Pas suksesit të arritur në peshëngritje nga Daniel Godelli dhe Romela Begaj, LSI kërkon prej qeverisë të ndërtojë programe të tjera për të mbështetur sportistët premtues.
Nënkryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili shprehu mbështetjen e LSI-së për sportistët, duke I garantuar ata për një vëmendje më të madhe.
“Ne sigurisht i urojmë nga zemra kampionët e botës së Shqipërisë tashmë, Federatën e Peshëngritjes dhe të gjithë botën e sportit për këtë ngjarje. Më në fund, falë Daniel Godellit dhe Romela Begajt, Shqipëria ka kampionët e saj të botës në peshëngritje, kampionë të cilët ngritën flamurin e Shqipërisë dhe bëhen ambasadorë dinjitozë të një realiteti shumë vital, siç është Shqipëria. Natyrshëm, ky sukses nuk është rastësi sepse ngjitja në majat e sportit botëror nuk mund të jetë në asnjë rast një projekt i rastësishëm apo një projekt spontan”, tha z. Vasili.
Deputeti Vasili u shpreh se vendi ynë duhet të ndihet krenar për rezultatet e sportistëve tanë në fusha të ndryshme të sportit.
“Shqipëria ka kampionët e saj të botës në peshëngritje, kampionë që ngrenë flamurin e Shqipërisë dhe bëhen ambasadorë dinjitozë të një realitet vital siç është Shqipëria.
Ky sukses nuk është rastësi sepse të gjithë janë në majat e sportit botëror, nuk mund të jetë në asnjë rast projekt i rastësishëm apo një projekt spontan. Për këtë arritje të jashtëzakonshme po punohet prej muajsh fal një programi të financuara nga qeveria me një vendim të posaçëm.
Peshëngritësit shqiptarë që u zotuan se do të kishin rezultate të larta treguan se e mbajtën fjalën dhe e ngriten shumë lart emrin e shqipërisë. Rinia ka shembujt dhe idhujt e saj. Kemi tashmë fal kësaj sipërmarrje sportive modelin e suksesit që duhet të kthehet në një normalitet të ri të menaxhimit të sportit.
Nisur nga ky model që funksionon, qeveria shqiptare në bashkëpunim me federatat të cilët kanë sportistë që janë premtues, të ndërtojë një program të ri mbështetje të ngjashëm, por më të pasuruar se ky model suksesi, në mënyrë që dhe në të ardhmen të vazhdojmë të kemi kampionë bote”, tha Vasili.
