Kandidati për Kryeministër: Kushtet e Brexit mund të rinegociohen me BE-në

Edona Llukacaj

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, i cili është edhe kandidat për ta zëvendësuar Theresa May në postin e kryeministrit, tha sot se Kancelarja gjermane, Angela Merkel i kishte lënë të kuptohet se Bashkimi Evropian është i gatshëm të rinegociojë marrëveshjen e Brexitit dhe atë të kufirit me Irlandën që kundërshtohet fortë nga euroskeptikët.

Hunt tha se ka biseduar me Merkelin gjatë përkujtimit të D-Day (Zbarkimit të Forcave Aleate në Normandi) dhe se ndryshimi i marrëveshjes së arritur nga May për daljen e Britanisë nga BE-ja, është i mundshëm. Sipas tij Merkel ishte shprehur se me një kryeministër të ri të Britanisë, BE-ja mund të rinegocionte marrëveshjen duke marrë parasysh edhe zgjidhjet që kryeministri do të ofronte.

“Jam shumë i bindur se nëse kemi qasjen e duhur për këtë çështje, evropianët do të kenë vullnet që ta rinegociojmë marrëveshjen”, tha Hunt.

Pretendimi i hunt vjen përballë deklaratave të përsëritura të Brukselit se marrëveshja e Brexit nuk mund të rihapet për të ndryshuar kushtet e marrëveshjes për kufirin irlandez.  Kujtojmë se ashtu si Dita ka raportuar, kufijtë me Irlandën refuzohen nga euroskeptikët që nuk duan që Britania e Madhe të jetë pjesë e bashkësisë doganore për një kohë të pacaktuar.

Ndonëse Britania vitin e kaluar ka arritur një marrëveshje për daljen nga BE-ja, kujtojmë se parlamenti britanik e ka refuzuar atë në mënyrë të përsëritur, një prej arsyeve kryesore për dorëheqjen e Theresa May.

Sipas marrëveshjes, Britania duhet të largohet nga BE-ja përfundimisht më 31 tetor të këtij viti, mirëpo paraprakisht parlamenti duhet të miratojë kushtet e largimit, bën me dije Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

e.ll./dita

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *