Pas lajmit se dy gazetarë janë kërcënuar në Librazhd pasi po investigonin shkatërrimin e pyjeve në këtë zonë, ka reaguar edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive.
AMA kërkon nga organet kompetente që sa më parë të zbardhen rrethanat e plota të ngjarjes dhe të përgjigjen para drejtësisë personat e përfshirë direkt ose indirekt.
“AMA, ka përcjellë me shqetësim ngjarjen e fundit të dy reporterëve televizivë, Agim Blloshmi dhe Kristaq Binjaku, të cilët në mbrëmjen e datës 19 maj 2015, jo vetëm janë penguar në kryerjen e detyrës së tyre, por dhe janë qëlluar dhe janë mbajtur peng nga persona të armatosur, në zonën rurale të rrethit të Librazhdit, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
Dy gazetarët kanë qenë në përmbushje të detyrës duke investiguar mbi një rast të shkeljes së ligjit dhe goditja ndaj tyre është një akt i dënueshëm kundër fjalës së lirë dhe angazhimit profesional të komunitetit të medias për informimin e publikut”, thuhet në deklaratën e tyre.
