Vendimi i KAS-it ditën e djeshme ka ndryshuar jo vetëm renditjen e Grupit I ku ndodhet Shqipëria, por ravijëzoi edhe premisat që kanë skuadrat për kualifikim direkt apo play-off. Aktualisht Shqipëria mban vendin e dytë me 10 pikë, po aq sa Danimarka dhe në vend të parë është Portugalia që renditet me 12 pikë.
Në fund mbeten dy skuadrat më të dobëta të grupit, Serbia dhe Armenia me nga 1 pikë. Shqipëria i nis llogaritë e saj nga mundësitë për play-off. Sepse matematikisht, si Serbia, ashtu edhe Armenia, kanë shanse, edhe pse minimale. Por vetëm njëra prej tyre mund të aspirojë dhe vetëm nëse Shqipëria nuk fiton asnjë prej 4 ndeshjeve që ka në dispozicion.
Një tjetër fakt është se të 4 skuadrat e grupit kanë vetëm 3 ndeshje për të luajtur, kurse kuqezinjtë kanë 4 ndeshje për të luajtur. Serbia pret Armeninë në datën 4 shtator dhe një barazim i mundshëm mes tyre i nxjerr përfundimisht nga loja për play-off, edhe nëse Shqipëria mundet nga Danimarka. Një fitore e secilës prej tyre i mban në garë për play-off vetëm nëse Danimarka fiton me kuqezinjtë. Dy ndeshjet e fundit, si Serbia ashtu edhe Armenia, kanë përballje direkte me Shqipërinë. Kombëtarja luan shanset e saj mes 3 mundësive, kualifikimit direkt në dy vendet e para, kualifikimi direkt si skuadra e tretë më e mirë e të 9 grupeve, ose vendi i tretë që e çon në play-off. Ndërsa kjo e fundit është pothuajse e siguruar, Kombëtarja ka betejën direkte me Danimarkën dhe Portugalinë.
Më 4 shtator shkojmë në vendin nordik, teksa Portugalia është pushim. Më 7 shtator Danimarka udhëton për në Armeni, kurse Shqipëria pret Portugalinë. Këto dy ndeshje do përcaktojnë edhe mundësitë reale për dy vendet e para. Por mbi të gjitha, Portugalia pret Danimarkën më 8 tetor, teksa Shqipëria pret në Shkodër skuadrën e Serbisë. Por bileta që mund ta çojë në Europianin 2016 të Francës skuadrën tonë është ajo e ndeshjes së fundit në Armeni më 11 tetor. Danimarka ka ditën e pushimit më 11 tetor dhe do presë rezultatet e takimit tonë dhe të ndeshjes Serbi-Portugali. Nëse presupozohet se Danimarka fiton ndeshjet e radhës me Shqipërinë dhe Armeninë, atëherë shkon në 16 pikë.
Ndeshjen e fundit e ka me Portugalinë dhe i duhet patjetër të marrë pikë, pasi më tej del pushim. Portugalia nuk luan më 4 shtator, por vjen në Tiranë tre ditë më pas dhe nëse del pa pikë, komplikon situatën e grupit, pasi aktualisht ka 12 pikë. Portugalia shpreson në dy takimet e fundit me Danimarkën në ndeshje direkte dhe me Serbinë takimin e fundit. Dhe nëse presupozohet se i merr 6 pikët e fundit, atëherë shkon në 18 pikë, pa llogaritur rezultatin me Kombëtaren shqiptare. Kurse Shqipëria duhet të marrë pikë me Portugalinë më 7 shtator për të siguruar play-off, nëse mundet nga Danimarka më 4 shtator. Por dy ndeshjet e fundit presupozohet se i ka jo të vështira, ku pret Serbinë më 8 tetor dhe udhëton në Armeni më 11 tetor, dy skuadra që nuk do u duhen më pikët.
Nëse kombëtarja fiton të paktën 7 pikë në 4 ndeshjet mbetura, do të rrezikonte të linte në play-off Danimarkën. Por mbi të gjitha, përballja Portugali-Danimarkë rezulton që të jetë kyçi për fatin e Shqipërisë për kualifikimin direkt. Nëse secila prej dy skuadrave humbet, atëherë kuqezinjtë kanë shanset maksimale për një nga dy vendet e para. Barazimi në atë ndeshje duket se i bën më shumë punë vetëm danezëve. Por gjithnjë Shqipërisë i duhet me patjetër të marrë pikë të plota me Serbinë dhe Armeninë dhe të nxjerrë pikë me Portugalinë apo Danimarkën.

BENI NJE LLOGARI SHUME GABIM , SERBIA NUK KA 1 PIKE POR KA -2 PIKE PAS VENDIMIT TE CAS, DMTH SERBIA ESHTE JASHTE LOJE
Keni plotesisht te drejte Ervin. Nuk e di se pse nuk kane sy e ti bejne llogarite mbi kete baze pikesh! E cuditeshme!
Ca dmth kalkulime?