Ditët e fundit po lexojmë nëpër gazeta “shqetësimin e madh” që na paskan disa intelektualë për moskalimin në Kuvend të tre ligjeve që penguakanë Shqipërinë të integrohet në Bashkimin Evropian. Dhe këtë pengesë e shkaktuaka opozita që nuk i voton ligjet. Për këtë ata bëhen firmëtarë të një peticioni drejtuar kreut të Opozitës që t’u japë urdhër deputetëve të saj t’i votojnë ato ligje.
I pyesim firmëtarët, a e dinë ata që nuk janë këto ligje pengesë, por moszbatimi i ligjit nga qeveritarët që kapen duke vrarë e duke vjedhur dhe nuk gjykohen e dënohen sipas ligjeve? A e dinë ata se Evropa dhe Amerika kërkojnë në radhë të parë zgjedhje të lira e të ndershme, pa manipulime e vjedhje dhe ato varen nga qeveria e jo nga opozita? Po për ngjarjet e Gërdecit e të 21 janarit kur qeveria vrau si pa të keq 4 protestues para kryeministrisë, për historinë e shëmtuar në qarkun e Fierit, ku nuk zbatohen vendimet gjyqësore, për korrupsionin e të korruptuarit deri në kupolën shtetërore e të tjera e të tjera, pse nuk shqetësohen këta zotërinj dhe t’i bëjnë peticione kryeministrit, ku t’i kërkojnë që fajtorët e këtyre krimeve e padrejtësive t’i jepen gjyqit?!
Zotërinj, nëse me të vërtetë ju ha meraku për pranimin e vendit tonë në gjirin e Bashkimit Evropian, duhet ta kapni demin nga brirët, siç thotë një fjalë e urtë e popullit tonë. Dhe demi është Kryeministri me suitën e tij e jo opozita. Por juve nuk ju ha meraku për sa sipër , po meraku i servilizmit ndaj kryeministrit për të siguruar rroga të majme.
Opinion i nënshkruar: Seit Jonuzaj