“Përjetë bashkë në të mirë e në të keq”. Kjo është fjalia mbi të cilën çiftet betohen para zyrës së gjendjes civile, por vjen një moment kur edhe kjo thënie e humb “shkëlqimin” e saj gjatë viteve. Në këta 11 muaj, në Gjykatën e Tiranës ka pasur 1 600 kërkesa për divorc. Këto ditë po flitet shumë për dhunën në familje e sidomos për dhunën ndaj grave. Shpesh ky problem e çon në divorc një çift.
Çdo vit e më shumë rritet numri i personave, të cilët drejtohen në dyert e gjykatës për t’i dhënë fund ligjërisht kurorës së tyre martesore. Paditë civile me objekt: “zgjidhje martese”, që vijnë e regjistrohen pranë sekretarisë së organit gjykues janë gjithmonë e më të shumta. Ishte menduar se ata që ngrinin padinë në më të shumtën e rasteve ishin meshkujt, por jo, janë femrat ato që marrin guximin për t’i dhënë “duart” bashkëshortit e kjo për një sërë arsyesh. Po t’u hedhësh një sy këtyre çështjeve, të gjitha fillojnë me “Janë lidhur me njohjen dhe pëlqimin e tyre reciprok, pasi kanë kaluar x vite martesë në çift kanë filluar grindjet dhe mosmarrëveshjet…”. Në statistikat e marra nga ky organ, vihet re se është rritur shumë mosha e personave që ndahen, që do të thotë se nuk divorcohen vetëm ata që kanë pak vite martesë, por edhe ata që kanë mbi 20 vjet. Duket sikur ka ardhur momenti i dorëzimit. Edhe durimi e ka një kufi. Në këtë situatë, ne kërkuam të flisnim me një psikologe që punon në gjykatë dhe që i njeh nga afër çështjet e divorcit duke u qëndruar afër atyre, por mbi të gjitha fëmijëve të çifteve të divorcuara. Janë pikërisht këta të fundit, që dalin më të dëmtuarit nga kjo situatë. Arlinda Selmani është psikologe këshillimi. Duke qenë e kujdesshme për t’i qëndruar korrekte respektimit të privatësisë së çifteve, Selmani na ka shpjeguar çfarë ndodh me divorcin sot. Arsyet dhe mbi të gjitha si e përjetojnë fëmijët. Për të duket se në fund të fundit divorci është një çlirim i madh: Një familje është vërtet në krizë nëse ia heq dhe mundësinë e ndarjes. Më poshtë një bisedë me psikologen, që pjesën më të madhe të ditës e kalon brenda mureve të gjykatës.
Arlinda, flitet shpesh për divorcet dhe gjithmonë e më shumë raportohen shifra të larta ndarjesh në çift, ju që jeni çdo ditë në kontakt me këto çështje, ç’mund të na thoni për gjendjen e familjes sot…?
