Trafikantët e drogës duket se të dielën e kanë ditën më të ngarkuar të punës. Të paktën 130 kg marijuanë janë sekuestruar në afërsi të kufirit shqiptaro-grek ditën e djeshme, në dy raste të veçuara. 106 kg marijuanë u sekuestruan në fshatin Kouklis, mes Janinës dhe Gjirokastrës. Lënda e vendosur në 4 valixhe ishte braktisur nga trafikantët, të cilët kishin tentuar ta trafikonin drejt Greqisë.
Ndërkohë, 25 kg të tjera marijuanë janë kapur gjatë një kontrolli në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë. Lënda ishte e paketuar në 2 pako të mëdha dhe ishte fshehur në shasinë e automjetit kamion me targa GJ5879 A, i cili kishte destinacion Greqinë. Policia arrestoi drejtuesin e kamionit, 58-vjeçarin A.Mullaj, i cili e kishte marrë marijuanën në Lazarat dhe synonte ta çonte në Selanik.