KQZ-ja, aktualisht është duke verifikuar rregullsinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet zgjedhore lidhur me listat shumemërore të kandidatëve për deputetë. Ka të dhëna se në këto lista janë përfshirë edhe kandidatë që sipas Kushtetutës, paraprakisht duhet të hiqnin dorë nga detyrat apo funksionet që kanë. Meqë kjo është një histori tashmë e njohur, pasi edhe në zgjedhjet e kaluara funksionarët e PD-së nuk dhanë dorëheqjen nga postet që mbanin, po i rikthehemi duke theksuar se kjo është një shkelje e hapur e Kushtetutës. Për sqarimin e kësaj çështjeje iu drejtuam konstitucionalistit Niazi Jaho.
– Zoti Jaho, a ka emra në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit, të cilët duhet të japin dorëheqjen nga detyrat dhe postet zyrtare që mbajnë pasi bien ndesh me ligjin?
– Po, ka, por nuk e di numrin e saktë të tyre, pasi nuk kam përpara listën zyrtare. Nuk më pëlqen të përsëris ato që kam thënë më parë. Katër vjet më parë unë e kam sqaruar gjatë një interviste të titulluar “Neni 69 I Kushtetutës” dhe e kam përfshirë në librin “Refleksione mbi shtetin e së drejtës”.
– Sidoqoftë, le të hyjmë në terrenin konkret të zgjedhjeve të 23 qershorit. Partia demokratike dhe ndonjë parti tjetër në listën shumemërore të kandidatëve për deputetë, kanë paraqitur edhe persona që duhet të japin dorëheqjen. A është shkelur në këto raste neni 69 i Kushtetutës?
– Neni 69 i Kushtetutës, siç dihet, ndalon kandidimin zgjedhjen si deputet pa hequr dorë nga detyra të gjyqtarëve, prokurorëve, ushtarakëve të shërbimit të punonjësve të policisë dhe të sigurimit kombëtar, përfaqësuesve diplomatikë, kryetarëve të bashkive dhe komunave si dhe prefektëve në vendet ku kryejnë detyrat e tyre, të kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve zgjedhore, Presidentit të Republikës dhe funksionarëve të lartë shtetërorë të parashikuar nga ligji. Nuk jam njohur as me listat shumemërore të PD-së dhe as me listat e ndonjë partie tjetër të regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor. Nuk jam në dijeni se cilat lista shumemërore janë pranuar të rregullta dhe cilat lista janë kthyer nga KQZja për parregullsi, dhe të ç›natyre kanë qenë këto parregullsi. Ende nuk jemi njohur me vendimin e KQZ-së për miratimin ose refuzimin e dokumentacionit përfundimtar të përcaktuar në Kodin Zgjedhor për kandidim. Prandaj, pyetjen që më bëni, do të jap sqarime kryesisht në aspektin ligjor dhe kushtetues. Lista e kandidatëve shumëemërorë të çdo partie të regjistruar si subjekt zgjedhor ose të çdo koalicioni në tërësi duhet të jetë në përputhje me nenin 69 të Kushtetutës. Kjo do të thotë se në këto lista nuk duhet të figurojë si kandidat asnjë person i zgjedhur apo i emëruar që parashikohet në dispozitën e mësipërme kushtetuese, pa hequr dorë nga detyra që ka. Nëse subjektet zgjedhore në listat shumëemërore të dorëzuara në KQZ, nuk kanë respektuar kërkesat e nenit 69 të Kushtetutës, është detyrë e KQZ-së që në zbatim të nenit 73 të Kodit Zgjedhor, gjatë verifikimit të dokumentacionit përkatës, kur konstaton cënimin e nenit 69 të Kushtetutës, ose mospërmbushjen e normave të Kodit Zgjedhor, ta kthejë dokumentacionin për korrigjim. Është KQZ-ja gjithashtu organi kompetent që miraton ose refuzon dokumentacionin përfundimtar të paraqitur nga subjektet zgjedhore.
– Cila është arsyeja që neni 69 i Kushtetutës nuk lejon kandidimin dhe as zgjedhjen si deputet të një kategorie zyrtarësh pa hequr dorë nga detyra?
– Mendoj se arsyeja është e qartë, madje është në interes të zgjedhjeve të lira, të ndershme, të paanshme dhe të pakontestuara. Konkretisht: nëse të themi gjyqtari, prokurori, punonjësi i policisë etj, kandidon si deputet pa hequr më parë dorë nga detyra, gjatë fushatës zgjedhore dhe aspekteve të ndryshme të procesit zgjedhor mund të ndikojë në favorin e tij dhe të subjektit zgjedhor që e ka përfshirë atë në listën shumëemërore. Është pikërisht kjo arsye që në nenin 69 të Kushtetutës thuhet se këta persona jo vetëm nuk duhet të kandidojnë pa hequr dorë nga detyra që kanë, por as të zgjidhen si deputetë, përndryshe sipas pikës 2 të nenit 69 të Kushtetutës, mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin e parë të këtij neni do të ishte i pavlefshëm. Kam mendimin se fenomene të tilla duhen parandaluar. Do të ishte negative që një mandat i fituar në kundërshtim me Kushtetutën të shpallej i pavlefshëm. Nuk duhet harruar gjithashtu se në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e mandateve do të shqyrtojë dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve. Në rast se ky komision do të vërente paligjshmëri në zgjedhje, sipas nenit 3 të Rregullores së Kuvendit do t’i propozonte Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese që të vendosë lidhur me çështjen e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve si dhe verifikimin zgjedhjes së tyre (neni 131, gërma «e» e Kushtetutës).
Si duhet vepruar nëse KQZ-ja ka miratuar listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që nuk kanë dhënë dorëheqjen nga detyra e prokurorit, gjyqtarit, kryetarit të bashkisë, të komunës apo prefektit?
– Ky vendim ose këto vendime mund të atakohen nga subjekti i interesuar në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. E shikoj të nevojshme të theksoj se kryetarët e bashkive dhe të komunave si dhe prefektët nuk lejohen kandidojnë në vendet ku kryejnë detyrat e tyre, pikërisht për të parandaluar ndikimin e mundshëm në favorin e tyre ose të subjektit zgjedhor që i ka kandiduar.
– Sipas nenit 69 të Kushtetutës, nuk duhet të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë funksionarë të lartë të administrates shtetërore, por kategoria e këtyre funksionarëve duhet të parashikohet në ligj. Ç’mendim keni për këtë?
– Fill mbas miratimit të Kushtetutës të vitit 1998 do të duhej të miratohej ligji për të përcaktuar kategorinë e atyre që do të përfshiheshin në grupin e «funksionarëve të lartë të administratës shtetërore». Në fakt deri më sot, një ligj i tillë nuk është miratuar. Megjithatë, mendoj se nuk do të ishte as e drejtë dhe as në interes të zgjedhjeve të ndershme dhe të paanshme që persona që në fakt janë funksionarë të administratës së lartë shtetërore të mos hiqnin dorë nga detyrat që kanë, me arsyetimin se «nuk ka ligj që t’i ndalojë». Në fakt, për gjykatën që eventualisht mund të shqyrtonte (në bazë të ankesës) një çështje të tillë, mungesa e këtij ligji nuk duhet të përbënte pengesë. Gjykatat zbatojnë drejtpërsëdrejti Kushtetutën. Ato kanë parasysh frymën dhe qëllimin e saj. Veç kësaj do të mjaftonte të përmendim nenin 1, paragrafi i dytë të Kodit të Procedurës Civile ku thuhet se: «Gjykata nuk mund të refuzojë të shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që i paraqiten me arsyetimin se ligji mungon, nuk është i plotë, ka kundërthënie ose është i paqartë». Ndërsa, në nenin 155, pika 1 e Kodit Zgjedhor thuhet: «Në shqyrtimin gjyqësor të kërkesë padive për të gjitha veprimet proceduriale që nuk rregullohen nga ky kod, Kolegji Zgjedhor zbaton dispozitat e Kodit të Procedures Civile për gjykimin e çështjeve në shkallë të parë».
– Cili është momenti që lista shumëemërore të konsiderohet e miratuar?
– Këtë e sqarova edhe më parë. Lista konsiderohet e miratuar qysh nga momenti i vendimit që merr KQZ-ja. KQZ-ja sipas pikës ‹3› të nenit ‹73› të Kodit Zgjedhor, publikon listën e plotë të kandidatëve në tri gazeta me tirazh në shkallë vendi, në median elektronike si dhe në faqen e saj në internet.
– Mbas miratimit a mund të ndryshojë lista shumëemërore?
– Emrat në listat shumëemërore dhe renditja e tyre, siç thuhet në pikën ‹4› të nenit të mësipërm të Kodit Zgjedhor «nuk mund të ndryshohen pas miratimit përfundimtar nga ana e KQZ-së». Kjo do të thotë se, subjekti zgjedhor që kandidon persona në kundërshtim me nenin ‘69’ të Kushtetutës dhe vetë kandidati, direkt apo indirekt, kanë pranuar edhe riskun e mundshëm.
Ja 14 kandidatët për deputetë të PD-së dhe PS-së që duhet të japin dorëheqjen nga postet dhe funksionet që mbajnë aktualisht:
KANDIDATËT E PD-së ME POSTE SHTETËRORE
Sahit Dollapi – Administrator i CEZ
Elvana Hana – Drejtoreshë e ISKSH-së
Jorida Tabaku – Nënkryetare e Bashkisë Tiranë
Keltis Kruja – Prefekti i Qarkut të Tiranës
Ivi Kaso – Drejtor i Departamentit të Kontrollit te Brendshëm dhe Anti-Korrupisonit
Andia Pustina – Drejtoresha e Përgjithshme e Taksave në Bashkinë e Tiranës
Vullnet Topalli – Drejtor i Policisë Bashkiake
Zamir Ramadani- Drejtor i Pergjithshëm i Hekurudhave
Helidon Bushati – Drejtor i QSUT-së
Voltana Ademi – Prefekte e Qarkut Shkodër
Krenar Alimehmeti- Administrator i klubit të futbollit, Tirana
Roland Keta- kryetar i Bashkisë Bulqizë
Rrahim Kaleci – Drejtor në Inspektoratin Kombëtar i Arsimit Parauniversitar
Kandidatë të PS-së
Lindita Nikolli – Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr. 1, Tiranë

Erdhi koha te rilindin edhe keto monstrat e vjetra komuniste, mendojne se i erdhi dita por te shohim a do ti lere Amerika e EU, sepse keta kelyshet e komunizmit e kane “dashur” shume Imperializmin Amerikan dhe Europen kapitaliste. Deri tani SHBA i ka lene ne opozite, te shohim me tutje…
O po ky Njazi Jaho vetemkushtetuten e Enverit dhe veprat e M-L din se gje tjeter jo
Po kryeministrin dhe te gjithe ministrat e drejtoret,a nuk jane FUNKSIONARE TE ADMINISTRATES PUBLIKE????
Po deputetet aktual???
LIGJET TONA JANE PACAVURE SE JURISTET TANE NUK I SHERBEJNE SHQIPERISE POR SUNDIMTARIT!!!