Personalisht nuk i përkas ndjekjes së rrjedhimeve të tipit se “meqenëse ka një numër në rritje të divorceve, atëherë familja është në krizë”. Përkundrazi, duhet të pranojmë faktin se divorci është një proces civil dhe si i tillë duhet të trajtohet. Për fat të keq, në Shqipëri ende stigmatizohet. Unë mendoj që familja do të ishte më në krizë, nëse problemeve që mund të lindin në çift do t’u mohohej si një zgjidhje e fundit divorci. Imagjinoni një çift, i cili në procesin e lidhjes së tyre i duhet të përballet me probleme që as nuk mund të parashikoheshin kur nisën të rrinin bashkë, pa rrugëdaljen, edhe pse dramatike, të divorcit. S’e kam aspak të vështirë në një rast të tillë të parafytyroj se kush do të ishte një shtjellim i mundshëm më tej: nga dramatikja tek tragjikja. Në një shoqëri ku divorci është i paragjykuar, stigmatizuar madje gati-gati i ndaluar, mungojnë rrjedhimisht dhe instrumentet përmes të cilave do mund të kuptonim nga brenda se sa të shëndetshme janë martesat dhe familjet. Prandaj krahasimi me periudhën para viteve ‘90 dhe dalja në konkluzionin se atëherë familja ka qenë më e shëndetshme dhe sot ajo është në krizë “sepse shkon shpesh drejt divorcit” është një krahasim jo objektiv. Është jo objektiv sepse nuk ka bazë krahasimore, në terma cilësore. Divorci në vetvete është një proces dhe si i tillë ai kuptohet vetëm cilësisht. Statistikat apo krahasimet sasiore nuk na hyjnë në punë kur ndërtojmë pohime të tipit “familja është në krizë”…
Sepse ky pohim është në thelb një pohim cilësor dhe jo sasior. Vetëm në momentin që problemi shfaqet, ne mundemi të flasim edhe për shkaqet. Dhe në kohën para viteve ’90, problemi ka qenë praktikisht jo prezent, ai tentohej të mbulohej, të kamuflohej, të anashkalohej. E pamundur në këtë pikë të thuhet se përmes këtyre formave të shmangies, problemet brenda familjes nuk kanë qenë, apo s’kanë mbetur të pazgjidhura pavarësisht formës së jashtme që për kohën kishte shumë rëndësi, “Martesa duhet të vijonte në sytë e shoqërisë që të vëzhgonte”. Sot ne habitemi që edhe pse shoqëria na vëzhgon, numri i divorceve vijon e rritet, dhe nuk ngurrojmë të themi se familja na qenka në krizë, për shkak të divorcit, në fakt unë do të thoja: Po, familja është vërtet në krizë nëse i heq dhe mundësinë e divorcit.
Sipas jush, cilat janë shkaqet reale të divorceve?
Nëse do më duhej të rendisja, atëherë në krye të listës do vendosja vështirësitë ekonomike. Janë këto vështirësi që në shumicën e rasteve bëhen shkak për divorc. Një i papunë është i izoluar nga shoqëria, është i frustruar, i stresuar dhe gjithë këtë energji e shkarkon në familje në formë grindjesh, fyerjesh e deri keqtrajtimesh. Në media janë evidentuar pafund raste të dhunës në familje deri dhe në forma tragjike, prandaj ashtu sikurse përmenda më lart, divorci sot nuk duhet paragjykuar si shkak i një familjeje në krizë.

Përgjithësisht zgjedhin t’i japin fund që në vitet e para të martesës, apo mund të na tregoni edhe raste kur çifte mund të ketë kaluar më shumë se dy dekada bashkë?
Ka dhe raste kur çiftet kanë kaluar më shumë se dy dekada bashkë. Në të tilla raste, divorci ndodh për shkaqe vërtet madhore. Ajo çfarë vërej gjatë punës sime është fakti se në të tilla raste, divorci ndodh për shkak të dhunës fizike, për shkak të keqtrajtimeve dhe në raste të tilla çifti ose më saktë njëra palë në proces, e shikon të pamundur bashkëjetesën në çift dhe prandaj i drejtohet gjykatës. Për fat të keq, nuk para dëgjoj fraza të tipit “më dhunon psikologjikisht”. Në të tilla raste dhuna psikologjike as nuk perceptohet si e tillë, përkundrazi dëgjoj fraza të tipit “kam duruar 20 vjet për të mos prishur familjen”.
Ka më shumë ndarje në familjet me fëmijë apo pa fëmijë?
Prezenca e psikologut në gjykatë është vetëm në ndarjet ku ka fëmijë, sepse në të tilla raste përcaktohet interesi më i lartë i të miturit. Pastaj duhet të pranojmë faktin se divorci merr kuptim si i tillë vetëm kur ka fëmijë, sepse në ndarjet kur s’ka fëmijë procesi është më civil në kuptimin që çifti e pranon ndarjen dhe është më i prirur të mos krijojë probleme. Por më duhet të pranoj se numri i divorceve në familjet që kanë fëmijë, është vërtet në rritje.
Si e përjetojnë fëmijët divorcin dhe cila është situata më e sikletshme ku jeni ndodhur gjatë punës suaj, një situatë që ka pasur në mes edhe një fëmijë?
Është më kompleks korrelacioni midis divorcit dhe fëmijëve. Ka dy pyetje që në raport me njëra-tjetrën janë tezë dhe antitezë. Pyetja e parë është: A rritet më mirë një fëmijë në një familje si spektator i krizës emocionale mes prindërve? Apo më mirë pa njërin nga prindërit, por gjithsesi në një mjedis të kthjellët emocional?
Për fat të keq, çiftet nuk ia bëjnë këto pyetje vetes, sepse në shumicën e rasteve i bëjnë fëmijët spektatorë të krizave të tyre për vite me radhë, me arsyetimin se s’duan të prishin familjen….që në fakt personalisht nuk e kuptoj se ku qëndron familja në tilla raste, dhe a ekziston familja në të tilla raste. Dhe së dyti, çiftet ku divorci është armiqësor, e konsiderojnë edhe fëmijën si “trofe” të një procesi gjyqësor. I kundërvënë fëmijët ndaj njëri-tjetri si të ishin në një luftë duke menduar pak ose aspak për fëmijën dhe interesat e tyre. Janë të rralla rastet kur prindërit në mënyrë civile zgjidhin faktin se me kë do rrijë fëmija, pasi në shumicën e rasteve marrja e përgjegjësisë prindërore shihet si një luftë. Për fat të keq më duhet të them se tërë kjo energji negative shkarkohet tek fëmija. Fëmijët janë ata që shfaqin hapur ndjenja të fuqishme dëshpërimi, agresiviteti, zemërimi dhe frike. Shpesh herë ata ndihen fajtorë dhe të pafuqishëm për ndarjen e prindërve të tyre. Në disa raste, ata fajësojnë veten për ndarjen e tyre. Vlen për t’u theksuar se në ato momente që ndodh procesi i ndarjes dhe ndjenjat e fëmijës injorohen totalisht, pa tentuar që të shpjegohen shkaqet e këtij divorci, këta fëmijë do të shfaqin probleme të dukshme në shkollë dhe shoqëri të reflektuar në sjellje, komunikim, bashkëpunim me bashkëmoshatarët si edhe do të përfshihen në vetëvlerësime dhe imazhe të ulëta mbi veten e tyre. Një nga problemet më të dukshme tek ta është se në të ardhmen shfaqin devijanca të ndryshme në komunikim me prindërit e tyre, por edhe në marrëdhëniet intime ku ata përfshihen.
Por janë fëmijë shumë inteligjentë, mbase për shkak të problemeve në shumë raste rriten para kohe. Raste të vështira dhe të sikletshme ka pafund, sidomos kur fëmijët janë një moshë delikate, 4-5 vjeç do theksoja. Është një moshë që kupton dhe që duhet patur kujdes në mënyrën si komunikon me ta. Megjithatë, prindërit nëse do ishin më pak “egoistë” dhe në procesin e divorcit atëherë mendoj se fëmijët do të mund ta kapërcenin këtë stad në të cilin gjenden jo për fajin e tyre.
Kur ka probleme në çift sipas jush, është më mirë të divorcohesh apo jo?
Një familje është vërtet në krizë nëse ia heq dhe mundësinë e divorcit. Duhet ta pranojmë që, kur një marrëdhënie është në krizë atëherë është më mirë jo vetëm për çiftin, por dhe fëmijët që kjo krizë të mos thellohet. Divorci duhet parë si një proces civil. Askush nuk mund të qëndrojë në një marrëdhënie ku dëmtohet mirëqenia fizike dhe emocionale. Më mirë një fund dramatik për një marrëdhënie se një fund tragjik, që për fat të keq mjafton të shohësh kronikat e lajmeve për të kuptuar se funde të tilla tragjike nuk i mungojnë shoqërisë sonë.
