Bedri Islami: Gabimi i Vettingut në maskarallëkun e drejtësisë dhe dalldia e Presidentit

Ornela

Bedri Islami

Ditët e fundit të majit do të jenë, si duket, më “të nxehta” se sa zakonisht. Ndryshe nga herët e tjera, “i nxehti” përvëlues vjen nga përtej Atlantikut, nga Departamenti i Shtetit, dhe po trondit klasën politike shqiptare, e cila, e vënë mes zjarrit, ashtu si merimangat, kërkon ende rrugët e kalimit të gjendjes për të qenë përsëri pushtetarja e përhershme dhe e pandëshkuara e vazhdueshme.

Pas “premierës” së shembjes së teatrit dhe daljes së Aleancës për Mbrojtjen e tij nga lëvozhga artistike, për të qenë një partner politik, si duket kësaj here nga Presidenca, pasi kishin bërë provën e përgjithshme më 2 mars; protestave të vakëta në kohë pandemie, revoltës së padukshme të një grupimi të ri politik, i ngazëllyer që theu një gardh dhe iu turr një mjeku të nderuar, politika shqiptare u gjend para një vorbulle të re, e cila, edhe pse u duk në fillim si pasgoditje e zakonshme, tani po saktëson se gjërat nuk mund të doroviten më si sende luksi mes pushtetit, opozitës dhe presidentit.

Tre zjarre u ndezën menjëherë!

1.

Ambasadorja e re amerikane, Yuri Kim, pikërisht kur të gjithë menduan se i gjithë fokusimi do të ishte tek teatri, dukej një inskenim i bukur gjithëpalësh për të tërhequr “kuajt e betejës” në një drejtim tjetër, bëri goditjen e parë: Reforma në Drejtësi. Përmes një pikëpyetjeje shumë domethënëse dhe tronditëse njëkohësisht ajo ngriti çështjen e dyshuar nga shumë të tjerë: Kush kërkon të vendosë rrota në Reformën në sistemin e Drejtësisë?

Mesazhi ishte i qartë dhe kishte qenë në kohën e duhur: të gjithë aktorët politikë, si të zënë me presh në duar (nuk na ndahet politika e preshit), u përbetuan se zonja Kim nuk e kishte pasur me të, por me dy të tjerët. U përbetua shefi i presidencës, që në fakt ka vite që kërkon të hakmerret për atë natë kur, i vënë në mengenenë e një ambasadori tjetër amerikan, u detyrua të ngrejë dorën dhe kartonin, por që më pas thirri në përleshje ish-kryeprokurorin e përgjithshëm për të bërë kamikazin e drejtësisë; u përbetua shefi i opozitës, megjithëse ka ende aq shumë probleme të hapura me drejtësinë, disa nga të cilat i ka kaluar me procedurë; u përbetua shefi i qeverisë, megjithëse mendohet se SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit mund të nisë punën e saj pikërisht nga ish ministrat dhe ministrat e tij. Në fund, megjithëse zë i dytë në passkenë të politikës shqiptare, hungëroi diçka edhe Berisha, që bëri thirrje për të njëmijtën herë në këto shtatë vite, për revoltë mbarë popullore dhe shkoi të flerë i qetë në vilën buzë detit në Gjirin e Lalzit.

Të gjithë u përbetuan, megjithëse të gjithë ishin bashkëfajtorë. Askush nuk e do fajin. Si thonin të vjetrit, “faji u bë qyrk e nuk e veshi njeri”, e jo ta duan tani, kur ndëshkimi mund të jetë i bujshëm, aq sa është i pritshëm.

Reforma në Drejtësi, që prej disa vitesh është kryefjala e politikës sonë. Rreth gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë kaluar përmes Vetingut, janë larguar nga sistemi. Më shumë se 90 për qind e tyre kanë ikur nga harbutëria në korrupsionin e tyre dhe thuajse të gjithë kanë zgjedhje politike. Prej tyre ka pasur kamikazë të drejtësisë, favorizues të skajshëm, të pangopur harbutë.

Vetingu përmbysi Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe bëri gabimin e tij në nisje: ai nuk filloi nga emrat e njohur në maskarallëkun e drejtësisë, nga ata që njiheshin me gisht si përfitues, të përfshirë jo vetëm emocionalisht në politikë, por masha të saj… ai nisi përmes një liste, që i dha kohë të tjerëve, të cilët e dinin se do të flakeshin jashtë që, në këto vite, të bënin kërdinë.

Reforma në Drejtësi, të cilën desh e përmbysi presidenti i vendit përmes një programi 14 pikësh, ku eliminohej parlamenti, dhe strukturat e tjera bëheshin të panjohura, është proces i pakthyeshëm.

Tani presidenti ka gjetur “armiqtë” ndërkombëtarë dhe po bëhet gati për betejën e radhës; shefi i opozitës do të ulë fjalët e mëdha dhe do të presë verdiktin, ndërsa shefi i qeverisë do të bëjë llogaritë se çfarë përfiton dhe çfarë humb prej ritmit më të lartë.

Të gjithë, rishtas, do të bëjnë çmos të ngadalësojnë procesin.

Tani, si ishte paralajmëruar, mori forcë tjetër dhe do të ketë ritëm të ndryshuar.

2.

Reforma zgjedhore është loja e vjetër e zig-zakut politik të partive të mëdha. Kanë bërë si kanë dashur dhe kanë vendosur kur kanë dashur. Një lëmsh i vazhdueshëm, i cili e kishte vënë politikën mbi sistemin dhe e ka bërë procesin më tepër të vështirë se sa kishte qenë në të vërtetë. Kjo lojë po vazhdonte edhe m tej, sidomos në ditët e fundit, kur gjithçka mendohej të përmbyllej deri në fundin e muajit maj.

Në fakt, si dukeshin bathët, nuk mund të mbyllej as në majin e vitit të ardhshëm dhe mund të kishim përsëri zgjedhje një duarshe për shefin e qeverisë dhe alibi për humbjen e shefit të  opozitës.

Yuri Kim, ndoshta m shpejt se të tjerët, por edhe duke pasur para vetes një mori trajtimesh nga paraardhësit e saj, e di fare mirë se kjo është një lojë shqiptare, që mund të quhet edhe “kala dibrançe”, pasi secili, edhe në këtë proces, kërkon të tërheqë nga vetja.

Ambasadorja amerikane ka vendosur dy pika mbi të njëjtën “i”: Jemi përqendruar për të vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Në veçanti për rëndësinë e rolit të udhëheqësve politikë për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, ashtu siç kanë premtuar për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda 31 majit. Ky nuk është afat i vendosur nga SHBA, apo nga ndonjë faktor tjetër ndërkombëtar. Ky është afati i vendosur prej atyre vetë”.

Prishja e sistemit ka nisur 12 vite më parë, kur partitë e mëdha bënë paktin famëkeq për të sunduar të vetme dhe pasojat do të ndjehen edhe më tej. Të gjitha diskutimet mbi llojin e sistemit zgjedhor nuk do të kenë forcë të ndikojnë nëse nuk vendoset kontrolli i rreptë financiar dhe kjo duhet parashkruar në Kushtetutë, në mënyrë që të bëhet nga një strukturë e veçantë, e specializuar, jashtë politikës, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Po ndoqe paranë, i ke gjetur të gjitha.

Edhe himnizimi që i bëhet listave të hapura është një alibi për të shtrembëruar rrjedhën normale. Në listat e hapura, po qe se nuk ka numërim elektronik, ligje të rrepta ndëshkuese për falsifikim dhe penalitete të menjëhershme, janë të njëjta me të gjitha devijimet e deritanishme. Aty do të vendosin numëruesit e jo votuesit. Një shembull: në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, me lista të hapura, u vu re devijimi i ndjeshëm i votave, që nga shtimi i tyre tek liderët e partive, dhe ishin mijëra e dhjetëra mijra vota të shtuara, deri tek ndryshimi i të votuarit.

Këshilli Politik ka para vetes mospajtime të mëdha, që nga qeveria kujdestare tre mujore e kërkuar nga opozita, një gjysmë provë u bë në vitin 2017, deri tek përfshirja e SPAK në hetimin e krimit zgjedhor, që nga sistemet e hedhura në tryezë si më të përshtatshme dhe deri tek harresa për votën e emigrantëve. A do të jetë 31 maji dita e mbylljes së procesit?

Vështirë të besohet!

Në mos e pamundur!

3.

Dalldia e presidentit

Presidenti Meta, dy net më parë, në emisionin “Opinion”, në një gjendje dalldie politike dhe vetjake, deklaroi se ishte i gatshëm të shpërndante parlamentin, por në këtë rast do të shpërndante edhe qeverinë. Vetëm se i duheshin nja 20 burra që të merrnin përsipër ndërtimin e qeverisë.

Më pas iu drejtua Blendi Fevziut, nëse ai, Fevziu, e merr përsipër të bëhet kryeministër.

Fevziu kishte përgjigjen e gatshme, “Nuk më ka lënë mendja”.

Që një president i zgjedhur nga parlamenti të mendojë se mund ta shpërndajë atë, kjo është larg mendsh ose duhet të jetë pa mend.

Që një president mendon se mund të shkarkojë dhe shpërndajë edhe qeverinë, edhe kjo është larg një mendjeje normale, ose duhet të kesh dalë mendsh.

Që një president i republikës parlamentare mendon se mund të bëjë një grusht shteti me 20 kamikazë, me të cilët mendon se mund të bëjë qeverinë, të caktojë kryeministrin dhe ministrat, kjo është më shumë se sa të dalësh mendsh!

Përse e ka lënë mendja Ilir Metën?

Qeveria e tashme ta bën borxh që të mos i shkosh pas. E mbuluar nga zullumet, edhe ajo, si të tjerat para saj, mban në vete një zhgënjim të pamasë, ku janë ndërthurur me njëra tjetrën koncepti autoritarist mbi shtetin, oligarkia politike e financiare dhe hajdutët e rëndomtë.

Ajo është një qeveri që mund të rrëzojë veten, por nuk rrëzohet dot nga presidenti. Ajo mund të rrënohet nga gërryerja dhe mashtrimi, por nuk mund të ia heqësh tullat nga jashtë, kur ende nuk je i besuar. Besimi e mban një qeveri deri në ditën e votimit dhe mosbesimi e rrëzon atë. Mosbesimin mund ta krijosh me lëvizje të furishme, me mendim dhe vizion, me synime të përcaktuara, por kurrë me dekret presidencial, i cili hidhet në kosh nga vetë parlamenti. Presidenti e di këtë. Ai di edhe më tej se kaq: një qeveri gangsterësh presidencialë nuk rri dot as dhjetë minuta. Berisha e provoi në shtatorin e vitit 1998, dhe me tanke e autoblinda zaptoi kryeministri, dikastere, radiotelevizion, bëri thirrje publike se qeveria ra, por, pas pak orësh u struk në “kështjellën” e tij dhe “luftëtarët” qëndruan të strukur në bodrumet e godinës, deri sa socialistët në pushtet, të paburra si gjithnjë, nuk dënuan askënd, bile, dy shefa qeverie u mburrën se ishin pikërisht ata që e kishin shpëtuar Berishën nga burgimi.

Sikur shteti të ishte livadhi i tyre!

Kthimi i Ilir Metës në politikë është i vështirë, në mos i pamundur! Eksperimenti i zgjatur i LSI-së nuk mund të transplantohet, pasi vetë shembulli po dështon. Megjithëse është njeri i pasur, ndër më të pasurit, dhe po përpiqet të ndërtojë një perandori mediatike, mbështetja e tij do të jetë gjithnjë e më e pakt, dhe, djajtë që nxori nga shishja nuk do të vallëzojnë për llogari të tij. Zhgënjimi do të jetë i vështirë për t’u përballuar nga vetë ai, por do i duhet të mësohet.

Në tri dekada jetë pluraliste është krijuar një klasë politike masakruese, e padenjë për të drejtuar, e pabesueshme për t’i vajtur pas, shpesh herë antikombëtare, pasojat e së cilës do të ndjehen edhe shumë vite.

Ilir Meta hyri në lojë rëndë si një nacionalist dhe do të dalë nga loja si anarkist i sajuar. Ai synon të imitojë forcën, në fakt është i frikësuar. Do të dalë si një berishist i furishëm, por nuk ka as shtatin dhe as mitingashët e tij. Për Berishën mund të jenë shumë vetë të gatshëm të përplasen, të përleshen, të sakrifikojnë, për Metën nuk është e gatshme as bashkëshortja e tij.

Presidenti që kërkon të dëshmojë sovranitet dhe nuk pret në takim ambasadoren e SHBA-ve ka bërë llogarinë e furtunës në një gotë, duke shpresuar se është dallgë oqeanike. I mbytur në ujët e tij , ai mendon se po vijnë stuhitë. Dhe se këtë stuhi do e ngritë vetëm ai. I magjepsur pas zërit të tij, mendon se është kushtrim. I pasionuar pas një vdekjeje heroike, do të mbyllë gjithçka si një kuliçkë. I thirrur në Kushtetutë kërkon ngritjen e një pakti antikushtetues, ku të mbizotërojë ai dhe një pakicë rreth tij.

Shqipëria peng i 4 vetëve është ëndrra e tij,ku ai të jetë bashëndërrori!

Ilir Meta është presidenti i frikësuar. Duke hyrë në të errëtën e jetës së tij, ai mendon të ndjekë të njëjtën linjë si Berisha. Të forcës, kërcënimit dhe pastaj të kompromisit. Jo gjithnjë shantazhi është forcë. Nëse Berisha pas 21 janarit provokoi me kundërdemonstratë, që do të sillte përleshje masive, dhe mori heshtjen ndaj krimit; Meta kërcënon me një turmë amorfe, për të bërë pazarin e radhës.

Presidenti që deklaron se shefi i qeverisë është përçues i lobit serb në Amerikë, por për këtë do të flasë kur të vijë koha, më të paktën duhet thirrur urgjentisht për provat që ka, dhe, cilat synime ndjek.

Kohë e çuditshme.

Pas sprovës së parë ruse në Maqedoninë e Veriut, sprovës së dytë në Malin e Zi, sprovës së tretë që po bëhet gati në Kosovë, si duket, do të ketë edhe një të katërt në Tiranë?

Ngjasimi në kohë, në institucione dhe në përplasje, në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk do të jetë i rastësishëm.

Pyetja shtrohet: Cilin e ka lënë mendja?

***

Do të jetë e nxehtë kjo javë, por edhe javët e tjera do të jenë përvëluese. Ambasadorja amerikane, ashtu fluide në pamjen e saj, duket se ka vendosur ta tund mirë politikën shqiptare! Shumë shpejt mund të shpallet person i padëshiruar nga presidenti aktual, e pakuptueshme nga shefi i opozitës dhe e baraslarguar nga shefi i qeverisë, por në fund, nëse ia arrin të delegojë deri në fund mesazhin e Departamentit të Shtetit, do të mbetet gjatë në kujtesë.

Share This Article
7 Comments
  • O Zot, sa i peshtire eshte ky servil shqiptar i “gjermanizuar”!
    Jep mend nga Gjermania. Hajde ne Shqiperi qe te shohim se cfare ke per te bere!

  • Asgje e mire per shumicen e popullit nuk ka per te ndodhur as sot e as mot!
    Mjaftuan 30 vjet,qe nje popull pa shplarje truri,te kuptonte se rrezimi i socializmit nuk u be per demokracine,per mireqenien e popullit por per qellime te tjera,qe nuk kane te bejme me shqiptaret!
    Perendimni u ngop duke bere eksperimente me Shqiperine,duke na mashtruar se po na bien parajsen,por sot e shohim veten ne mes te FERRIT!
    Dhe gozhden e fundit mbu arkivolin tone e vune nderkombetaret,mpasi heshten,qe partite e medha nuk e filluan diskutimin per sistemin zgjdhor me ndryshimin e sistemit,por me cingerrima,qe jane thjesht tallje!
    Kjo ishte e ashtuquajtura reforme zgjedhore!
    Shqiperia eshte shitur,populli shqiptar nuk ka me atdhe dhe do marre rruget e botes se ketu nuk e do me njeri!
    Jemi brezi me pa gjak shqiptari ne tere historine mijra vjecare!
    Te gjithe shikojne se cfare behet,por kenaqen me nje kocke qe u hedh pushteti!
    UJKU-UJKU-por CAKALLI po ben kerdine!
    Sot qenka partia mbi Shqiperine,prandaj te gjithe u lepijne kepucet kryetareve te partise!
    PS-ja e sotme eshte PKSH (Partia e Kuinslingeve te Shqiperise!

  • Z.Bedri! Nuk ma merr mendja se do mundet ti caje as Amerika.Parate i kane,bashkpunimin e kane,tredhaket e drejtesise i kane,popullin qe nuk di nga t’ja mbaje dhe mundohet te zgjedhi te keqen me te vogel e kane ashtu si i ka quajtur fatos nano (vegla ne mes te kembeve) tekstualisht keshtu ju ka thene fatosi nje grupi qe po debatonin,jo sala,jo fatosi:-degjoni cuna e majta fatosi e prek kemben e majte e djathta sala e prek kemben e djathte,nje here e merr fatosi e nje here sala e populli ne mes te kembeve dapa dapa majtas djathtas.

