Të diplomuarit në mësuesi, inxhinieri e ekonomik duhet të qëndrojnë për vite me radhë në listat e pritjes së Shërbimit Kombëtar të Punës, për të siguruar një mundësi punësimi
Pranvera Kola
Mbarimi i studimeve të larta nuk i ka ndihmuar dot mijëra qytetarë në vendin tonë që të sigurojnë një vend pune. Sipas të dhënave të raportuara nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, rezulton se rreth 5 për qind e punëkërkuesve që kanë arsim të lartë në Shqipëri, nuk merren në punë. Shkaqet se pse ndodh kjo gjë, pohohet të jenë fakti që janë shumë të rinj dhe u mungon eksperienca e punës, si dhe për ata që janë në moshë më të madhe, thuhet se kanë njohuri të vjetëruara. Lista e punëkërkuese që kanë mbaruar arsimin e lartë në zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punës, ka pësuar rritje të ndjeshme vit pas viti, ndërkohë që përball fluksit të lartë të kërkesave, ofertat për vende pune pothuajse janë të papërfillshme. Pjesa dërrmuese e këtyre punëkërkuesve janë diplomuar në degë që kanë të bëjnë me mësuesinë, inxhienirinë, ekonomikun etj. Tendencat e tregut të punës gjatë viteve të fundit kanë pësuar ndryshime duke i lënë më shumë vend zanateve dhe arsimit të mesëm profesional. Më problematik sipas ekspertëve të punësimit, ky fenomen raportohet të jetë në rrethe ku mundësitë janë edhe më të vogla. “Kemi pesë për qind të të papunëve të regjistruar në zyrat e punësimit që kanë një arsim të lartë. Një kategori janë ato me moshë relativisht të madhe që kanë një profesion të pakërkuar nga tregu i punës sot, ose i kërkuar në një formë tjetër, të ardhur nga zhvillimet e teknologjisë, duke bërë që ato njohuri që kanë marrë në kohën kur kanë mbaruar studimet të mos jenë të vlefshme sot. Sidomos arsimtarët, ose edhe inxhinierit. Kemi edhe kategoritë e studentëve të sapodiplomuar që kanë mbaruar një shkollë, kërkojnë një punë, por që u mungon eksperienca e duhur”, bën të ditur shefja e statistikave në shërbimin kombëtar të punës Etleva Ngjela. Duke iu referuar ofertave të bëra për vende të reja pune rezulton se shumica e punëmarrësve kërkojnë punëtorë me arsim të mesëm dhe profesional, duke marrë përsipër edhe kualifikimin dhe trajnimin e personelit të zgjedhur sipas kërkesave të punës që ofrojnë. Ngjela shton më tej se raporti i kërkesave për punë dhe ofertave është në raport shqetësues. Kjo pasi raporti kërkesë-ofertë në zyrat e punës është 1 për 10 punëkërkues. Mbi 140 mijë është numri i personave të regjistruar pranë këtij shërbimi në kërkim të një vendi pune. Ndërkohë që vetëm 14 mijë është numri i vendeve të punës që ofrohen kundrejt një fluksi kaq të lartë kërkesash. Sipas Shërbimit Kombëtar të Punës, ky raport i ashpër në tregun e punës ka bërë që mbi 63 për qind e të papunëve të qëndrojnë në listë, për vite më radhë. Më fatlumët janë ata persona që drejtohen sipërmarrjeve individuale për të vënë në pune diplomën e fituar në profilet e caktuara, teksa edhe kjo kategori mbetet e kufizuar. Të tjerët që nuk kanë një mundësi të tillë duhet të presin me vite të tëra në listat e punëkërkuesve me shpresën se mbase ndonjë ditë fati do të buzëqeshë edhe për ta. “Kemi me arsim të mesëm ose dhe arsim profesional të regjistruar pranë zyrave tona të punësimit. Rreth 40 për qind e ofertave për punë janë për zejtar, atëherë pse rrinë të papunë? Rrinë të papunë për arsye se ka një zhvillim të madh teknologjik në ndërmarrjet tona, në të gjitha fushat dhe në këtë rast janë vetë ndërmarrjet që parashikojnë trajnime nëpërmjet punës, qoftë edhe vetë në mënyrë individuale por qoftë në bashkëpunim me qendrat tona të formimit profesional”, shton më tej Ngjela.
Tabelë
Mbi 5 për qind e personave me arsim të lartë nuk merren në punë
Raporti ofertë-kërkesë në zyrat e punës është 1 me 10
Mbi 140 mijë është numri i punëkërkuesve në listat e pritjes
Vetëm 14 mijë mund të sigurojnë një mundësi punësimi
Rreth 40 për qind e ofertave shkojnë për zanatçinjtë