Kamikazët synonin centralet bërthamore në Belgjikë

Elton Tafaruci

Detaje të reja dalin në pah gjatë hetimeve të autoriteteve belge sa i përket sulmeve terroriste që ndodhën në Bruksel dy ditë më parë.

Mediat belge raportojnë se dy vëllezërit Bakraoui që u vetëhodhën në erë gjatë shpërthimeve në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit synonin të bënin sulme akoma më të mëdha që do të ishin katastrofike jo vetëm për Belgjikën.

Gjatë kontrollit të banesave të tyre, hetuesit kanë zbuluar se vëllezërit Bakraoui kishin për synim që të sulmonin centralin bërthamor që ndodhet në Bruksel.

Autoritetet gjetën një regjistrim video të drejtorit të centralit bërthamor. Pra, terroristët po studionin lëvizjet e drejtorit me qëllim që të gjenin momentin e përshtatshëm për të kryer sulmet terroriste në cenralin bërthamor, që do të ishte fatale.

Videoregjistrimet me lëvizjet e drejtorit të centralit bërthamor ishin bërë disa ditë pas sulmeve terroriste që ndodhën në Paris më 13 nëntor 2015. Plot 10 orë regjistrime video që tregonte kohën kur drejtori dilte nga shtëpia për të shkuar në punë dhe e kundërta.

Dy ditë më parë kur ndodhën sulmet terroriste në Bruksel, autoritetet mbyllën edhe centralin bërthamor si masë sigurie.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, centrali bërthamor nuk u sulmua pasi planet për sulm terrorist u përshpejtuan pas arrestimit të terroristit të Parisit Salah Abdeslam, i cili u kap në Bruksel 1 javë më parë.

Nga frika se Abdeslam mund të spiunonte tek policët bashkëpunëtorët e tij, terroristët ndërmorrën sulme para kohe në aeroportin dhe metronë e Brukselit, duke shkaktuar 34 të vdekur dhe rreth 200 të plagosur./E.T

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *