Këto ditë më shumë se kurrë jemi ndierë krenar për kombëtaren shqiptare të femrave. Vajzat “kuqezeza”, siç u tentua të përkufizoheshin në media, kanë mundur përfaqësuesen greke këtë të mërkurë në “Niko Dovana” në Durrës. Një ditë pas ndeshjes, ne kemi folur me njërën prej tyre, ndoshta jo më të mirën në lojë, por me më simpatiken e sigurt. Ajo është Ellvana Curo, jeton në Australi, por është pjesë e kombëtares sonë. Një vit më parë emri i saj doli në listën e personave që sapo kishin marrë shtetësinë shqiptare. U interesuam për të kuptuar më shumë për historinë e saj dhe faktin pse kishte zgjedhur Shqipërinë për të zhvilluar karrierën në futboll. Pas ndeshjes me Greqinë dy ditë më parë ajo ndihet e ekzaltuar. Vajzat e kombëtares kanë arritur rezultatin që donin. Festa vazhdon…ne ndalojmë te njëra prej tyre.
Kur e shikon për të parën herë, nuk mund të mos të mbeten sytë tek ajo… E gjatë mbi 1.80 cm, ndërsa linjave të hajthshme u shtohet edhe portreti i një vajze lëkurë gruri dhe sy bojë qielli. Në vendlindjen e saj mund të kishte bërë karrierë veçanërisht si modele, por preferoi t’i bashkohej traditës familjare. I ati futbollist profesionist në Australi, i vëllai gjithashtu dhe Ellvana Curo qysh në moshë të vogël i ka ndjekur pas nëpër ndeshje, për t’i duartrokitur sa herë ata shënonin, apo për t’i mbështetur në raste humbjesh. Duket se gjaku që i rrjedh në vena e ka drejtuar drejtë kësaj toke. 21-vjeçarja e lindur dhe rritur në Australi po më babain nga Kraja i Shkodrës dhe mamanë nga Zogaj është pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit. Pasioni që ajo ka, shkon përtej çdo limiti, aq saqë paguan vetë edhe çdo shpenzim që ka të bëjë me vajtjen dhe ardhjen në Shqipëri. Curo jeton në Australi dhe vjen në Tiranë sa herë që ka grumbullime. Ajo është një personazh i rrallë mes shoqesh në atë kombëtare. Ne kemi biseduar me të dhe na ka rrëfyer jetën, dashurinë për futbollin dhe marrëdhënien e saj më Shqipërinë.
Ellvana, kur janë hapat para në futboll për ju?
Kam filluar që fëmijë të kem topin nëpër këmbë. Ndërsa në moshën 12-vjeçare fillova seriozisht të merrem më futboll.
Çfarë ju shtyu të merreshit më këtë lloj sporti?
E kam traditë familjare. Babai dhe vëllai im kanë luajtur futboll dhe unë jam rritur në një terren sportiv pasi e tillë ka qenë familja ime. Kam filluar të stërvitem pikërisht me ata, më babain dhe vëllain. Parku ka qenë fusha ime e parë e sportit. Në fillimet e mia i habisja të gjithë ata që më shikonin teksa luaja me top. Ata habiteshin se si një femër arrinte të mbante topin me atë shkathtësi. Në atë periudhë familja vendosi të më dërgonte në një klub sportiv afër shtëpisë dhe që atëherë unë nuk u ndava më nga stërvitja e përditshme. Nga ana tjetër ajo që kisha dëshirë ishte të shikoja shumë futboll në televizor. Më pëlqen ky lloj sporti shumë. Futbolli është lojë e botës.
Në këtë pikë, kush u shtyu drejtë kësaj rruge dhe ju tha: Po, ti mund të jesh një futbolliste shumë e mirë?
Ka qenë babai im, ai më ka dhënë mbështetje gjatë gjithë kohës në futboll.
Po më Shqipërinë, cila është lidhja juaj?
Ishte një zotëri i nderuar. Ai ishte arbitër këtu në Melbourn, Australi edhe më ka parë duke luajtur futboll në kampionatin fillestar të femrave në Melbourn “Women’s Premier League”. Më ka parë përgjatë një viti duke luajtur dhe më ka pyetur nëse do të kisha dëshirë të isha pjesë e kombëtares shqiptare të femrave, duke njohur në një farë mënyrë edhe origjinën time. Unë megjithë dëshirë i kam thënë: “PO”.
Pse vendosët të vinit e të luanit futboll këtu?
Kam lindur në Australi, por përsëri jam rritur mes shqiptarësh. Gjyshi, gjyshja, mami dhe babi janë shqiptarë. Ishte një mënyrë për të përfaqësuar gjakun tim dhe doja të luaja për këtë vend.
Si të duket Shqipëria, po Tirana?
Tirana më duket shumë mirë, vij shpesh kur kemi grumbullime. Është një vend që është duke u përmirësuar në çdo aspekt.
