Kapiteni i Newcastle pranon: Kam nevojë për psikolog

Gazeta Dita

Mesfushori i Newcastle, Jonjo Shelvey po shkon te psikologu për të kontrolluar tërbimin e brendshëm, që shpesh herë e ka penguar në karrierën e tij. Shelvey mori karton të kuq në ndeshjen e parë të Premier League, si pasojë e një faulli të shkaktuar ndaj Dele Alli gjatë humbjes 2-0 që skuadra e tij pësoi ndaj Tottenham, ditën e diel. 25-vjeçari nuk do të luajë deri më 10 shtator dhe ka pranuar se ka nevojë për ndihmën e psikologut për të kontrolluar sjelljen e tij.

“Faktikisht kam mësuar të qëndroj me kokën poshtë dhe të mendoj vetëm për futbollin e luajtur, por ndaj Tottenham rashë sërish në gracë dhe për këtë më vjen shumë keq”

Vetë Shelvey zbulon që ka nisur të takojë një psikolog që pas kartonit të kuq të marrë në kampionatin e kaluar kundër Nottingham Forest. “Ndonjëherë kam nevojë të jem më i kontrolluar në veprimet e mia në fushën e lojës dhe për këtë po më ndihmon një psikolog, – tha Shelvey, që në të kaluarën ka luajtur për Liverpool. – Më duhet të mbyll gojën dhe të ndryshoj sjelljen. Nuk duhet të bëj më veprime si të isha një fëmijë dhe fatkeqësisht kjo u përsërit ndaj Tottenham.”

“Kur njerëzit më provokojnë më duhet vetëm të qesh dhe të mos e humbas kontrollin, duke dalë nga vetja me veprime të gabuar, – vazhdoi mesfushori i Newcastle. – Faktikisht kam mësuar të qëndroj me kokën poshtë dhe të mendoj vetëm për futbollin e luajtur, por ndaj Tottenham rashë sërish në gracë dhe për këtë më vjen shumë keq. Ndonjëherë e humbas kontrollin dhe kam kërkuar ndihmën e të gjithëve që kjo të mos përsëritet. I kam kërkuar falje shokëve të ekipit dhe trajnerit.”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *