Kapen 350 kg drogë Lazarati, ikin korrierët

anazapta

Goditet një tjetër rast i trafikut të narkotikëve nga Sektori Kundër Narkotikëve në aksin Gjirokastër-Tepelenë, ndërsa janë sekuestruar 350 kg marijuanë Lazarati, që po tentohej të trafikohej drejt Italisë. Kurse dy korrierët u shpallën në kërkim, duke arritur të largoheshin nga vendngjarja pas braktisjes së mjetit që u doli jashtë kontrolli në ndjekje policore. 

Operacioni është koduar “Tuareg” gjatë mesnatës të së hënës, kur u mor edhe informacioni në rrugë operative se nga fshati Lazarat kishte dalë një automjet që transportonte drogë. Rreth orës 00:30, në drejtim të fshatit Golem, janë nisur një grup agjentësh dhe shërbime përforcuese të rendit. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve lokalizuan mjetin në lëvizje tip “Tuareg”, me targa AT724AY, ku drejtuesi i automjetit dhe shoqëruesi mundën të largohen duke përfituar nga errësira dhe terreni mjaft i vështirë, sapo hasën lëvizjet e agjentëve.

Policia është vënë në ndjekje të mjetit për metra të tëra, por autorët dolën nga aksi kryesor, braktisën makinën dhe u futën në zonën e pyllëzuar, duke përfituar edhe nga terreni i vështirë dhe errësira. Burime policore thanë se kanë bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të të dyshuarve, por nuk dhanë identitetin e tyre për shkak të hetimeve.

Nga kontrolli rezultoi se në brendësi të mjetit u gjetën 300 pako të mbështjella me super ambalazh, me letër alumini, të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë, me peshë të ndryshme, gjithsej rreth 350 kilogramë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa dy të dyshuarit, për të cilët u dhanë inicialet D. R., dhe A. S., u shpallën në kërkim për veprën penale  “prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Destinacion i drogës dyshohet se ka qenë Italia, ndërsa hetime po kryhen edhe për personat që kanë shitur sasinë e madhe të drogës, që shkon në vlerën e mbi 200 mijë eurove me çmimin e shumicës. Policia ka ushtruar kontrolle dhe ngritur postblloqe në të gjithë aksin Gjirokastër-Tepelenë, madje dhe kontrolle banesash, me qëllim kapjen e të dyshuarve. Ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër, për verime të mëtejshme.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *