Kalvari i dialogut Kosovë-Serbi

J L

Pajtim Bello

 

Në 12 Shkurt 2008, kur Kosova shpalli Deklaratën e Pavarësisë dhe prej këtu filloi era e luftës së ftohtë Kosovë-Serbi. Për një periudhë gati katër vjeçare të dy palët fuqizonin llogoret e luftës. Serbia duke mos pranuar një Kosovë të pavarur ka kryer lloj lloj aktesh provokative për të penguar njohjen e Kosovës së Pavarur ndërkohë që Kosova është përpjekur të shtrijë njohjen e sajë dhe të fuqizohet si shteti më i ri  në Europë. Në të dy palët ushqehej ideja e armiqësisë dhe e urrejtjes duke mos e afruar idenë se do të vijë një ditë që të ulen në tavolinë për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të njohur reciprokisht njeri tjetrin, kjo deri kur në Tetor të vitit 2012 kryeministrat e të dy vendeve u takuan në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE. Prej këtu nis era e dialogut që përfaqëson një kalvar të mundimshëm e të pabarabartë për Kosovën.

Në një histori dialogjesh mbi 8 vjeçare ka arritje por unë e shikoj periudhën nga këndvështrimi i qëndrimit që mban arbitri/ndërmjetësi në këtë histori. Duke e falënderuar Europën për nismën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, më duhet të them se nuk është ulur në karrigen e paanësisë, nuk ushtron rolin e arbitrit korrekt e të rreptë. Vetë BE manifeston flegmatizën dhe mungesë vendosmërie për të arritur rezultatin final dhe rrezikon që era e dialogut të jetë mjaftë e gjatë dhe ndoshta mund të rezultojë me një dështim!.. BE mjaftohet t’iu kujtojë palëve dhe veçanërisht Serbisë se njohja reciproke është kusht për anëtarësimin në BE apo Kosovës heqjen e regjimit të vizave!.. Në kushtet e vendosur duket qartë se BE iu ka vendosur palëve kushte jo të barabarta. Serbisë i kushtëzohet hyrja në BE kurse Kosovës heqja regjimin e vizave; pra palëve iu kanë vendosur steka të ndryshme!… Por a mjafton ky kusht dhe vetë Serbia a e ka shumë problem anëtarësimin në BE?! Duket sikur Serbia është e kënaqur ta dëgjojë këtë refren dhe të bëjë sikur është e “djegur” në shpirt që të hyjë në BE një orë e më parë. Kjo është mënyra më e mirë që Serbia të shtyjë mos njohjen e Kosovës dhe sipas mendjes së qarqeve shoviniste serbe ta kthejnë Kosovën nën Serbi.

Koha e gjatë që harxhohet me dialog e mbart me vete këtë rrezik. Duke kaluar shumë kohë, në opinionin europian dhe atë botëror Kosova nga viktimë, gradualisht po profilizohet edhe si agresore; kjo falë përpjekjeve kolosale të qeverisë dhe qarqeve shoviniste serbe. Një makineri balte po mundohet të inkriminojë luftën çlirimtare, vetë UÇK dhe komandantët e sajë. Po gjatë kësaj zvarritjeje një numër i vogël shtetesh kanë tërhequr njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe procesi i njohjes së sajë pothuajse është i frenuar. Dhe për të gjithë çfarë ndodh në regresin e procesit, përveç përgjegjësisë së pa kundërshtueshme të klasës politike në Kosovë, një faj të dukshëm ka politika e BE. Flegmatizmi I BE dhe mbase marrja përsipër e barrëve që nuk mund ti çojë dot në destinacion janë pa dyshim një rrezik i madh për dështimin e procesit të dialogut. Në mënyrë se si sillet BE ky proces do të vazhdojë shumë gjatë, deri sa të shkojë në dështim. Nëse BE synon të arrijë suksesin, njohjen reciproke të shteteve, procesin duhet ta ndërtojë mbi realitetin historik, duke I veshur secilës palë kostumin që i takon. Kur them mbi realitetin historik kam ndërmend historinë e para afro 150 viteve, kohe kjo kur Shqipërisë dhe shqiptarëve iu janë bërë padrejtësi të mëdha.

Dihet se Rusia dhe Turqia në 3 Mars 1878 në Shën Stefan i copëtuan trojet shqiptare dhe vendet europiane e çertifikuam këtë pa drejtësi në Kongresin e Berlinit 13 qershor-13korrik të po atij viti!.. Nëse vendet e BE pranojnë se ka patur një padrejtësi historike dhe se ajo duhet korrigjuar vetëm atëherë procesi i negocimit do të bjerë në shtratin e historisë së vërtetë. Kjo duhet t’i bëhet e qartë Serbisë, asaj nuk i këkrohet të bëjë lëshime por të mbledhë këmbët brenda jorganit që i takon. Pa dyshim se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Serbinë, por për Rusinë dhe kjo duhet thënë hapur.

Çështja shtrohet nëse Europa është e zonja dhe e vendosur ta “kapërcejë” Rusinë për të patur sukses ne këtë negociim?! Është momenti ku diplomacia europiane nuk duhet të luaj kukamfshefti sipas traditës së sajë, por të zhvishet nga interesat e nëndheshme me Rusinë, nga lidhjet dhe nostalgjitë e kabineteve perandorake që gatuan Padrejtësinë Historike ndaj shqiptarëve. Është një kohë e re dhe shqiptarët kanë pranuar të luajnë sipas kësaj rregullave të kësaj kohe. Kush do të pranonte që një popull të ndahej në dy shtete siç ndodhi me shqiptarët dhe që ne e pranuam?! E pranuam për hyr të frymës europiane dhe me besimin ndaj Eurpës, duke kujtuar se zhvillimet do të vinin nën këtë frymë dhe besim. Por duke parë se po kalojnë shumë vite dhe Kosova nuk po njihet si shtet i pa varur natyrisht që lindin dyshime. I takon vetë BE t’i davarisi dyshimet dhe të rindërtojë procesin mbi raporte të drejta dhe mbi reflektimin ndaj ngjarjeve historike që kanë krijuar padrejtësinë. Pra Europa duhet të provojë se është në gjendje të vendosi drejtësi dhe për këtë e autoritetin e plotë dhe jo të luajë me sytë e drejtuar nga Rusia. Rusia e kreu krimin ne 3 mars 1878 në Shën Stefan kur gjunjëzoi Perandorinë Osmane dhe ajo nuk tërhiqet nga interesat strategjike qe ka synuar atëherë. Nëse Europa pret këtë, atëherë na ka marrë në qafë!.. Koha e afërt pret reflektim nga BE dhe do të vërtetojë ku është ulur ajo!..

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *