Kalari mungon ndaj Laçit, rrezikon edhe portieri Hoxha

redaktor

Pas fitores 3-0 në Kupën e Shqipërisë ndaj Lushnjës, Partizani vijoi dje me intensitet të lartë përgatitjet për ndeshjen e të nesërme ndaj Laçit. Optimizmi për një tjetër sukses që do të ishte i 9-ti radhazi në kampionat është i madh në kampin e kuq dhe kjo gjë dallohej qartë në fytyrat e futbollistëve. Në seancën e radhës stërvitore të cilën Partizani e zhvilloi në Kamzë, trajneri Starova e vendosi skuadrën të punonte më shumë në ushtrimet me topin, ndërsa më pas e ndau grupin e futbollistëve në dy pjesë për një ndeshje brenda familjes.

Në stërvitjen e fundit të Partizanit binte në sy mungesa e portierit Alban Hoxha, i cili për shkak të goditjes që mori në kokë në ndeshjen ndaj Teutës rrezikon seriozisht të mungojë në sfidën përballë Laçit.

E sigurt përballë kurbinasve do të jetë mungesa e mbrojtësit Renaldo Kalari, i cili pësoi një dëmtim në shpatull në takimin ndaj durrsakëve. Ndërkohë mbrojtësi Gëzim Krasniqi u stërvit normalisht me grupin dhe do të jetë gati për ndeshjen e radhës. Në seancën e fundit u stërvitën të diferencuar Mentor Mazrekaj dhe sulmuesi italian, Emanuele Morini, por për këta dy futbollistë nuk ka asgjë serioze.

Në ndeshjen brenda familjes në skuadrën e titullarëve trajneri Starova aktivizoi treshen Plaku-Sukaj-Fazliu në sulm dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe të nesër këta tre futbollistë të aktivizohen që nga minuta e parë. Ndaj skuadrës së Armando Cungut, Starova do të ketë të gatshëm edhe Asion Dajën, i cili rikthehet nga pezullimi njëjavor.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *