Kalorësi peligrin Arnold Von Harfi dhe mali i hënës

Leda Hysa

Nga Moikom Zeqo

Falë penës së shkathët dhe inteligjente të dijetarit holandez Dr. Stockman Hofenshtajn, në librin e tij të botuar në anglisht në Oberlin të Ohajos “The Mytology of the Mountain of the Moon” (“Mitologjia e Malit të Hënës”), në vitin 1993, kam mësuar disa hollësira të pabesueshme, që më kanë shtyrë të konstruktoj një ide për një personazh të shek. XV-të, Arnold Von Harfi, i cili ka udhëtuar në Shqipëri dhe ka lënë disa shënime të çmuara.

Pikërisht në librin e Dr. Stockman qenë përmbledhur të gjitha faktet legjendare, por të fiksuara në kronika për një lloj shpikje gjeografike, për ekzistencën e Malit të Hënës diku në Afrikën Veriore, që gjoja kishin parë shumë pelegrinë kureshtarë dhe të devotshëm.

Dr. Stockman citon në një dorëshkrim të shek. XI-të në latinisht të Anslemit të Upsalës, i pari që ka folur për çudinë e ogurëshme të Malit të Hënës.

Ai qe informuar nga disa të dhëna më të hershme të udhëtarëve hebrej dhe persianë, të cilët e kishin bërë zbulimin dhe kishin dëshmuar seriozisht për ekzistencën e Malit të Hënës.  Mali i Hënës ngrihej në mënyrë madhështore në sfondin e një shkretëtire të rrethuar nga pyjet dhe ujëvarat.

Maja e këtij mali nuk shihej nga retë, vetëm netëve mund të dallohej sesi silueta e malit prekte figurën astronomike të Hënës, madje disa symprehtë kishin mundur të dallonin edhe një lloj shkalle të ndritshme, që bashkonte Hënën me malin.

Natyrisht që Hëna bënte lëvizjen e saj ciklike, por një herë në treqind e tridhjetë e tri ditë e netë maja e malit përputhej me pozicionin e Hënës.

Një dijetar tjetër, Bertranti i Bretajës, në shek. XII-të dëshmonte akoma më seriozisht se disa njerëz kishin arritur tek Mali i Hënës dhe ishin përpjekur të ngjiteshin drejt majës, por kishin vdekur gjatë ngjitjes, ndonëse kishin udhëtuar me guxim për gjashtë muaj me rradhë.

Qe e vështirë për të arritur në majë, të paktën për të kapur fundin e imazhit të shkallës së çuditshme dhe hyjnore.

Hartografi venedikas, Gerhard Roseli , akoma më i bindur në të vërtetën, në një hartë të tij të Afrikës kishte vendosur edhe koordinatat e Malit të Hënës.

Në shekujt XIII-XV-të një numër shumë i madh pelegrinësh e kishin bërë qëllim të jetës dhe të dlirësimit nga mëkatet udhëtimin apokaliptik drejt Malit të Hënës.

Merita e padiskutueshme e Dr. Stockmanit qe grumbullimi skrupuloz dhe pasionant i të gjitha informacioneve që shumica e këtyre pelegrinëve kishin shkruar mbas kthimit të tyre nga Mali i Hënës.

Pikërisht në librin e famshëm dhe tashmë të harruar padrejtësisht të Dr. Stockmanit unë lexova i habitur dhe plot kënaqësi edhe dëshminë e Arnold Von Harfit, i cili tregonte se kishte arritur më në fund tek Mali i Hënës.  E kishte parë me sytë e tij, kishte vrarë një luan, që i kishte zënë shtegun e ngjitjes, kishte ecur për njëqind ditë e netë me rradhë  drejt majës por për shkak të vështirësisë së paimagjinueshme të lëvizjes mes shkëmbinjve, shpellave të frikshme, ishte kthyer mbrapsht si pothuaj të gjithë të tjerët.

Ai u konsiderua nga bashkëkohësit si pelegrini më i suksesshëm që e kishte parë Malin e Hënës.

