Policia ndaloi dje 14 shtetas të huaj, ndërsa prangosi dy shqiptarë të cilët i kishin ndihmuar për të kaluar në mënyrë ilegale kufirin. Sipas policisë, rreth orës 16:00, në afërsi të fshatit Luzat të rrethit Tepelenë janë konstatuar disa shtetas të huaj të cilët mbanin çanta të vogla në shpine dhe shoqëroheshin nga dy shtetas nga fshati Luzat i rrethit Tepelenë. Nga ana e policisë është kërkuar që të ndalojnë, por dy shtetasit nga fshati Luzat janë larguar me vrap. Ata janë kapur disa minuta më pas dhe janë shoqërura në polici.
Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit e huaj të ndihmuar nga dy shtetasit nga fshati Luzat për t’iu shmangur postbllokut të Policisë në Ujin e Ftohtë Tepelenë kanë kaluar me këmbë nëpërmjet Pyllit të Ujit të Ftohtë. Shtetasit nga fshati Luzat do t’i ndihmonin këta shtetas deri në Tiranë kundrejt një shpërblimi prej 600 euro secili. Të arrestuarit janë: Barjam dhe Qëndrim Qibini, ndërsa janë ndaluar 14 shtetas të huaj nga Algjeria, Tunizia dhe Siria të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek.
.