324 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë janë sekuestruar sot në kufirin Shqipëri-Greqi, nga policia e shtetit fqinj. Droga është kapur në pyllin Paliopirgo, që ndodhet midis Gjirokastrës dhe Janinës, ku është vënë në pranga edhe njëri prej transportuesve.
Sipas policisë greke, i arrestuari është një shtetas shqiptar me moshë rreth 45 vjeç. Në momentin e pikasjes nga policia, personi në fjalë i printe një grupi transportuesish me çanta në shpinë. Ata kanë përfituar nga errësira për t’u larguar sërish drejt tokës shqiptare, ndërsa policia ka mundur të vërë në pranga vetëm drejtuesin e grupit. Lënda narkotike, e cila dyshohet se vinte nga Lazarati, ishte futur në 11 çanta.
