Intervista/ Si të kurohet kanceri i gjirit? Sa mundësi ka të shpëtojmë prej tij

Ornela

Në spitalin Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, mund të takosh çdo ditë gra dhe vajza që diagnostikohen me kancerin e gjirit.

Të kuptosh në një moment të jetës tënde  se po lufton me një sëmundje që mund të të marr jetën brenda pak muajve, nëse ti e ke zbuluar në një stad të vonë atë, është një dramë për atë që e përjeton.

Ka nga ato gra që tregohen të forta, e luftojnë më sëmundjen, madje edhe e mundin atë, por ka  edhe shumë të tjera që nuk ja dalin dot të mposhtin atë tumor malinj që është rritur befas në trupin e tyre.

Muaji Tetor është muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit me qëllim parandalimin, diagnostikimin e hershëm. Pasi ka statistika që nëse e diagnostikon herët këtë sëmundje  shanset për të mbijetuar arrijnë deri në 80 për qind të mundësisë.

Sot është dita e fundit e muajit Tetor dhe fushata sensibilizuese pothuajse është mbyllur.

Nëpërmjet kësaj bisede në Dita me Dr.Orges Spahiu, shef i Njësisë së Radioterapisë pranë Shërbimit Onkologjik në QSUT duam të themi që nuk ka rëndësi në çfarë muaji jemi, kontrolli për parandalimin e kësaj sëmundje nuk njeh as ditë dhe as muaj.

Edhe pse në  një periudhë të ngarkuara pune, ne kemi biseduar me Dr Spahiun i cili gjatë gjithë kohës është i rrethuar me paciente që kanë probleme dhe ai është aty për t’u dhënë ndihmën e tij profesionale për ta kaluar sa më lehtë dhe pa pasoja këtë sëmundje.

 

-Doktor, këtë muaj është folur shumë për kancerin e gjirit, po çfarë është kjo sëmundje që ka frikësuar gratë ane-mban botës?

Kanceri sot përbën një sfidë globale. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, duke marrë jetën e qindra mijëra grave çdo vit dhe duke prekur të gjitha vendet pavarësisht nivelit të zhvillimit te tyre.

Edhe në vendin tonë ka një tendencë rritje të numrit të rasteve me kancer të gjirit.

Muaji Tetor është muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit me qëllim parandalimin, diagnostikimin e hershëm.

-Kemi statistika të kësaj sëmundjeje?

Po, sipas statistikave të fundit (GLOBOCAN 2018) kanceri i gjirit përbën 11.7 për qind të diagnozave të kancerit në vendin tonë duke zënë vendin e dytë në numrin e përgjithshëm të këtyre patologjive. Kjo patologji zë vendin e parë tek femrat me 28.7 për qind.

Këto statistika janë një kambanë për një vëmendje më të madhe dhe ndërgjegjësim të femrave për të siguruar një diagnostikim sa më të hershëm çka do të rriste në mënyrë domethënëse shanset e kurimit të kësaj sëmundje.

-A mund të mbijetojmë ndaj kësaj sëmundje dhe në ç’fazë duhet ta vërejmë atë?

Sot arritjet e shkencës dhe teknologjisë kanë rritur mjaft shanset e mbijetesës nga kjo sëmundje. Për shembull, në vendet e zhvilluara mbijetesa arrin deri në 80 për qind të rasteve.

Faktor kyç  për rritjen e mbijetesës është detektimi në stade të hershme.

-Po si ta kuptojmë kancerin e gjirit?

Kanceri është një term i gjerë që i referohet një grupi sëmundjesh që mund të zhvillohen në çdo pjesë të trupit.

Tipar i kancerit është krijimi dhe rritja e pakontrolluar e qelizave anormale duke pushtuar qelizat e shëndetshme përreth.  Kanceri i gjirit zë fill kur qelizat e këtij organi fillojnë të rriten në mënyrë të pakontrolluar. Këto qeliza zakonisht formojnë një tumor që shpesh mund të konstatohet nëpërmjet rrezeve X (Mamografi) ose mund të ndihet si gjendër në prekje.

Dr.Orges Spahiu, shef i Njësisë së Radioterapisë pranë Shërbimit Onkologjik në QSUT

Doktor, çfarë e shkakton kancerin?

Kanceri nis tek qelizat të cilat janë baza përbërëse e indit. Indet janë përbërës të gjirit ashtu si edhe të pjesëve të tjera të trupit. Ndonjëherë, procesi i ndarjes qelizore shkon keq duke krijuar qeliza anormale, për të cilat trupi nuk  ka nevojë dhe qelizat e vjetra ose të dëmtuara nuk vdesin ashtu siç duhet.

Kur kjo ndodh, shumimi i qelizave formon një masë të indeve të quajtur gjëndër ose masë tumorale. Qelizat tumorale mund të përhapen nga tumori primar nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut ose të atij limfatik në pjesë të tjera të trupit duke krijuar kështu metastazat.

Shkaqet e kancerit të gjirit? Kur ju komunikohet se keni kancer të gjirit, është e natyrshme të pyetet se çfarë e ka shkaktuar këtë sëmundje. Por asnjë nuk i di saktësisht shkaqet e kancerit të gjirit.  Mjekët vështirë se mund të përcaktojnë pse një grua zhvillon kancer të gjirit dhe një tjetër jo.  Mjaft prej atyre që janë prekur nga kjo sëmundje ende nuk kanë mundësi të gjejnë shkakun e vërtetë.  Ajo që dihet është se kanceri i gjirit shkaktohet nga dëmtimi i ADN-së së qelizës.


-Megjithatë, mund të rendisim disa faktor të njohur të rrezikut?

Studiuesit sot kanë evidentuar disa faktorë rreziku për kancerin e gjirit si:

  • Pirja e duhanit dhe alkoolit
  • Obeziteti
  • Mungesa e aktivitetit fizik
  • Ndotja e mjedisit
  • Ekspozimi ndaj rrezatimeve të ndryshme
  • Mungesa e një diete të shëndetshme
  • Historia familjare

Gratë e ekspozuara ndaj faktorëve të mësipërm të rrezikut kanë më shumë gjasa sesa të tjerët të zhvillojnë kancer të gjirit. Një pjesë e mirë e faktorëve të rrezikut mund të shmangen, por ka dhe faktorë të tjerë si historia familjare, të cilët nuk mund të shmangen.

Megjithatë duhet theksuar se shumë gra të ekspozuara ndaj faktorëve të rrezikut nuk zhvillojnë kurrë kancer të gjirit. Edhe kjo ndodh.

-Doktor, jemi në fund të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, na thoni diçka?

Diagnostikimi i hershëm mbetet kyç për kurabilitetin e kësaj sëmundje. Disa këshilla të vlefshme për diagnostikimin e hershëm janë:

  • Kryeni vetë-kontrollin e gjinjve tuaj
  • Mbi moshën 25 vjeç bëni një ekografi të gjinjve tuaj, një herë në vit
  • Nëse vini re një formacion, masë apo gjendër në gji dhe nën sqetull paraqituni menjëherë tek mjeku juaj
  • Mbi moshën 40 vjeç rekomandohet një herë në vit të kryhet mamografia
  • Nëse shihni shenja si rrjedhje prej thithit të gjirit, tërheqje të thithit brenda, skuqje apo ndryshim të lëkurës së gjirit si dhe ndryshim të formës dhe përmasave të gjirit atëherë ju duhet të shqetësoheni dhe të shkoni menjëherë tek mjeku juaj i cili duhet t’ju drejtojë më pas tek mjeku specialist.

Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.

 

Tumori është masa e qelizave anormale në ind.

Ka dy lloje të tumoreve të kancerit të gjirit: ato që nuk janë kanceroze, ose ‘beninje’ dhe ato që janë kanceroze, të cilat janë ‘malinje’.

Tumoret beninje
Kur një tumor diagnostikohet si beninj, mjekët zakonisht e lënë atë në ndjekje në vend që ta heqin atë.  Edhe pse këto tumore nuk janë agresive ndaj indeve përreth, herë pas here ata mund të vazhdojnë të rriten, duke shtypur organet dhe duke shkaktuar dhimbje ose probleme të tjera.

Në këto situata, tumori hiqet, duke lejuar që dhimbjet ose ndërlikimet të zhduken.

Tumoret malinje
Tumoret malinje janë agresive sepse ato pushtojnë dhe dëmtojnë indet përreth.

Për të diagnostikuar saktësisht një tumor malinj, kryhet një biopsi e cila përcakton llojin e qelizës, shkallën dhe agresivitetin e tumorit.

Kanceri metastatik
Kanceri quhet metastatik kur qelizat e tij janë përhapur në pjesë të tjera të trupit, zakonisht përmes sistemit limfatik.

 

Entela Resuli – DITA

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *