Kafshatë që s’kapërdihet është moj motër mjerimi…

redaktor

Të parin, gishtin e madh, e lëpiu nga pjesa e jashtme. Gjuhën e vuri bindshëm në rrëzë të tij për t’a ngjitur lart. Pa u shpejtuar. Duke shijuar çdo millimetër. Duke përkëdhelur lagësht çdo vijëzim të tij. Të dytin, gishtin tregues, e mori më vrullshëm. Shpejtësia, mesa duket do t’ia bënte më të fortë shijen. Por ndryshe nga i pari këtë e kish përpirë mes buzëve. Nuk ia la gjuhës. Duelin e shijimit mes buzëve e gjuhës sikur e fitoi buza e poshtme. Aty e ngjeshi. E zvarriti. E shijoi. I treti, i mesit, dukej më i madhi. Shija mund të kishte ngelur më shumë tek ai. Lufta mes gjuhës e buzëve dukej e ndezur ndërsa rradha i afrohej atij.

Ndoshta dy të parët po përpiqeshin që i treti të futej në skuta më të errëta. Në rrugina më të ngushta. Apo ndoshta ato luftonin që të mos merrte as çerekun e lagështisë që ndjenë ato. Nuk e di. Gjithsesi, në betejën treshe të atyre mes njëri tjetrit dhe gjuhës e buzëve për të zaptuar të tretin, askush s’fitoi. Atij do t’i ngelte veç gjuha. Nga gjysma e sipër. Shpejt. Pa u ngjeshur. Thjesht, si një ngacmim i shpresës, që ndizet për të ngelur e tillë. Si një zjarr i dobët, që të mban me sy nga ai. Me besimin, krejt të gënjeshtërt, që afshi i tij mund të të ngrohë a flaka të ndriçojë errësirën përreth. Ashtu, dukej se ngeli gishti i tretë, mes dëshirës për t’u ngrohur e ankthit për të parë. Veç me krenari gjithsesi, se qe ai që u përkëdhel i fundit. Tani për tani.

Para pak minutash ato të tre kishin ndjerë freskun, që i rrodhi nëpër trup ndërsa ajo i kish shtyrë përpara. Jashtë dritares së shtrenjtë. E i kish lënë të varur në ajër larg metalit ndriçues mbi të cilin mund të shihnin veten. Ashtu të varur, ashtu sfidues. Të tre bashkë duke shtrënguar kënaqësinë e saj. Të tre bashkë në pritje të rikthimit tek buzët. Të tre bashkë para dhjetra syve. Të tre bashkë gati për aktin final, që do t’i kthente qetësinë, vetbesimin e bukurinë asaj. U tendosën, zgjatën dhe me një lëvizje finale që sfidonte forcën për t’u ngurtësuar e hedhur thellë kënaqësinë e saj, e lëshuan.

Ra në sy të të gjithëve. E hedhur nga një dorë e lëmuar. Me thonj të ndriçuar. Prej dritares së një makine vezulluese.  Nga gishtërinj që u lëpinë me radhë më pas.  Lëkura e bananes në mes të rrugës.

Në një prej asfalteve kryesore të kryeqytetit u derdh verdhacukja nga ato të tre të kuruarit me kujdes. Të ngritur përpjetë në erë mes të gjithëve nga ajo e shtrenjta, që zbukuronte sediljen e pasme të bronzatos qindramijëra eurosh.

Bukuria që s’vriste. Veç neveriste. Me arrogancën, prepotencën, paturpësinë të lëpira mirë e mirë. Të ngrehura në mes të të gjithëve duke sfiduar ekzistencën qytetare të një shoqërie të tërë e duke hedhur tej si lëkura e bananes, nën rrotat e pasurisë a varfërisë, dinjitetin e secilit.

Arrogancën, prepotencën e paturpësinë si tre gishtat e butë me thonjë të gjatë të zbukuruar në vitet e gjata të pluralizmit.   Tre gishta që nuk u dridhen nga shigjetimi qytetar, por u përkëdhelën me buzën e gjuhën që na sfidoi reagimin. Tre gishta që s’më hiqen nga sytë tek rrjedhin jargë kënaqësie të ngulur kaherë në gurmazin e shpresës për një të nesërme të ndryshme të shoqërisë shqiptare.