Habiten koleget e skuadrës, pse ti ke zgjedhur të vish në Shqipëri e të luash këtu, çfarë i thua?
Po jemi i njëjti gjak dhe çfarë do që të bëj unë, nuk e ndryshoj dot. Për mua Shqipëria është si “atdhe”,unë ndihem pjesë e tij pa e munduar shumë veten.
Do të doje të jetoje në Shqipëri?
Aktualisht jetoj atje ku kam familjen në Australi, në Shqipëri vijë sa herë që kam ndeshje.
Po të martoheshe me një djalë shqiptarë?
Po ishanllah, ashtu si të jetë shkruar nga Zoti (qesh).
Ju përveç sportit, për çfarë studioni?
Jam në fakultet, studioj për zhvillim të pronës komerciale. Aktualisht jam në vitin e tretë, kështu që kam edhe një vit studimi.
Cila është familja juaj?
Kam origjinë të pastër shqiptare dhe këtë e kam ndjerë gjithmonë, pavarësisht faktit që jam lindur dhe rritur në një vend të huaj nuk kam nguruar asnjëherë të shpreh dashurinë për një gjak që më rrjedh në damar. Me angazhimin tim në kombëtaren e femrave në futboll duket se ndihem më afër Shqipërisë dhe origjinës familjare. Im atë ka lindur në Malin e Zi dhe ime më, në Australi. Na bisedat që kam bërë më babain ai më ka treguar se familja e tij është larguar nga Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe janë vendosur në Malin e Zi. Po ashtu edhe nga mami kam origjinë shqiptare nëna e saj ka qenë nga Zogaj i Shkodrës. Në vitin 1970 im atë së bashku më vëllain dhe motrën e tij janë larguar nga Mali i Zi për në Australi ku gjenden edhe sot.
Sulmuese
Ellvana Curo është nga Kraja, por që jeton prej vitesh në Australi. 21-vjecarja është pjesë e ekipit Altona City në Australi dhe luan në pozicionin e sulmueses. Ndeshjen e parë me ekipin kombëtar të Shqipërisë e ka zhvilluar në muajin maj kundër përfaqësueses së Malit të Zi. Në atë kohë Kombëtarja Shqiptare fitoi të dy ndeshjet miqësore kundër përfaqësueses së Malit të Zi, në Tivar 4:2 dhe në Shkodër 4:3. Në ndeshjen e dytë në Shkodër Elvana luajti si titullare dhe shënoi në minutën e 14 duke kaluar Shqipërinë në avantazh 1:0.
Moda? Mundësi në pritje
Fiziku i Ellvanës duket i prerë për modele, por është thjesht pasioni për futbollin dhe përkushtimi për shumë kohë te sporti, çka nuk i lë shumë mundësi për t’u marrë me spote televizive e pasarela mode. “Në Australi nuk më kanë munguar mundësitë, sepse vetë shtatlartësia ime, mbi 1.80 cm, bën që të tërheq vëmendjen e shumë agjentëve të modës atje. Po, ku i dihet, një ditë mund të merrem edhe me botën e spektaklit dhe të modës, pa hequr dorë natyrisht nga ai që është pasioni më i madh për mua, sporti. Jeta ofron shanse nga më të ndryshmet, por jam tip që nuk preferoj të flas përpara kohe për iniciativa që janë thjesht projekte në letra”.
Vajzat gjunjëzojnë Greqinë
Një gol i vetëm i mjaftoi kombëtares shqiptare të femrave për të fituar sfidën përballë Greqisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit të Kanada 2015-s. Në ndeshjen e zhvilluar këtë të mërkurë në “Niko Dovana”, përfaqësuesja e drejtuar nga Altin Rraklli dominoi dhe arriti të merrte trepikëshin e parë në këto kualifikuese, falë golit të realizuar në të 51′ prej Velajt. Për vajzat shqiptare, ky është suksesi i parë në katër ndeshje, pas humbjeve 2-0 në Belgjikë, 7-0 në Norvegji dhe 0-4 me Holandën në “Qemal Stafa”. Falë kësaj fitore, vajzat tona ngjiten në vendin e parafundit, duke lënë pas pikërisht ekipin helen.

Elvana kujdes kunder Portugalise ….te merni dot nje barazim jemi ne regull fare
Ndaj ngjeshuni ne mesfushe dhe ne mbrojtje …..Dhe mundohuni ti jepni ndonje top te gjate Velaj
se ajo eshte e shkathet shume kur sulmon dhe gjuan bukur
Por jepjani topin Velajt aty ne anesore qe te jete njecike brinjas me porten dhe aty e gjuan Velaj e shenon gol…..
Ndaj ne Portugali lozni me mesfushe te ngjeshur qe te ndihmoje mbrojtjen dhe me kundersulme te shpejta …Me topa te gjate …..
Hajde suksese ! Se mendjen aty e kemi ….
.Love you all !