Ruhen ende shkrimet fantazmagorike të Arnold Von Harfit, të udhëtimit të tij tronditës.  Shekuj më vonë u vërtetua se Arnold Von Harfi, ashtu si dhe të gjithë pelegrinët e tjerë, le t’i mbiquajmë si hënorë, kishin gënjyer pafajësisht.

Shkenca vërtetoi përfundimisht se Mali i Hënës nuk ekziston, se qe një motiv eskatologjik, një iluzion mrekullindjellës i mesjetës.

 

Po kush ishte Arnold Von Harfi?

Shqetësimi im për këtë emër lidhet me një dëshirë të papërballueshme për të shkruar diçka, një farë parabole romaneske por edhe ironike.

 

***

Shekulli XV është Skënderbeiada Shqiptare.

A mjafton sakramenti i “Formulës së Pagëzimit” të Pal Engjëllit?

A është kjo mbijetesë e krishtërimit europerëndimor, apo e kombit?

Shekulli XV është edhe shekulli i peligrinëve të krishterë. Mesjeterologu i madh Jacques le Goff thotë, se pelegrinët janë një lloj kryqëzate udhëtarësh dhe e dijes botëzbuluese, kolombase, brenda për brenda kontinenteve.

Kalorësit e krishterë u bënë edhe pelegrinë. Rangu i kalorësit qe një rang dallues i mesjetës.

Atributi i pelegrinit të kalorësit është shkëlqimi i fundit i tyre. Kemi të bëjmë me një aksiomë ekzotike dhe plot lëvizje të brendshme të një race njerëzore që lëvizte papushim.

Një kalorës i tillë pelegrin qe Arndol Von Harffi.

Ai mund të mbiquhet edhe kalorësi i shqipes.

Harffi lindi më 1471 në një familje fisnike në Rinin e Poshtëm, katër vjet pasi kish vdekur kryekalorësi shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Jetoi vetëm 34 vjeç (një vit më tepër se Krishti).

Gjashtë vjet pas kthimit në Gjermani nga pelegrinazhi. U varros në qytetin e Kelnit në janar 1505,( njëqind vjet pas lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut).

Nga Venediku, në fillim të shkurtit 1497,  ai mbërriti në Raguzë. Falë këtij trilli shtegimtar kroatët trashëgojnë një “leksion” prej 56 fjalë të skiavonishtes në dialektin kroat.

Ndoshta në mars të vitit 1497 Harffi ndaloi në Ulqin, mes një moti me shtrëngatë. Tani jemi në Ulqin. Si po ju duken 510 vjet?

Vetëm shpejtësia e mendimit e sfidon kohën e 6 shekujve. As shpejtësia e dritës jo.

Ulqini është metropol i shqipes, emri çelës për leksikonin shqip të Harffit. Pse pikërisht në Ulqin? Pse leksioni kroat i Harffit këtu nuk është i vetëmjaftueshëm për ndërlidhjet bisedimore?

Qyteti buzukjan i Ulqinit qe i tëri shqipfolës siç është dhe sot. Dokumentat historikë thonë se edhe në institucionin drejtues, të qytetit, të Komunës qytetare të Ulqinit flitej zyrtarisht gjuha shqipe. Madje në një mur në kështjellën e qytetit është dhe një dëshmi e shqipes, e fiksuar me tulla të kuqe, emri i një njeriu të rëndësishëm  në formën grafike dhe fonetike thjesht shqip. Mbishkrimi është IOHANI BOLANI – personazh historik i vitit 1460 nën shërbimin elitar venedikas. Kjo dëshmi e shqipes së shkruar nuk është përfshirë nëpër koleksionin e Shuteriqit, as nuk është analizuar nga historianët e tjerë të shkrimeve të hershme shqipe.

Ulqini e ka këtë dëshmi të shek. 15 si një emblemë parabuzukiane, 95 vjet më të vjetër. Alfabeti latin është gati si i sotmi, gati një normë ortografike e çuditshme paraprinjëse.

***

Kalorësi pelegrin Harffi s’është i vetëm, pinjoll i një race europiane lëvizëse, ëndërrimtare, utopike, ai ka qënë një nga emrat e rëndomtë të kohës. Mesjeta e ka në substancë aventurën.

Sipas një dogme të çmendur dhe surrealiste po të rrugëtohej nëpërmjet kapjes së orbitës së Hënës, gjoja mund të arrihej në Parajsë, gjoja në Afrikë qe Mali i Hënës, ku mund të shikoje Edenin, Parajsën tokësore. Arnold Von Harffi shkruan sic theksuam me siper, në dorëshkrimin e tij marramendës se kinse qe e ngjitur në Malin e Hënës dhe kishte parë Parajsën e Gjallë.

Por për kohën e tij çdo gjë ishte e besueshme. Vetë e vërteta përbëhej nga trillimi.

Në hartën anonime të vitit 1502, e quajtur Harta Kunstmann II, apo në Atlasin e vitit 1512 të Visconte Maggiolas – janë të shënuara gjithashtu me nga një vizatim grafik gjoja konturet e Malit të Hënës. Kaq bindëse qe trillimi. Pa këtë trillim s’do të kishte as pelegrinazh.

Studiuesit modernë thonë se në dorëshkrimin e Harffit ka disa pasaktësira, shumë pika gjeografike nuk vërtetohen se janë parë prej tij. Por studiues të tjerë thonë se Harffi diçka arriti, ai qe europiani i parë që vizitoi Mekën.

Harffi qe një pasthënie. Parathënia qenë pelegrinët irlandezë më 1322 Simon Simeons dhe Hygo Iluminatori, që rrugëtuan nga Venediku në Dalmaci e në Ulqin, Durrës dhe Korfuz për të shkuar në Palestinë. Ata kanë lënë dhe një libër të udhëpërshkrimit.

Në 1480 një murg gjerman, domenikani Feliks Fabri u nis nga Innsbrucku, kaloi qafën e Brennerit, Bassano, Treviso e në Venedik, në Bregun Dalmat, në tokat arbërore, si vetë Harffi, 17 vjet para tij, e nga Korfuzi vijoi drejt Lindjes.

Në 1483 Fabri bëri një pelegrinazh të dytë, sërish shkeli në tokën Arbërore. Po kush vallë i ka hulumtuar dorëshkrimet e Fabrit, ç’ka shënuar ai për Arbërinë dhe Ulqinin? Një enigmë tunduese e skajshme.

***

Harffi i takon shekullit XV,

Në 1402 Mihal Duka, kronikan bizantin flet për këngët popullore shqiptare. Në 1405 në Musse Condè të kështjellës së qytetit Chatilly, pranë Parisit ruhet një dorëshkrim numër 663, i quajtur “Bellofortis” latinisht, që ka disa rreshta, një lloj formule rituale, që sipas studjuesit Robert Elsie është në gjuhën shqipe.

Në 1416-17 Pietro Sontodorico dhe Marino Bonci, bëjnë regjistrin e Kadastrës dhe Konçesioneve për Shkodrën, plot substancë të çmuar të onomastikës shqipe.

Në 1431 bëhet Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Arbërisë, nga shqiptari i islamizuar Haxhi Zaganjozi, i biri i Mankolës. Ky shkrues shqiptar për këtë dorëshkrim të madh u shpërblye sipas urdhërit të Jovan Oglu Iskenderbegut (Gjergj Kastriotit) duke iu dhënë si timar fshatrat Thumanë dhe të Sukthit, i pari i Krujës, i dyti i Durrësit sipas dokumenteve të botuar nga Inalçiku. Ky Defter ka regjistrime korekte të emrave, toponimeve nga një njohës i shqipes, nga një njeri me gjuhën native shqipen.

Në 1480 Tommaso de Mezzo, venedikas, në komedinë e tij “Epiroti”, në skenën e 11 vë në gojën e personazhit shqiptar Damaskenit një përbetim shqip “dramburi te cloftë goglie”, “trëmbrue të kloftë ogolie” (t’u trembtë, t’u dridhtë goja) etj.

