Nga Gjikë Kurtiqi
Për shkak të detyrave që kam pasur në Teatrin e Fëmijëve të Tiranës dhe në Drejtorinë e Arteve në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, më është dhënë mundësia të kem takime e marrëdhënie me shumë artistë në të gjitha fushat e artit e kulturës, me regjisorë, skulptorë, piktorë, aktorë, kompozitorë, këngëtarë dhe profesionistë të tjerë të artit e kulturës shqiptare. Nga fusha e skenës dhe ekranit kujtime të paharruara kam edhe me mikun tim “Artistin e Popullit” dhe “Nderin e Kombit” Kadri Roshi. Kadri Roshin si aktor e ka njohur dhe adhuruar i gjithë kombi shqiptar nëpërmjet shfaqjeve të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe filmave të shumtë ku ai ka krijuar figura të skalitura që nuk mund të shuhen kurrë nga memoria e popullit.
Unë, mbështetur në kujtimet e mia, nuk do të flas për Kadri Roshin aktor. Do shpreh vetëm disa nga kujtimet e mija jo për Kadri Roshin aktor, por për Kadri Roshin njeri, se ai ka qenë po aq i madh edhe si njeri. Vlerat reale të njeriut shfaqen më dukshëm në jetën dhe veprimtarinë e tij shoqërore, veçanërisht në momente të veçanta të jetës shoqërore. Moment i veçantë ka qenë ndërrimi i sistemit shoqëror e politik të vendit tonë në vitet 1990-1992. Shumë intelektualë, artistë, e kuadro të fushave të ndryshme u tjetërsuan brenda natës, nga anëtarë, apo simpatizantë të Partisë së Punës, u zgjuan “disidentë”, “antikomunistë” dhe “demokratë” të përvëluar.
Kadri Roshi ishte një nga ata njerëz që s’kishte vënë kurrë maskë në fytyrën e tij, ai në çdo kohë të bardhës i thoshte e bardhë dhe të zezës i thoshte e zezë. Vlerësonte reformat e shumta të mara nga pushteti popullor për transformimet e mëdha që u bënë pas çlirimit për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë dhe të shtetit shqiptar, në fushën e arsimit, të shëndetësisë, të industrisë, bujqësisë, gjuhësisë dhe të artit e kulturës nga viti 1945 deri në vitet 1970 – 80, por kishte dhe vërejtje për gabimet e të metat e sistemit, për disa reforma te pastudiuara që u ndërmorën veçanërisht në fshat e në bujqësi pas vieve ’80, që sillnin pasoja të rënda jo vetëm për fshatarësinë por në tërësi për shoqërinë shqiptare etj. Ishte për demokraci të vërtetë, jo për masat e ashtuquajtura “demokratike” që shkatërruan qendrat e prodhimit, uzinat, fabrikat, kombinatet, që shkatërruan edhe serat e prodhimit të perimeve në fushën e Myzeqesë e më gjerë. Shpëtuan vetëm hidrocentralet që po na japin dritë edhe sot e kësaj dite.
Ato ditë të vështira të ndryshimit të sistemeve pinim kafe bashkë në një kioskë në anë të lulishtes ku është ndërtuar kisha e madhe ortodokse. Aty pinim kafe dhe bisedonin për çka po ndodhte në atë kohë. Një ditë Kadriu vjen në mëngjes paksa i shqetësuar dhe m’u drejtua: “Sa mirë që të takova se dua të diskutoj një problem me ty”. E dija që vuante nga zemra dhe e pyeta: “Ke patur shqetësime në zemër?”. “Jo në zemër nuk kam shqetësime, por kam në ndërgjegje”. U ulëm në tavolinë, porositëm kafet dhe Kadriu filloi të fliste:
“Më kanë propozuar të më japin një rol në filmin që po përgatitet të xhirohet për të qesëndisur bunkerët, që u ndërtuan nga sistemi që lamë pas, me titullin “Kolonel Bunker”. Regjisor e skenarist janë nga ata që u tjetërsuan brenda natës në demokratë. U thashë se nuk jam mirë nga zemra e nuk mund të marr pjesë. “Nga zemra,- më thanë,- të shërojmë ne. Të dërgojmë menjëherë në Turqi, bashkë me gruan, që të kuroheni e të ktheheni shëndoshë e mirë”. Për rolin më premtuan të më japin edhe një sasi të mirë lekësh. Dua një mendim nga ty, si të bëj?”. U mendova dhe unë për një çast dhe i thashë: “Dëgjo Kadri, ti nuk je as kryetar partie dhe as në ndonjë udhëheqje të ndonjë partie. Ti je aktor dhe një rol mund ta luash në atë film, sido që të jetë. Shpërblimin do ta marish për punën tënde…”. Biseda atë ditë vazhdoi gjatë. Po më gjatë vazhdoi mednimi im për ndërgjegjen e pastër të Kadri Roshit.
