Kanceri i lëkurës është forma më e shpeshtë e kancerit. Referuar statistikave në Shtetet e Bashkuara çdo vit në Amerikë diagnostifikohen më shume se 1 milion raste me kancer lëkure. Në vendin tonë si një vend mesdhetar me rrezatim të lartë diellor, kanceri i lëkurës është shumë i shpeshtë.
Çfarë është Melanoma dhe sa e rrezikshme është ajo?
Melanoma është forma më e rrezikshme malinje e kancerit të lëkurës që zhvillohet nga rritja e pakontrolluar e qelizave melanocite (qeliza prezente në lëkurë që prodhojnë melaninën që i jep ngjyrën e bronztë lëkurës). Është i lartë numri i pacientëve që humbasin jetën si pasojë e këtyre melanomave çdo vit. Melanoma mund të shfaqet papritur ose mund të zhvillohet mbi një nishan ekzistues.
Ka statistika në Shqipëri për të provuar rrezikshmërinë e kësaj sëmundjeje?
Aktualisht në vendin tonë nuk ka studime kombëtare të mirëfillta për të treguar shpeshtësinë e melanomës, si dhe programe të mirëfillta për të sensibilizuar popullsisë për rrezikun dhe parandalimin e melanomës. Referuar statistikave të Shoqatës Amerikane të Dermatologjisë në SHBA, 75 për qind të vdekjeve nga kanceri i lëkurës janë nga melanoma. Është përllogaritur që 1 amerikan vdes nga Melanoma gati në çdo orë.
Kush e shkakton melanomën?
Ekspozimi i rritur në rrezet ultraviolet të diellit është faktori kryesor që shkakton kancerin e lëkurës, përfshirë dhe Melanomën. Personat biond ose me flokë të kuq dhe me ngjyrë të çelur të syve (Fenotip të lëkurës I, II) janë personat më të riskuar ndaj melanomës, por kjo nuk do të thotë që personat me lëkurë të errët nuk mund zhvillojnë melanomën.
Cilat janë shenjat e para të melanomës dhe si mund të kuptohet që një nishan është i rrezikshëm apo jo?
Çdokush nga ne mund të mësojë alfabetin e nishaneve ose rregullin ABCDE, në mënyrë që të parandalojë në kohë zhvillimin e melanomës. Diagnostikimi i hershëm i Melanomës shpëton jetën. Ne duhet të mësojmë që të lexojmë nishanet e trupit tonë dhe nëse vërejmë një nishan të ndryshuar duke ju përmbajtur rregullit ABCDE duhet të drejtohemi menjëherë pranë mjekut dermatolog.
Nishanet lexohen ose vetëkontrollohen duke përdorur alfabetin e mëposhtëm. “A – asimetria, pra njëra gjysmë nuk përputhet me gjysmën tjetër. B – border (vijë kufitare, jo e rregullt). C – kolor (ngjyra nuk është uniformë ose ekzistojnë disa ngjyra brenda nishanit si kafe, e zezë, e kuqe, etj). D – diametri (melanomat janë zakonisht më të mëdha se 6 mm). E – evolimi (ndryshime që vërehen me kohë në madhësi, formë, ngjyrë).
A është Melanoma e kurueshme?
Melanoma e diagnostifikuar në stadet e para është e kurueshme. Diagnoza e hershme shpëton jetën. Dermatologët rekomandojnë që çdokush duhet të kontrollojë vetë nishanet e trupit të tij duke ju përmbajtur rregullit të mësipërm të alfabetit dhe 1 herë në vit përpara ekspozimit në diell ose pas tij të kontrollohen nga mjeku (preferohet ekzaminimi me dermatoskop). Pacienti nëse vëren ndryshim qoftë dhe të njërit prej nishaneve, atëherë duhet të kërkojë menjëherë ndihmën e mjekut dermatolog.
Rregullat e arta që ndihmojnë në mbajtjen larg në kancerin e lëkurës
Ne mund të ekspozohemi në diell, mund të argëtohemi në plazh, por duhet të tregohemi të kujdesshëm me mënyrën dhe kohën e ekspozimit.
-Apliko krem me mbrojtje Spf minimalisht 15 (UVB & UVA) në tërë trupin. Riapliko lyerjen me krem çdo 2 orë edhe nëse është ditë me re. Riapliko lyerjen me krem pas çdo larje ose pas djersitjes.
-Vish veshje të lehta por të gjata, si këmisha e pantallona. Vendos çdo ditë kapelën dhe syzet e diellit.
-Mundohu të rrish në hije. Edhe në hije rrezet e diellit mund të përthithen, pasi reflektohen. Mbaj mend gjithnjë që nuk duhet të ekspozohesh në diell ndërmjet orës 11:30 – 16:00, rrezatimi në këto orare është më i fortë.
-Mbro veçanërisht fëmijët nga rrezatimi duke aplikuar shpesh kremrat mbrojtës me faktor të lartë, duke veshur veshje të përshtatshme dhe duke i mbajtur në hije.
-Përdor patjetër mbrojtje ekstra kur je pranë ujit, dëborës ose rërës, pasi këto reflektojnë rrezatimin e rrezeve të dëmshme dhe rrisin kështu mundësinë e djegies.
-Merr vitaminë D në mënyrë jo të rrezikshme nëpërmjet dietës së shëndetshme. Mos kërko diellin për vete ose fëmijën tënd.
-Evito solaret. Rrezatimi ultraviolet i solareve mund të shkaktojë kancer lëkure dhe plakje e rrudhosje të parakohshme të lëkurës.
-Kontrollo lëkurën tënde dhe nishanet në mënyrë frekuente. Nëse vëren ndonjë ndryshim të nishanit, rritje të tij ose rrjedhje, kërko takim menjëherë tek dermatologu. Kanceri i lëkurës kurohet nëse diagnostikohet herët.
Jo të gjithë melanomat e shfaqura kanë lidhje me ekspozimin në diell.
Në faktorët e rrezikut përfshihet edhe faktori gjenetik dhe deficitet në sistemin imun.
Nëse një person i familjes ka pasur melanomë, atëherë rreziku është më i lartë (faktori gjenetik).
A shfaqet melanoma tek kushdo?
Melanoma mund të shfaqet tek të gjithë ne, megjithatë ka disa individë që janë më të riskuar:
Nëse ju keni më shumë se 50 nishane në trup (përfshirë nishane atipik)
Nëse persona në familjen tuaj kanë pasur melanomë
Nëse jeni biond ose me flokë të kuq, me ngjyrë të syve bojëqielli ose jeshil
Nëse gjatë periudhës së fëmijërisë jeni djegur disa herë në diell
Nëse keni kryer seanca solari
Nëse ju keni pasur më parë melanomë ose ndonjë kancer tjetër lëkure
Nëse ju keni pasur me parë kancer gjiri ose të gjendrave tiroide