Dimë që fëmijët zgjedhin më shpesh të shkojnë me të ëmën, por në cilat raste gjykata vendos që fëmija të qëndrojë me babanë?
Gjithmonë shihet interesi më i lartë i fëmijës, edhe në rastet kur gjykata vendos që fëmija të qëndrojë me babanë. Por më duhet të theksoj se vendime të tilla sipas Kodit të Familjes janë vendime të ndryshueshme në çdo kohë me ndryshimin e rrethanave.
E kërkojnë më shumë femrat divorcin sot apo meshkujt?
Në shumicën e rasteve janë femrat, ato që kërkojnë divorcin, dhe kjo për një sërë arsyesh. Duhet ta pranojmë faktin se dhuna ndaj gruas në Shqipëri është prezente. Dhe shumica e këtyre grave tashmë edhe nga zonat rurale, kanë filluar të vendosin për jetën e tyre, duke i dhënë fund një marrëdhënieje dhunuese dhe ky guxim nga ana e tyre duhet mbështetur nga shoqëria. Askush nuk duhet të qëndrojë në një marrëdhënie dhunuese në kuptimin fizik dhe emocional.
Pasojat
Divorci dëmton shëndetin
Jo vetëm divorci, por edhe ndarja mes dy njerëzve në një marrëdhënie, lë pasoja të rënda. Një proces që shoqërohet me ndryshime në gjendjen emocionale. Edhe shëndeti përkeqësohet. Bie imuniteti dhe ka më shumë mundësi që të prekeni nga sëmundje, si gripi apo alergjitë. Studime të ndryshme kanë treguar se stresi i shkaktuar nga ndarjet mes çifteve, nxit konsumim të ushqimit jo të shëndetshëm. Rrjedhimisht, shkaktohet shtim i nivelit të kortizolit. Ky hormon i stresit, ndikon në çdo qelizë të trupit tonë. Të gjitha këto janë pasojë e gjendjeve depresive, vetmisë dhe izolimit social, shpjegon psikologia Bora Bektashaj. Një fillim i ri. Ky është çelësi për ta menduar jetën si një vijë të pandërprerë dhe për ta kaluar këtë humbje. Në fakt, çdo gjë mund të ketë ndryshuar, por nuk ka përfunduar. Çfarë mund të bëni? Sfidat nuk janë gjithnjë të pakapërcyeshme. Ndaj mundohuni të shfrytëzoni mundësitë dhe lirinë e munguar.


Absolutisht dakort me psikologen. Kam eksperiencen time personale. Femijet jane ato vuajne dhe rriten me pasoja por dhe vete cifti vuan dhe mallkon veten cdo dite cdo dite pse jam akoma me kete burre ??????Dhe vazhdon te gelltise e te shikoje me syte e tyre vuatjet dhe dhimbjen e femijeve. Vitet kalojne dhe mendon qe bravo ia arrita te mbaj familjen bashke dhe femijet u rriten me nene e babe. Por femija nuk harron do te jete kembana jote mbi koke qe do ta trokasin dhe ne menyre te vazhdueshme do te te akuzojne perse nuk u ndate vite me pare . jeta jone ka qene nje ferr do te te thone dhe ti nuk mund te thuash asgje vetem te mallkosh veten dhe fatin. Edhe nese pas 20 vjetesh e ca vendos ta lesh burrin dhe te ikesh pa pare me se cfare le prapa eshte e rende shume e rende me pasoja qe as hasmit nuk do t’ia uroja. Kur them pasoja dua te them shpirterore, psikologjike edhe financiare por jo aq sa ajo morale. Depresioni te shkaterron ,perdite pyet veten pse nuk e bera kohe kohe me pare do kisha shpetuar veten,femijet por edhe per bashkeshortin do te kish qene me mire. Do te thosha nuk ka te beje as se ku jeton dhe se as ku je rritur cdo gje eshte brenda teje sa e forte dhe e mencur je per te perballuar divorcin.
Por qar e forte dhe e mencur , ne USA divorcohen nga 10-dhjete here dhe prape se kane probleme.