Këto dëshmi nuk e vetmojnë por e plotësojnë aktin e Harffit.

***

Harffi shtegtoi në Itali, Siri, Egjipt, Arabi, Etiopi, Nubi, (krahinë ndërmjet Detit të Kuq, Egjiptit dhe Etiopisë), Palestinë, Turqi, Francë, Spanjë.

Ditari i tij në dorëshkrim në faqet 65-66 ka 26 fjalë shqipe, 8 fraza e përshëndetje, si dhe sistemin shqip të numërimit nga 1 në 10 si dhe 100 e 1000, me koresponduese në gjermanishten e Këlnit të Poshtëm.

Kemi dy objekte hulumtimi, së pari tekstin në dorëshkrim të kronikës, së dyti lëndën gjuhësore shqip, ose në bilingue. Fiksimi kronikor flet për Ulqinin, për Durrësin “Qytet i madh, shkretuar prej turqve tani në dorë të venedikasve”, Shkodrën, “Qytet i madh, të cilin mbreti i Turqisë tani shpejt e ka pushtuar nga venedikasit”, Ishullin e Sazanit, Vlorën, Kaninën.

Për Sazanin dëshmojnë për dy paraklise të Shën Marisë e të Shën Nikollës. Si arkeolog e kam vëzhguar Sazanin, kam gjetur rrënojat e një kulle venedikase kurse parakliset janë zhdukur. Por nevojitet një ekspeditë arkeologjike e mëvetëshme në Sazan, për të gjetur gërmadhat e parakliseve të krishtera, që i ka parë me sytë e tij Harffi, madje si peligrin i krishterë është falur para afreskave të Shën Marisë dhe të Shën Nikollës.

***

Alfabeti i përdorur nga Harffi është latino-gotik.  Fjalorthi është shkruar “mbas alfabetit të gjuhës së vjetër holandeze”. Grafia  është e pasigurtë. I njëjti tingull shprehet grafikisht ndryshe. Alfabeti gotik nuk arrin të kapë grafikisht disa tinguj të shqipes si: gjë, dhë, një, që, th. Kjo pasiguri e bën të vështirë kalimin nga grafia në fonetikë.

Në frazeologji Harffi shkruan “mirenestrase-mirë neshtrashe dhe e përkthen: guden morgen – mirëmëngjes. Kuptimi i frazeologjisë është “mirë se u ndesha, u takuam”

Harffi shkruan myreprania-mirëmbrëma dhe e përkthen guden nacht – natën e mirë – një  ngatërrim përkthimi.

Fjala “shtu” – pjesëz e pohuese me kuptimin “po” e gjejmë edhe te Buzuku më 1555.

Mungon shprehja në dorëshkrim “Gruo, a mund të fle me ju?”. E ndërlidhur me emrin “Taverna” kjo shprehje plotëson kuptimin e hoteleve të tregut të kohës dhe të zakoneve, të pranisë së prostucionit në qytet. Emri i parave në “dinar” e konkretizon tablonë e qarkullimit monetar në trevat arbërore dhe të shtetit osman.

***

Harffi është nga Gjermania. Ai tashmë është i harruar edhe në Gjermani edhe në botë. Akti i tij e tejkalon vetminë ndonëse është një plotësim i vogël i informacionit europian. Por ai mund të ringjallet si emër në Ulqin, në Durrës dhe ku ka shqiptarë që janë të interesuar për shkrimet e hershme shqipe. Por ka disa akte të tjera më të mëdha sesa ai i Harffit.

Po bëj të ditur dy fakte tejet të rëndësishme të Europës për Arbërinë.

E para, në 1456, 25 vjet më parë ardhjes së Harffit në Ulqin, në Hartën e Petro Rosellit, e quajtur Harta Portollane e Mesdheut, një manuscript i pikturuar në pergamen, që përqëndrohet në Detin e Mesdheut deri në Detin e Zi, tregon tërë bregun europian deri në Danimarkë, ishujt britanikë deri tek Skotlanda Jugore, bregu veriperëndimor të Afrikës, ishujt Kanare, ishujt Azure, Hartë që përfaqëson maksimumin e njohjes gjeografike të botës, përpara zbulimit të Amerikës nga Kristofor Kolombi, janë shënuar edhe 41 emra vëndesh dhe qytetesh si dhe 41 flamuj të shteteve europiane në 1456. Në tabelën e Hartës është flamuri i Skënderbeut, në formë katërkëndëshe, me figurën e shqiponjës dykokëshe, por pa yllin e Davidit. Flamuri qe me fushë të artë dhe shqiponja qe e kuqe (si në afreskun e kishës në Rodon të Durrësit). Fakti që flamuri shqiptar i Skënderbeut përfaqësohet mes 41 flamujve më të njohur të shteteve të Europës tregon se flamuri i kombit shqiptar qe në një lloj OKB-je, dhe kjo ka qenë e ditur nga të gjithë ata që qenë të informuar për Shqipërinë dhe Skënderbeun.

Fakti i dytë: Libri “Kronika e botës” e Hartman Schedelt e vitit 1493 – 4 vjet para pikëtakimit të Harffit me Arbërinë qe botuar për herë të parë në Nurenberg të Gjermanisë, libër që Harffi ta ketë parë me sytë e tij. Ky libër ka qënë një guidë e madhe enciklopedike e kohës. Hartman Schedelt qe dijetar poligraf i madh i shekullit 15. Ai ka lindur në 1440 në Nurenberg e ka vdekur po aty në 1514. Ai ka shfrytëzuar 370 manuskripte dhe 670 libra të kohës, të lidhura me historinë, gjeografinë, gramatikën, logjikën, mjekësinë, oratorinë, retorikën dhe astronominë e filozofinë etj., të formatizuara si Studia Humanitatis. Hartman ka konsultuar edhe “Vulgatën” e Hieronimit, Diodor Sikulusin, Enea Pikolominin, etj. Te “Kronika e botës” botohen tekste për Shqipërinë, ku flitet për Gjergj Kastriot Skënderbeun, madje përfshihet në këtë libër një gravurë me ngjyra e Arbërisë, një gravurë e imagjinuar, një sintezë imagjesh ekzotike, me konture kështjellash, liman detar (i Durrësit apo i Ulqinit?) peisazh lumor, urban dhe rural. Kronika e botës në 1493 i paraprin shtysës së aventurës së Harffit. Pse? Hartmani bën një kronologji të çuditshme: Mosha e Parë e botës lidhet me krijimin e saj deri në përmbytjen e Noes, Mosha e Dytë është mbas Përmbytjes së Noes deri në lindjen e Profetit Abraham, Mosha e Tretë skajizohet nga Abrahami deri në mbretërinë e Davidit, Mosha e katërt nga Davidi deri në rënien e Babilonisë, Mosha e Pestë nga rënia e Babilonisë deri në lindjen e Krishtit, Mosha e Gjashtë nga lindja e Krishtit deri në 1493, sipas Hartmanit Mosha e Shtatë fillon mbas vitit 1493 deri në ardhjen e Antikrishtit, me Fundin e Botës deri tek Gjyqi i Fundit. Ky lajm ndikoi në tërë psikologjinë europiane. Ja sekreti psikologjik e teologjiko apokaliptik i udhëtimit të Kalorësit të Krishterë Arnold Von Harffi. Me mijëra europianë si ai nga Gjermania, nga Franca, nga Britania, nga Skandinavia, nga Italia, duke qenë të bindur se shumë shpejt do të vinte Antikrishti, shpejtuan të shkonin drejt Palestinës për të parë vendin e kryqëzimit të Jezu Krishtit që kështu në Gjyqin e Fundit t’u faleshin mëkatet.

Në Gjyqin e Fundit shqiptarët do ta nderojnë dhe do ta vlerësojnë Harffin. Për këtë jam krejt i sigurtë.

***

Gjuha e Fjalorthit të Harffit është shqipja gegërishte, madje një shije paraprijëse e Buzukut, i cili përdor dhe ai alfabetin latino-gotik. Harffi përdor emrin Krisht, sepse vetëm në 1571 Ulqini u pushtua nga osmanët.