Tre gishtat e asaj vajzës së bukur, fytyrën e së cilës s’kam për t’a harruar asnjëherë tek më sheh me sytë e ndezur të vetbesimit e buzët e fryra prej shijes së qytetarisë së gërryer dhe hedhur tej pak përpara.

Tre gishtat që u kthyen rishtaz në botën e pasur me mjerimin e arrogancës, prepotencës e paturpësisë e që më kujtuan rrugën e gjatë që duhet bërë akoma për t’a mbyllur në hapësirën aspak eksituese të bronzatos së shtrenjtë atë mjerim.   Rrugën e gjatë që duhet bërë që ai xham  i ulur brez e teposhtë në kërkim të eksitimit të mos e ndajë me ne, shoqërinë, atë mjerim.

Tre gishta që më kujtuan dhe se, po kafshatë që s’kapërdihet është moj motër mjerimi. Por mjerimi i sotëm i shoqërisë shqiptare i ka duart e kuruara e rrobat të shtrenjtëpaguara.  Shëtit me makina luksoze e lëpihet para syve që dijen e kanë modesti, qytetarinë respekt, pasurinë përulje e varfërinë betejë të parreshtur me arrogancën, prepotencën, paturpësinë. Të tre këto, gishta që mund të ngelen, në çfarë buzësh të duan, mes buzëve të mjerimit, të cilit s’mund t’i lejojmë të na lëpihet me ngadalë, qetësi e kënaqësi në mes tonë. Të zbrazet për shtatë pale qefe para nesh e të na hedhë tej qytetarinë, si lëkura e bananes që e plasi rrugës për t’a mbledhur ne qytetarët, të kthyer në shërbëtorë të heshtur të mirakandjeve të tij.

 

Share This Article
7 Comments
  • Zonje sot jemi ne kapitalizem, secili sipas zotesive. Mos i thurni hymne varferise si Migjeni tek Luli i vocer. Enveri e hymnizoi varferine dhe vuri ne pushtet te varferit, e pate se c`na gjeti. Ne na mbyti injoranca e popullit te varfer qe urren te pasurit, e pra, pasuria eshte merite.

    • Beni ku jeton ti mor kapitalist i rriturr nga enveri ??
      Mos ma thuaj ,se duket qe derivant i reformes agrare do jesh .Ka faj pushteti popullor qe ju dha toke .
      Ku e shef kapitalizmin ketu ?
      Te mali i Dajtit qe eshte i Dasares ,te nafta e Argites ,te shoqata bamiresie qe faturojne miliona duke i detyruar bizneset te “dhurojne” ne emrin e Lirise ??
      Te Gerdeci i Zhgelzenit …ku baxhanaku qe nuk njihte Saliu trasportonte valixhe me para ??? Te milionat qe i jepen Toni Podestes apo te fondet e BB qe perlau Jamarberi dhe jamidioti ????
      Jo besoj se e shef te kopilat e Sadijes qe jetonin ne 5 mij hektar rezidenc ,ktu te Lulat e vegjel qe e vetmja pasqyre qe shofin eshte ajo e xhamave te zinj…po jo aq te zinj sa kane shpirtin .
      Pastro ndonje hale aty ku je dhe behu i pasur …sepse pervec lekeve asgje tjeter nuk do kesh !

      • Ben dhe Dream! Jeni te dy gomere te perendise. Lezeton shume debati mes birbosh se cili e justifikon me mire kapitalizmin.

  • – Ore ,pa na tregoni pak si do jete tani me programin social te se majtes !?? Do i detyrojne fshataret qe te punojne tokat qe shihen djerre ? Ose nje shembull ,ne cdo qytet ka me qindra apartamente te pashitura ,kjo vertetohet edhe nga agjensite imobiliare, dhe ne cdo qytet ke familje me status te pastreha ,si do veprohet???? -Ju trgoj nje mundesi -:Shteti te vendose te pastrehet ne pallatet e firmave te ndertimit te perfunduara dhe pas 50 viteve do vije permbarimi t’i nxjerre jashte se jane ne shtepi te huaj dhe gazetat te hidhen ne mbrojtje te tyre si sot ///……tung

  • po kane te drejte moj moter se u bene te pasur duke vjedhur hidrocentralet,uzinat, fabrikat qe punuan prinderit tane e duke ja shitur fazllicave per nje cope buke.ketu ne vlore jane pronare lulushi e ca te tjere nga maje e malit qe e kane mesuar notin 30 vjec

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *