjes së Mehmet Shehut si agjent i zbulimeve të huaja, bile më është bërë edhe presion fizik. Unë di që për Mehmet Shehun, si material, kur kam vajtur në Ministrinë e Brendshme, ishte dhe e kam gjetur këtë material. Ishte një listë ku ishin 7 ose 8 emra të shkruara me nga një karakteristikë të shkurtët dy-tre rreshta që ishte identiteti i tyre dhe një farë vlerësimi që u bëhej si studentë të shkollës së Harri Fulcit. Aty ishte dhe Mehmet Shehu. Këtë unë nuk ja kam treguar Mehmet Shehut, e kam dorëzuar në Komitetin Qendror atëherë, siç ishte urdhri atëherë. Nuk di ku u zhduk kjo”
SOM 2
“Një moment tjetër tradhtie, edhe ajo e lartë, është dhe akti që bëri i pandehuri Kadri Hazbiu në mbledhjen e ministrave të punëve të brendshme të Traktatit të Varshavës, në Pragë, në vitin 1960. Ai, në bashkëpunim me zbulimin rus, propozoi të unifikohen agjenturat e zbulimit të shteteve dhe këto të mblidhen në Moskë nën drejtimin e KGB-së. Domethënë, KGB-ja të kishte gjithë Traktatin e Varshavës. Kjo ishte një humbje e sovranitetit, cënim i rrezikshëm i sovranitetit të një shteti. Aq sa që dhe rumuni që është revizionist, nuk e pranoi… Kurse Kadri Hazbiu, në marrëveshje me Shelepinin, kryetarin e KGB-së, e bën këtë propozim pa autorizimin e Udhëheqjes së Partisë”
NESËR DO TË LEXONI:
-Debati mes të akuzuarit Kadri Hazbiu dhe kryesuesit të seancës Aranit Çela lidhur me misionin e bandës së Xhevdet Mustafës në Shqipëri. Lidhjet e Kadri Hazbiut me këtë bandë dhe deponimet e Halit Bajramit për Kadriun.
-Deponimet e Kadri Hazbiut: Banda e Xhevdet Mustafës kishte qëllime terroriste, por unë nuk kisha paraprakisht dijeni për këtë!
-Deponimet e Halit Bajramit, anëtarit të bandës: Misioni i Xhevdet Mustafës, realizimi i planit që nuk realizoi Mehmet Shehu.
Ambasada amerikane dhe ajo angleze para se të largoheshin pas 1944 i shërbyen instalimit të komunizmit. Kushdo që shkonte në këto ambasada dhe dorzonte informacione sekrete për terrorin dhe pushkatimet që bënte komunistat mbi njerëz të pafajshëm menjëherë ja dorzonin Ministrisë Brendshme. Radio Londra pas 1944 bënte politikën e mashtrimit se qeveria komuniste do bjerë shpejt dhe shum patriota dolën malit me shpresë se Anglia dhe amerika do t?i ndihmonte kryengritsit antikomunistë. Kjo ishte loja për me i nxit antikomunistat me dalë malit dhe mandej me i dërguar ushtrinë dhe forcat e ndjekjes policore, ku të gjithë këto grupe intelektualësh dhe klerikësh u ekzekutuan dhe trupa anglo-amerikanë nuk ndërhynë kurrë. Mbasi i pastruan malet nga antikomunistët komunistat u larguan anglo-amerikanët sepse misioni i tyre kishte marrë fund në instalimin komunist sipas Traktatit të Jaltës të 1945, ku ishin firmosë nga terroristi stalin dhe protestanti amerikan, presidenti Ruzvelti dhe çifuti Çurçill që të kontribonin në instalimin e komunizmit në gjysmën e Europës sikurse ndodhi. Prandaj si të djathtët ashtu dhe të majtët në amerikë janë të lidhur me socialistët dhe komunistët sepse këta i duhen prapë për t?i përdorë nnëse rigjallërohen atdhetarët dhe klerikët katolik në mbrojtje të Shqipnisë nga çdo ndërhyrje ambasadorësh në punët e shtetit sikurse përzihen ambasadorët amerikanë sikur ta kishin koloni të tyre.
sa shume i pelqejne shqiptaret teorite konspirative, a thua se ne jemi ne maje te piramides se shteteve te medha dhe i dime dhembe e dhemballe planet e tyre
Interesant,Kadri Azbiu mbetet tradhetare ashtu sic e denoi Partia.Enveri,Hero.Sorge I sherbeu Stalinit me besnikshmeri Shperblimi?Tri here tentative per ta vrare.