Futbolli del pararojë i një shoqërie ku korrupsioni është shtruar këmbëkryq
Dy janë objektet tokësorë që një alien mund të shikojë me sy zbuluar që nga Hëna, ku ka ndaluar për të pushuar pak në rrugëtimin drejt planetit tonë: Muri i Madh kinez dhe trukimi i ndeshjeve në futbollin shqiptar! Të dy janë të dukshëm dhe mund të shihen pa radar, ndaj nuk ka pse të na habisë së tepërmi raporti i kompanisë “SportRadar”, ndonëse duhet pranuar që titulli “kampion bote” për trukimet mund të jetë disi i papritur edhe për vetë ata që fiksojnë rezultatet. Ndoshta është ky shkaku që edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar me ngathtësi dje në mbrëmje në lidhje me raportin që ka bërë bujë në të gjithë botën dhe që cilësohet si plotësisht i besueshëm. Komunikata për shtyp, e nxjerrë vetëm në mbrëmje, më tepër se reagim ndaj raportit të freskët ka qenë një paraqitje e masave të marra në të kaluarën, me ngritjen e Komisionit të Etikës dhe rritjen e numrit të anëtarëve të tij, në kuadrin e masave kundër fiksimit të rezultateve. Është një hap i parë i domosdoshëm, i hedhur në të shkuarën, por më pas gjithçka ka ngelur në vend-numëro. Pa bërë asnjë akuzë për mungesë dëshire apo përtesë nga ana e FSHF-së për t’i hyrë deri në themel problemit, mjafton të përmendet një fakt i vetëm: Askush nuk është dënuar në Shqipëri për trukim ndeshjesh, edhe në rastet kur gjithçka ka bërë “muuu” më fort se një stallë e tërë lopësh.
Vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i intervistuar pak kohë më parë në “Ora News”, pranoi ekzistencën e trukimeve në kampionatin shqiptar, por si masë të marrë përmendi vetëm mosdhënien e “Këpucës së Artë” golashënuesit më të mirë të kampionatit, Roland Dervishit të Shkumbinit. Ky nuk përbën ndëshkim, ndonëse pa dyshim është një vendim i drejtë për maskaradën e goleadave në javën e fundit të kampionateve. Nuk i janë njohur golat e shënuar një lojtari, por nuk ka masë ndaj atyre që i kanë hapur bujarisht portën, çka përbën një rast të pastër trukimi e që me siguri është kapur edhe nga “Radari” i lartpërmendur. Është vetëm një shembull i vockël, por të tillë ka me shumicë e tepër të dukshëm, aq sa nuk bëjnë më asnjë përshtypje. Cili tifoz shqiptar mund e duhet të habitet nga trukimi i një ndeshjeje, kur ai e quan “aleat” dhe “mik” një kundërshtar që i hap portën e i jep pikët skuadrës së tij? Cili është ai tifoz që ka refuzuar pikët madje edhe trofetë e dhuruar apo shitur skuadrës së tij? Ka festuar i ekzaltuar, duke gënjyer veten e njëkohësisht duke i hequr vetes të drejtën e revoltimit në rastin e kundërt, kur presidenti i tij i adhuruar e “fitimtar” ka kthyer borxhin, duke vendosur vetëm hallkën e radhës në një zinxhir pa fund.
Nuk është bukur të shohësh emrin e vendit tënd në majë të listave “të zeza”, por ndërkaq është absurde deri në tallje të habitesh apo të skandalizohesh nga një fakt i tillë. Në Shqipëri korrupsioni është kampion, lufta ndaj tij është kusht i përsëritur vazhdimisht për integrimin evropian. Futbolli nuk bën përjashtim, ndonëse në rastin konkret bën dallim, sepse na ka nderuar duke dalë i pari në botë.