Sot, në një konferencë të organizuar në Tiranë, Shoqata e Onkologjisë Profesioniste të Shqipërisë vuri një gur themeli për pacientët që vuajnë nga kanceri metastatik i gjirit në Shqipëri. Në prani të një numri të madh mjekësh dhe stafi mjekësor, ata diskuan për rëndësinë e kancerit metastatik të gjirit dhe mundësinë e re për trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Shqipëria është një nga shtetet e para në Evropë e zgjedhur për të përfituar nga mundësia e re për trajtim, duke ndjekur Shtetet e Bashkuara, ku ndryshimet në trajtimin e kancerit metastatik të gjirit filluan më herët gjatë këtij viti. Ky trajtim vjen ne Shqiperi nga kompania prestigjioze farmaceutike me renome boterore Pfizer.
Kanceri i gjirit është një nga kancerët më të zakonshëm ndërmjet grave kudo në botë, dhe shkaktohet nga tumori malinj në gji. Pavarësisht përmirësimeve të rëndësishme në prognozë gjatë dekadës së fundit, në Evropë, 131.260 gra vdesin çdo vit nga kanceri i gjirit, duke e shndërruar atë në shkakun më të shpeshtë të vdekjeve të grave në Evropë. Për më tepër, tridhjetë për qind (30%) e grave që në fillim janë diagnostifikuar me kancer të gjirit në fazat e hershme, si përfundim do të zhvillojnë sëmundje të avancuar ose metastatike. Kanceri i gjirit është gjithashtu kanceri më i zakonshëm te gratë në Shqipëri. Ai është shkaku i dytë i vdekshmërisë nga kanceri në vend. Numri i pacientëve të diagnostifikuar në një vit është rreth 450.
Në konferencën e sotme, disa folës vendas dhe të huaj dhanë pikëpamjet e tyre për situatën problematike të grave që vuajnë nga kanceri metastatik i gjirit në Shqipëri dhe u përqendruan te trajtimi i ri.
Prof. Agim Sallaku, Kryetari i Shërbimit të Onkologjisë, Spitali Nënë Tereza, gjatë prezantimit të tij theksoi: “Përveç zbulimit të hershëm që ndikon mbi reduktimin e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit, një rëndësi e veçantë i duhet kushtuar diagnozës dhe trajtimit të duhur të kancerit të gjirit të hershëm dhe të avancuar. Kjo është e rëndësishme për pacientët dhe popullatën që vuajnë barrën e lartë të sëmundjes, e cila nuk duhet neglizhuar. Për pacientët me kancer metastatik të gjirit, qëllimi i terapisë duhet të jetë zgjatja e mbijetesës, kontrolli i zhvillimit të tumorit, dhe reduktimi i simptomave dhe komplikacioneve të shoqëruara me tumor, pa vënë në rrezik cilësinë e jetës, dhe duke e lejuar pacienten të jetojë një jetë normale.“
Direktivat evropiane dhe ndërkombëtare për kancerin metastatik të gjirit kanë vërejtur një qasje të individualizuar, ku zgjedhja e trajtimit të varet nga numri i faktorëve klinikë dhe jo-klinikë. Megjithatë, në praktikë pacientët zakonisht marrin një trajtim, dhe pastaj kalojnë te një tjetër, në një betejë të vazhdueshme kundër avancimit të kancerit të tyre.
I pranishëm në konferencë, ishte gjithashtu edhe doktori nga Italia, Dr. Luca Malorni nga Departamenti i Onkologjisë “Sandro Pitigliani” në Spitalin e Pratos “Santo Stefano”. Dr. Malorni foli për terapinë e re dhe qëllimet e trajtimit për gratë me kancer metastatik të gjirit, duke nënvizuar se shumica e pacientëve me kancer të avancuar të gjirit i përkasin tipit ER pozitiv/HER2 negativ. Ai ka vlerësuar se: “Kanceri metastatik i gjirit ER+/HER2 përfaqëson një barrë të madhe te gratë pas menopauzës. Ai ka ndikime të konsiderueshme mbi performancën, cilësinë e jetës dhe produktivitetin në punë. Shfaqja e sëmundjes rritet me rritjen e moshës. Trajtimet aktuale kanë kufizime, duke përfshirë rezistencën në zhvillim dhe toksinat që kanë një ndikim negativ në cilësinë e jetës së pacientit. Bazuar te një mekanizëm i ri për veprim, trajtimi i ri i mundshëm përmirëson reagimin në këtë grup pacientësh, me efekte anësore shumë më të menaxhueshme. Kjo reflektohet në mbijetesën më të gjatë të pacientëve dhe në një cilësi jete më të mirë.”
Dr. Dhurata Koroveshi Tarifa, nga Departamenti i Onkologjisë, Spitali Nënë Tereza, vlerësoi mundësitë aktuale për trajtim në Shqipëri: “Aktualisht, pas 30 vitesh përvojë në trajtimin sistemik në Shqipëri, mund të themi se trajtimi ka kapur standarde bashkëkohore. Megjithatë, ka ende sfida që duhen trajtuar. Ne duhet të përmirësojmë kontrollin e zhvillimit të tumorit, të vonojmë avancimin e tij dhe të zgjatim mbijetesën, ndërkohë që mbrojmë Cilësinë e Jetës së këtyre pacientëve.”
Kanceri i avancuar i gjirit përfaqëson një barrë të madhe dhe ka ndikime të rëndësishme mbi performancën, cilësinë e jetës dhe produktivitetin në punë. Pacientët ndiejnë ndikime emocionale – siç është izolimi, depresioni dhe frika për të ardhmen. 50% e grave përjetojnë dhimbje dhe parehati që ndikon në jetën e tyre të përditshme. Shumë gra janë detyruar të heqin dorë nga puna e paguar ose të reduktojnë orët e tyre të punës, dhe gjithashtu janë më pak të afta për t’u kujdesur për familjet e tyre.
Kjo është arsyeja se përse ne duhet të flasim për sëmundjen, sa më shpesh që të jetë e mundur, përderisa mund të bëhet shumë për të përmirësuar jetën e grave që vuajnë nga kanceri metastatik gjirit. Shumë gra me kancer metastatik të gjirit ndihen të padukshme brenda komunitetit që vuan nga kanceri i gjirit, për aq kohë sa vëmendja e medias, politikëbërësve dhe shoqërisë ka prirje të përqendrohet te kanceri i hershëm i gjirit.
