Aventura europiane është një shans i artë Skënderbeun jo vetëm për ti dhuruar kënaqësi tifozëve e rritur imazhin e tyre me një përfaqësim dinjitoz, por dhe për të hedhur baza të shëndosha financiare për sezonin e ardhshëm, falë përfitimeve nga Champions League.
Skuadra korçare përveç 100 milionë lekëve të vjetër që merr nga FSHF për titullin kampion, do të ketë mundësinë për të përfituar edhe 300 mijë euro për pjesëmarrjen në turin e dytë të paraeliminatoreve të Championsit.
Kaq janë tashmë të siguruara, por Skënderbeu ka plot motive për të kaluar njërën mes Crusaders apo Levadia Talin, pasi pjesëmarrja në turin e tretë paraeliminator të Championsit do t’i jepte edhe 400 mijë euro të tjera.
Natyrisht që një progres i mëtejshëm do të ishte vërtet përrallor për arkat e klubit, pasi pjesëmarrja në play – off-in e Champions League edhe nëse Skënderbeu eliminohet në këtë fazë do të përkthehej në 3 milionë euro të tjera për kampionët e Shqipërisë, çka do të përbënte një bazë të sigurt për të dominuar futbollin shqiptar edhe në vitet e ardhshëm.
Megjithatë për të qëndruar me këmbë në tokë play-off-i i Championsit është një objektiv vërtet i vështirë, gjithsesi edhe kalimi i turit të dytë për Skënderbeun, përveç 400 mijë eurove që merr për këtë arritje do t’i siguronte gjithashtu edhe rreth 230 mijë euro për pjesëmarrjen në play-off-in e Europa League.
Në këtë mënyrë kalimi i fitueses së çiftit Cruasders-Levadia në çdo rast do i garantojë Skënderbeut rreth 630 mijë euro, të cilave nëse i shtohen 300 mijë eurot që merr për pjesëmarrjen shkojnë në total në një shumë prej 930 mijë eurosh, pothuajse buxheti i plotë për të mbuluar gjithë shpenzimet e sezonit të ardhshëm.
