Dy ngarkesa droge heroinë dhe hashash u sekuestruan brenda pak orësh gjatë ditës së djeshme dhe një mjet lundrues gomone 10 metra e gjatë u bllokua në bregdetin e Divjakës. Policia sekuestroi 3,5 kg heroinë dhe 60 kg hashash, ndërsa ndaloi drejtuesin durrsak të një veture si trafikant, kurse skafistët mundën të arratiseshin duke braktisur gomonen me gjithë hashash në bordin e saj. Policia tha se destinacion ka qenë Italia për të dyja ngarkesat.
Fier
Agjentët e Antidrogës në policinë e Fierit, në kuadër të një operacioni për të cilin punohej prej disa ditësh, ndaluan mëngjesin e djeshëm Mariglen Aliaj, 37 vjeç, banues në Durrës. Në aksin rrugor Fier-Lushnjë, në fshatin Mbrostar-Ura, gjatë kontrollit në postbllok që iu bë mjetit tip “Benz”, me targa AA666HO, që drejtohej nga i dyshuari, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 pako me lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, me peshë totale prej 3,5 kg. Krahas lëndës narkotike me cilësinë e provës material u sekuestrua dhe mjeti tip “Benz”, me targa AA666HO. Dyshohet se droga ishte blerë në qytetin e Fierit dhe destinacioni i parë ishte qyteti bregdetar i Durrësit dhe më tej Italia. Gjithsesi i dyshuari po merret në pyetje për të zbardhur rrjetin kriminal, ndërsa vlera e heroinës së kapur shkon në rreth 100 mijë euro në treg. Ndaj Aliajt u ngrit akuza e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.
Divjakë
Një gomone, në bordin e të cilës gjendeshin 60 kg drogë, u sekuestrua në bregdetin e Divjakës mëngjesin e djeshëm, me destinacion Italinë. Burime zyrtare nga policia e Lushnjës bënë me dije se aksioni u krye rreth orës 09:00, në vendin e quajtur “Gryka e Dajlanit”, në Divjakë, ndërsa është marrë një informacion në rrugë operative se një mjet lundrues ndodhej afër grykëderdhjes së Semanit. Uniformat blu konstatuan një gomone rreth 10 metra e gjatë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat policore dhe kanë nisur kryerjen e veprimeve të para hetimore. Në gomone është gjetur edhe një çantë me sasi rreth 60 kg lëndë e dyshuar kanabis sativa. Por nuk u zbulua asnjë person, ndërsa dyshohet se trafikantët dhe skafistët kanë braktisur mjetin pasi pikasën afrimin e policisë. Po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe identifikimin e kapjen e autorëve të këtij trafiku. Kjo është gomonia e tretë që kapet në harkun kohor të një muaji, pas dy mjeteve lundruese në gjirin e Vlorës.