Se kishte ato cilësi dhe ato ndjenja të veçanta njerëzore në ndërgjegje pa i bënin shumë përshtypje sjelljet dhe veprimet e njerëzve të mirë që takonte në jetën e tij. Na tregonte një ditë për një ngjarje të thjeshtë që i kishte lënë mbresa të paharruara kur xhironin filmin “Këshilltarët e Hekalit” në Mallakastër: “Bashkë me regjisorin vendosëm një ditë të shkonin të takoni dhe të bisedonim me të vetmin këshilltar të Hekajit që shpëtoi nga pushkatimi duke u mbrojtur nga shokët dhe u hodh në një tip humnere që ndodhej prapa këshilltarëve. Ishte një mallakastriot i nderuar që kishte reputacion dhe kujtime nga koha e luftës. Shkuam tek shtëpia e tij, hymë në oborr dhe e thirrëm me emër Shaqon, që të delte nga shtëpia. Nga shtëpia doli e shoqja e cila na u përgjigj se i shoqi kishte dalë nga shtëpia pak më parë. Ne u kthyem për të shkuar por ajo na ndali. “Burri vërtet ka dalë nga shtëpia, por shtëpinë nuk e ka marrë me vete. Shtëpia është këtu dhe i ka të hapura dyert për miqtë e saj, ndaj urdhëroni brenda, se dërgojmë njeri ta thërresi!”. Njeriut të mirë Kadri Roshi i kishte bërë shumë përshtypje dhe s’e harronte përgjigjen e asaj gruaje të mirë mallakastriote.
Një ditë isha nisur për të takuar prindërit e mi, në vendlindje, në Vithkuq. Në qendër të fshatit u takuam me Kadriun që kishte ardhur për xhirimin e një filmi. Ishte mbrëmje dhe unë e ftova për të ardhur nga shtëpia. “Kë ke në shtëpi? – më pyeti. Dy prindërit dhe njërin nga vëllezërit që jeton me ta- i thashë. “Do vij,- më tha,- por me një kusht, të mos i vësh në vështirësi prindërit për të gatuar. Do bisedojmë dhe do hamë ç’të kenë për darkë”. Dhe shkuam në shtëpi. Nëna dhe babai u gëzuan për vajtjen time, por më shumë u gëzuan kur panë edhe Kadri Roshin. U ulëm rreth tavolinës dhe filloi një bisedë e shtruar e babait tim me Kadriun, e shoqëruar me nga një gotë raki kumbulle, e zjerë dy herë, e me pak meze, djathë, gjizë, vezë e salcë kosi. Ndërkohë nëna vuri saçin dhe përgatiti dy lakrorë me dy peta, që Kadriut i pëlqyen shumë. Por shumë i pëlqeu edhe biseda me tim atë për Mallakastrën dhe njerzit e saj. “Unë,- i tha babai,- kam bërë shtëpi në Mallakastër dhe në Skrapar. Mallakastra dhe Skrapari kanë njerëz shumë të mirë. Bënim një shtëpi në një fshat dhe i gjithë fshati mobolizohej për të ndihmuar të zotin e shtëpisë. Të gjitha familjet e fshatit ndihmonin me gurë e qereste dhe na mernin me radhë në shtëpitë e tyre për darkë, ku ja shtronim me këngë e dolli…”.
Kur u largua Kadriu nga shtëpia babai, tepër i kënaqur nga biseda me të më tha: “Kadri Roshi, o bir nuk është vetëm aktor i madh por edhe njeri i mrekullueshëm, mëso sa të mundesh nga njerëz si ky”.
Por nuk do të harroj kurrë një tjetër ndodhi në një përvjetor të Partisë Socialiste. Fatos Nano kishte dhënë dorëheqjen dhe kryetar i PS në atë vit ishte një nga një nga kuadrot e reja të FRESH-it. Ceremonia e festës bëhej në hollin e Pallatit të Kongreseve. Salla ishte mbushur plot. Plot ishin edhe sofrat e mermerit me pije dhe meze. Pashë tek hynë në sale edhe Kadri Roshi me Piro Dodbibën që në atë kohë ishte Kryetar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ. Ata nuk i priti dhe nuk i shoqëroi askush dhe shkuan u ulën në një cep të hollit. Unë mora një tabaka, e mbusha me meze, mora dhe dy shishe me birrë dhe shkova ua çova atje ku qenë ulur në cep. Kadriu m’u drejtua me humor: “Qënke bërë goxha kamerier, por ne nuk kemi porositur gjësendi”. “Ju s’kini porositur, por dhe vendi juaj nuk është ky cep, ku jeni ulur. Duhej të ishit në krye të ceremonisë, por kreu është bllokuar nga bodigardët dhe militantët”, – u thashë unë dhe në mbrëmje të asaj dite u ula dhe shkrova fabulën “Turpi dhe Nderi”:
Në ceremoni
Sëra më e lartë.
Salla mbushur plot
Zyrtarë, militantë.
Pijet dhe mezetë
Në sofra mermeri,
Qenë aty prezent
Turpi edhe Nderi.
Nderi me modesti
Zuri vend nga fundi.
Në ceremoni
Hidhej e pirdhej Turpi!
… U bënë vite që Kadri Roshi është ndarë nga ne fizikisht, mbasi dihet se trupi i njeriut më në fund i takon tokës, por po kaq e vërtetë është edhe se shpirti, kujtimet e veprimet e tij mbeten të gjalla mbi tokë, te familja, shoqëria dhe kur lenë pas një krijimtari të përsosur, si Kadri Roshi mbeten për herë gjallë tek ndërgjegjja e mbarë popullit.

Faleminderit
I nderuar i te nderuarve VETERANE Gjike Kurtiqi me te lunte ajo mendie komanduar ate PENE per sa na ke shkruar per Te madhien Artsit,Kadri Rraosh,figure e rralle se pari NERZORE..I perjetshem Kujtimi i Tij.
Guri Naimit D.
I nderuar dhe i dashur Gjikë Kurtiqi!
Falënderime pa mbarim për shkrimin mbi emblemën e artit shqiptar dhe njeriun gjenial, Kadri Roshi!
Aktorë dhe njerëz të mëdhenj të formatit Kadr Roshi, Sandër Prosi, Naim Frashëri, Pandi Raidhi, Sulejman Pitarka, Ndrekë Luca etj do t’i mungojnë skenës së Teatrit Popullor dhe shikuesit artdashës.
Ndrrimi i sistemit për paaftësinë e aktorëve kriminalë, që erdhën në krye të shtetit, solli jo vetëm shkatërrimin e ekonomisë, por edhe shkatërrimin e zemrave dhe të shpirtit të shqiptarëve. Askush nuk punon dhe nuk kujdeset më për edukimin e shoqërisë, për brezin e ri dhe fëmijët përveç familjes, e cila është tejet e ngarkuar, e lodhur dhe e dëmtuar nga pasiguria shumëdimensionale…
I paharruar shkëlqimi i yjeve të skenës dhe ekranit shqiptar të viteve 1945 -1990, midis të cilëve ndriçon i madhi dhe i papërsëritëshmi Kadri Roshi!
Të përshëndes dhe të uroj gjithë të mirat, i dashur poet, fabulist dhe shkrimtari i dashur, Gjikë Kurtiqi!
Me respekt,
Flatun Zaimaj – Mallakastër