Në Kishën e Shën Marisë në kështjellë, sipas Konstantin Jeriçekut ka qënë deri në vitin 1200 një ikonë e mrekullueshme e Shën Marisë e pikturuar nga Shën Luka.

Në Ulqin ai ka ndalur dhe është falur te kjo kishë dhe mbase e ka parë me sytë e tij këtë ikonë. Harffi përdor formën oie, për fjalën ujë. Meqenëse jemi te kjo fjalë jashtëzakonisht e rëndësishme dua të bëj publikisht për herë të parë një ekuacion ndryshe, krejt ndryshe të zbërthimit etimologjik të emrit të Ulqinit. Zotëron gati si tabu teza se emri i Ulqinit lidhet me emrin e Ujkut, pra Qytet i Ujkut. Kjo është e pabesueshme në konceptimit fillestar të toponimit, nuk ka asnjë arsye për një vend detar të përdoret si toponim emri i një kafshe si ujku, që këtu gati nuk ekziston. Ujku si simbol i Heraldikës, është i vetëkuptueshëm në mesjetë, sepse Heraldika ka gjithmonë simbole zoologjike. Por në asnjë mënyrë nuk mund të themi që emri tejet i lashtë i Ulqinit të jetë ftillëzuar nga emri i Ujkut. Për mendimin tim emri i Ulqinit lidhet me emrin e Ujit, ka kuptimin vend i ujërave, Ujishtë, për këtë ekuacion më vjen në ndihmë edhe emri i lumit të madh të Bunës, që është formësuar në një fazë të dytë, prej fazës më të hershme Bujana. Pra Bujana është bërë Buna. Ku gërma j ka rënë. Afërsia tepër e madhe e Ulqinit me Bunën shpreh të njëjtën origjinë të emërtimit të këtyre dy emrave tepër të rëndësishëm.

Harffi ka lënë shënime për gjuhët kroatisht, greqisht, arabisht, hebraisht, turqisht, hungarisht, baskisht, bretonisht dhe shqip. Për hir të së vërtetës ai nuk ka qenë njohës i thekur i gjuhëve. Kultura e tij filologjike qe mesatare.

Ai dëshmon se si me disa fjalorthe të vogla dygjuhëshe mund të lëvizte raca e fandaksur dhe e çuditshme e pelegrinëve në shekullin XV. Me rastin e Fjalorthit të Shqipes mbetet mister “i treti”, domethënë njeriu që ndërmjetësoi mes gjuhës native të Harffit dhe shqiptarëve. Ky ndërmjetës, ka ditur një gjuhë që duhet ta ketë njohur dhe Harffi. Unë supozoj italishten venedikase që njihej në Ulqin. Kjo është aryesja që nuk ka një fjalorth italisht në dorëshkrimin e Harffit. Si janë bërë bisedat, ç’intimitet kanë patur këto biseda, ne sot mbas 6 shekujsh nuk mund t’i imagjinojmë. Në nëntë fjalorthat e gjuhëve të ndryshme të europës Azisë dhe Afrikës, që dhe Fjalorthi i Shqipes dhe kjo nuk është aspak një rastësi. Kronika e shkurtër, lakonike e Harffit është një pikë e vogël reference e historisë politike të ardhurve, të qyteteve të tyre mes Venedikut dhe shtetit osman.

Kemi bërë hulumtime po deri më sot nuk e kemi gjetur një portret grafik të Arnold Von Harffit.

Padyshim që ai ka patur një shpirt të hatashëm guximi, aventura qe në gjakun e tij, besonte sinqerisht në të gjitha vizionet apokaliptike të kohës. Takimi i tij me gjuhën shqipe dhe Arbërinë, ka qënë nga ato takime misterioze të cilat për shkak të mungesës së rëndësisë në kohën e tij, shumëfishojnë një rëndësi tepër të madhe mbas disa shekujsh. Nga kjo pikëpamje emri i Arnold Von Harffit nuk ka për t’u harruar kurre.(Ulqin 2007)

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *