Kadri Veseli rizgjidhet kryetar i PDK-së

Edona Llukacaj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës është rizgjedhur si kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.

Mandati i dytë në krye të PDK-së iu dha Veselit unanimisht nga rreth 800 delegatë, që votuan në mënyrë të hapur gjatë konventës së nëntë dy-ditore të kësaj partie.

Vota kundër ose abstenim nuk pati. Duhet theksuar se asnjë kandidat tjetër nuk konkuroi për këtë post.

Pas shpalljes së rezultateve, Veseli bëri thirrje që ndaj tij dhe lidershipit të partisë të kërkohet kurdoherë llogari.

Ai tha: “Kërkoni përgjegjësi prej meje, kërkoni lidership, kërkoni vizion, kërkoni që në PDK të mos ketë dilema, të mos të ketë paqartësi, të mos të ketë abuzime, por të ketë drejtim të qartë për vendin”.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, tregoi se me qëndrimet e tij përbashkuese, Veseli e meritonte të ishte kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

Ai tha: “Si kryetar i Kuvendit ka treguar një qetësi dhe pjekuri politike, do të thoja ka parë edhe në kohën kur ka pasur gaz lotsjellës. Si udhëheqës i koalicionit qeverisës ka meritat kryesore për funksionimin dhe mbajtjen gjallë të këtij koalicioni. Duke votuar Kadri Veselin, të gjithë ne po e votojmë Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës që do të jetë nga PDK”.

Ish-kryetari 52-vjeçar i Shërbimit Informativ të Kosovës e ka drejtuar PDK-në që nga maji i vitit 2016, kur paraardhësi dhe bashkëthemeluesi i saj Hashim Thaçi dha dorëheqjen pasi u zgjodh president i Kosovës.

Konventa e PDK-së do të mblidhet edhe të hënën për të caktuar strukturat e reja drejtuese pas një procesi të gjatë zgjedhor ku morën pjesë mbi 29 mijëra anëtarë, si edhe do të miratojë programin e vet politik.

e.ll./dita

Share This Article
3 Comments
  • Zgjedhje tamam si në komunizëm një parti, një kandidat konkurues dhe një i zgjedhur, deshe apo s`deshe. Tipik diktaturë e sojit, shqiptar. Në qoftë se edhe kjo quhet votim dhe zgjedhje demokratike, atëherë edhe në Kinë ka demokraci. Këta të kësaj partie kan shumë doktora si Hoxha e Kuqi…PPSH – tamam!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *