Kanceri i vezoreve, simptomat dhe ndërlikimet që shfaqen

anazapta

Kanceri i vezoreve (ovareve), është një sëmundje malinje, e cila fillimisht është e vështirë për t’u diagnostikuar për shkak të mungesës së shenjave të dukshme që në stadet e para të shfaqjes së sëmundjes. Sipas bluzave të bardha njihen një sërë shkaqesh që çojnë në shfaqjen e kësaj sëmundje, e që kanë të bëjnë kryesisht me faktorë të tillë si : “Lindjet e pakta, ose lindjet në moshë të madhe, përdorimin e tepruar të alkoolit, përdorimin për një kohë të gjatë të terapive trajtuese hormonale, faktorët gjenetikë, etj. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia Ilda Xhelili tregon se cilat janë simptomat dhe ndërlikimet që shoqërojnë këtë sëmundje. Mjekia shton se sa më herët të ndërhyhet në trajtimin e kësaj sëmundje, aq më të pakta janë mundësitë që ndërlikimet të prekin edhe organet e tjera jetësore.

 

Çfarë është, dhe kur shfaqet kjo sëmundje?

Është një sëmundje e përhapur në të gjithë botën. Globalisht që nga viti 2010 rreth 160 mijë femra kanë humbur jetën në krahasim me vitin 1990 kur ky numër shkonte në rreth 113 mijë. Sëmundja është më e zakonshme në vendet e industrializuara me përjashtim të Japonisë. Më shumë se gjysma e vdekjeve nga kanceri ovarian (i vezoreve) ndodhin në gratë midis moshës 55 dhe 74 vjeç dhe afërsisht një e katërta e vdekjeve ndodhin në gratë midis 35 dhe 54 vjeç. Rreziku rritet me moshën dhe ulet me numrin e shtatzënive. Ovaret janë organet femërore që mbajnë vezët dhe sekretojnë hormone përgjegjëse për ciklin e riprodhimit (estrogjenet dhe progesteroni që qarkullojnë në organizmin e femrës). Ky lloj kanceri e merr origjinën nga vezoret, por edhe nga tubat e Fallopit (tubat që lidhin vezoret me mitrën). Simptomatologjia mund të fillojë mjaft herët dhe me shenja klinike që zor se mund të jenë specifike për këtë lloj patologjie, si për shembull gjakderdhje vaginale, urinim i shpeshtë, dobësi e përgjithshme, rënie të oreksit, shenja që i gjejmë mjaft shpesh edhe në sëmundje të tjera.

 

Cilat janë shkaqet e sëmundjes ?

Në shumicën e rasteve, shkaku i qartë i kancerit të ovareve mbetet i paqartë. Risku për këtë lloj sëmundje mund të jetë më i lartë nën veprimin e disa faktorëve si për shembull : “Femrat në moshë të madhe dhe që nuk kanë lindur fëmijë, femrat që kanë në brezin e parë ose të dytë të gjenezës familjare të afërme me këtë sëmundje, forma të trashëguara të kancerit të ovarit që mund të shkaktohen nga mutacioneve të gjeneve të veçanta. Risk të lartë kanë edhe gratë që përdorin terapi zëvendësuese (hormonale) postmenopauzale me bazë estrogjeni. Risk të lartë kanë gratë me një histori për kancer të gjirit ose në familjen e tyre, sidomos në moshë të re, prandaj dhe duhen testuar për kancer ovari. Konsumi i alkoolit e rrit rrezikun gati dyfish. Ka një lidhje të rëndësishme të vënë re në shumë studime, midis alkoolit dhe këtij lloj kanceri.

 

Përflitet vazhdimisht se përdorimi i pilulave kontraceptive orale, si dhe lindjet e shumta ndihmojnë në parandalimin e kësaj sëmundje. Konkretisht çfarë ndodh, a duhet t’i përdorim këto argumente si masa mbrojtëse ?

Ndërsa pilulat kontraceptive orale (nga goja) të kombinuara (pra që nuk përmbajnë vetëm estrogjen por edhe progesteron) mund të shërbejnë në këtë rast si faktor mbrojtës. Sipas një studimi të fundit, gratë që kanë përdorur këto lloj kontraceptivësh oralë për një periudhë dhjetë vjeçare kanë rezultuar me një reduktim rreth 60 për qind përsa i përket riskut të kësaj sëmundjeje. Një faktor tjetër mbrojtës mendohet të jetë mosha e hershme e shtatzanisë së parë dhe mosha e vonë e shtatzanisë së fundit. Sipas statistikave, nënat që ushqejnë fëmijët me gji gjatë laktacionit kanë më pak mundësi për të zhvilluar kancer të ovarit.

 

Cilat janë shenjat më të shpeshta ?

Në shumicën e rasteve, shenjat klinike vazhdojnë për disa muaj pa u diagnostikuar. Shenjat më të zakonshme janë gjakderdhja vaginale jashtë ciklit menstrual, dhimbje të barkut ose të legenit, ulje oreksi, urinim i shpeshtë e me dhimbje. Kur shenjat e urinimit përsëriten mbi shtatë-tetë herë në vit atëherë duhen marrë në konsideratë edhe për këtë patologji. Shenja të tjera mund të jenë konstipacioni (kapsllëku, dhimbje në zonën rreth zorrës së trashë, ulje në peshë, mund të preken masa abdominale (në bark), mund të kemi ascit (mblidhet ujë) në kavitetin e barkut (në ekzaminimin ekografik). Për shqetësimet e mësipërme dhe në mënyrë të veçantë për gjakderdhjen vaginale jashtë ciklit menstrual, duhet të paraqiteni patjetër te mjeku juaj, i cili ju konsulton me specialistin përkatës për vendosjen sa më herët të diagnozës. Diagnostikimi kërkon ekzaminime radiologjike, ekografike, si edhe të gjakut.

 

Nëse trajtimi nuk merret në kohë, cilat janë ndërlikimet që shfaqen, si dhe çfarë terapie duhet të ndiqet në këto raste?

Terapia në këto raste përfshin një kombinim të kirurgjisë (operacionet), radioterapisë (rrezeve) dhe kimioterapisë (që merret me anë të gjakut në formën e serumit). Sa më herët të kapet sëmundja, aq më të mëdha janë dhe përfitimet. Sot shkenca e mjekësisë ka përparuar shumë në këtë drejtim dhe këto sëmundje po synohet të kthehen në sëmundje që kërkojnë trajtim kronik duke përmirësuar jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës. Problemi në këtë sëmundje qëndron se gratë në shumicën e rasteve paraqiten te mjeku në faza të avancuara kur ai është përhapur jashtë vezoreve. Kanceri ovarian i derdh qelizat e tij në lëngjet natyrale të zgavrës së barkut nga ku përhapen pastaj në organe të tjera, si për shembull në mitër, fshikëzën e urinës, zorrë e më rrallë në mushkëri. Por, sa më herët të diagnostikohemi aq më të mëdha janë përfitimet. Prandaj mos hezitoni që për çdo shqetësim të konsultoheni fillimisht me mjekun tuaj të familjes, e më pas të kaloni tek mjeku specialist.

 

Parandalimi

Sa i takon prevenimit (parandalimit) nuk ka të dhëna të sakta për ekzaminime të hershme që luajnë rol në parandalimin e kësaj sëmundjeje siç është për shembull kryerja rutinë e pap-testit për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës.

Megjithatë femrat me histori familjare duhet të përfshihen në kontrolle rutinë te mjeku përkatës dhe absolutisht çdo shenje klinike nga ato që përmendëm më sipër duhet t’i kushtohet vëmendja e duhur në këtë drejtim.

Kujdes i madh duhet treguar edhe në aspektin e edukimit të hershëm të femrave. Duhen bërë të qarta rreziqet e abuzimit me alkoolin jo vetëm për këtë sëmundje, por për shëndetin në përgjithësi.

 

E gabuar !

Është e rëndësishme për nënat e reja të kuptojnë qartë vlerat e ushqyerjes me gji jo vetëm për shëndetin e fëmijës, por edhe të tyre. Shumë prej tyre për arsye estetike ndërpresin ushqyerjen me gji menjëherë pas lindjes së fëmijës.

Share This Article
5 Comments
  • Ju fainderojm per informavione te shenjave te kacerit ne vezore, jam lexuese e rregullt e kshillave mjeksore ne faqen tuaj, ku ne disa raste prej kshillave mjeksore,apo shenjat e para qe kane per ndonje semundje po e gjejm vete diagnozen pa humbur kohe te vizitosh mjekun . Se ne di sa raste ne naze te rubrikave mjeksore vete vetes po ja gjen diagnozen ju faliminderit jemi te shkelqyer

    • vajza ime ka 15 vjet dhe i dhembin te gjitha vendet ku jane cekur me lart, ajo nuk ka pasur kurr marrdhenje seksuale , dua ta di a ka mundesi qe ne kete moshe te behet kanceri i vezoreve

  • vajza ime ka 15 vjet dhe i dhembin te gjitha vendet ku jan cekur me lart. kam biseduar me te ajo nuk ka pasur kurr marrdhenjie seksuale me askend.vajz sime eshte me probleme vezore qe 5 muaj, dua ta di ne kete moshe te re a mund te ket kancer te vezoreve??

  • Kam motren 39vjec dhe ka ber operacjon ka heq mitren dhe dy masa me mish t huaj nje mas ishte shum e madh dhe nje mas m e vogel por i kan heq dhe nje vezore se ishte e infektuar .n cfar gjendje duhet t jet a ka rrezik per jeten ?

  • jo keto jan semundje te femrave me aktivitet seksual.por mendoj ta coni per kontrroll te 1 gjinekolog.se di ne I kan ardhur menset se un dyshoj per himen imperforatum

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *