Vjedhjet dhe dëmtimet që kanë ndodhur kohët e fundit në disa objekte kulti kanë bërë që institucionet përkatëse të mendojnë për ruajtjen e tyre me anë të teknologjisë. Drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe, thotë për GSH se ka një projekt për vendosjen e 35 kamerave të sigurisë në disa kisha ku gjenden afreske të piktorëve të njohur.
“Është zona e Korçës, Lushnjes, Sarandës, Elbasanit. Pikturat që janë më me vlerë janë të Onufrit, Kostandin Shpataraku etj”, thotë Baçe.
Gjitashtu, sipas Baçes, projekti parashikon edhe rikthimin e mbikëqyrësve, ndërsa vlera e gjithë investimit mund të shkojë rreth 100 mijë dollarë, një shumë për të cilën do të kërkohen donatorë ose do t’i kërkohet qeverisë. Projekti mund të finalizohet brenda dy muajve në vijim.