  • DITA:Analiza e B.Islamit eshte 80 % e sakte.Por si gjithnje Ai i fut te gjithe ne nje thes me krunde.Ka ardhur koha qe duhet te ndahet shapi nga sheqeri:
    1-Katrauren ne Shqiperi e ka bere e po e ben SaliRamBerisha qe nga viti 1991 kur ne b/punim me UDB vrau 4 veta ne Shkodet me parimin “VRIT NGA TE TUT DHE HIDHJA FAIN KUNDERSHTARIT PER TE MARRE PUSHTETIN..” Dhe nese ata deshmor do ishin vrare nga PP dhe MB-Gramos Ruçi-ky nuk do ishte i gjalle sot.Dhe Kete Sb e pasoi me Azem Hajdarin ne 1998,Gerdecin,21 janarin,etj.Ndaj Sb duhet te perqendohen te gjitha grykat e “zjarrit” per neutralizimin e tij,brenda e jashte vendit,i cili po infekton gjithe opinionon nd/kombetar me helme KANCEROGJEN.Dhe Europa perendimore,Beogradi,Greqia,Rusia..ferkojne duart per te pabindurit Shqipetar te kudo-ndodhur.
    2-I.Meta,i kapur ngushte nga Sb per vjedhjen e Arit te Krrabes,vidios se 7 % me D.Priftin,Dosjen çez,vilat pa mbarim kudo…etj,eshte i detyruar te zbatoi urdherat e Sb deri ne nje,deri ne flijim,pasi qe te 2 rrezikojne burgun nese ne kete vend do behet drejtesia e munguar ne 30 vite.Dhe une kete nuk e besoj kurre.Pasi infeksioni ne drejtesi eshte deri ne palce dhe nuk ka ilaç shpetimi.ONM eshte gati te mbathi opingat si Princ Widi.Se populli nuk mund te presi 10-15 vjet sa ata te mesojne gjuhen Shqipe.Dhe kete rast e shfrytezoi I.Meta kur nxori 14 pika kunder R.Drejtesi dhe si thike pas shpine kunder nd/kombetareve.
    3-Luli 7×7=42 si spiun i DikMarty per UÇK-shfrytezohet po nga Sb per te bere kamikazin ndaj Qeverise se E.Rames,por eshte nje politikan adoleshente qe Rama tallet me te.Pasi e di se ka te beje me Saline 76 vjeçar te rrjedhur e jo Lulin,ndaj eshte gati ti fali edhe nje here 7×7=14 Ministra e drejtor dhe te fitoi perseri ne 2021 e me tej.Pasi renia e Rames do te thot te sabotohet R/Drejtesi,i reformave te tjera dhe kthimi i vendit ne 96,97 98.
    4-Rama ka bere gabime pune,por nuk ka fakte, dosje e vidio ne drejtesi per te e Ministrat e tij.Ketu ne ndahemi te 2 ne mendime ndaj KM Rama.Ai deri tanime eshte KM me i mire ne 30 vite,edhe sipas Rexhep Qoses e Alfred Moisiut.Gabimi fatal i tij eshte reabilitimi i M.Frasherit.
    5-Tek ne ngjyra me e zeze eshte drejtesia.Ndryshe tre te paret duhet te ishin ne “Hotel Reç” dhe pas tyre edhe i gjati ne se do kishte prova,dosje,fakte si ata.
    -FLM-DITA,FLM-B.ISLAMI

  • Shkrim capaculesh! Ai ashtu, ky keshtu, ai atje po beri keshtu, do ta pesoje ashtu, ky tjetri qe beri keshtu, e pa vete si e pesoi ashtu! Ky Bedri Islami sikur edhe eshte burre i vjeter ne mos gaboj!? Diku ka deklaruar vete, se ka qene edhe gazetar me duket!? Mire si gazetar nuk ka shkelqyer kurre, nuk eshte tragjedi! Por kur shkruan per vendin tend dhe per politiken e vendit tend, duhet te shtrosh udhet e marrveshjeve! Dhe kur kjo nuk eshte e mundur, se njera pale ka bere zullume te medha, atehere jep mendim te shkoqur per gabimet e njeres pale! Dhe nese dallon zullume tek shume pale, denoi te gjitha dhe trego si dilet nga situata! Keto i mungojne ketij shkrimi capacul!

  • amerikanet jane tallur gjithmone me ne. Ata here bejne sikur perkrahin Ramen,here nxisin Bashen dhe keshtu e kane kthyer vendin ne tollavi. Amerika ka interesa strategjike me vendin tone, te cilat i realizoi qe Rajersoni me Berishen,nxorren inatin me enverin e tani lozin symbyllurazi me ne . Eshte budalla ai qe mendon se amerikanet nghrysen e gdhihen me hallet e shqiperise ne mendje!!!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *