Kur kolaboracionistët shqiptarë ndërronin padronin: Takimi i kryeministrit Eqrem bej Libohova dhe Ministrit të Brendshëm Kol Bibë Mirakaj me gjermanët

J L

 

Prof.Asoc.Dr. Marenglen Kasmi

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Më 26 gusht 1943 kryeministri Eqrem bej Libohova bëri një takim në shtabin gjerman në Tiranë. Ai shoqërohej në këtë takim nga një major i veshur me uniformë italiane, por që nuk i përmendet emri, si edhe nga një përkthyes. Libohova u prit nga pala gjermane nga gjeneralmajor Bessell-i, major Schlubeck-u dhe toger Dr. Dusini.

Kryeministri Libohova u rrek në bisedën e tij të sqaronte arsyet e suksesit të propagandës së armikut gjatë luftës. Sipas shpjegimeve që ai u dha gjermanëve, një ndër arsyet kryesore për zgjerimin dhe suksesin e propagandës komuniste ishte shkrirja e organeve të sigurimit publik vendëse, pra xhandarmërisë dhe policisë dhe zëvendësimi i tyre me italianë, sidomos me karabinierë. Këto organe italiane nuk kishin kontakt me popullsinë sepse nuk e flisnin gjuhën dhe po ashtu nuk e njihnin popullin shqiptar. Si rrjedhim, populli nuk kishte besim te këta mbrojtës të huaj të rendit publik dhe rrjedhimisht policia e re nuk vihej asnjëherë në korrent të ngjarjeve dhe punonte gjithnjë në hava. Gjithmonë sipas tij, “këtë gjendje e shfrytëzoi me marifet propaganda armike duke u mbështetur sidomos në inteligjencën e vogël të vendit (mësues etj.), të cilët për arsye të arsimit gjysmak numëroheshin në pikëpamje materiale ndër elementët më të pakënaqur. Këta elementë ishin para së gjithash simpatizantë të ideve komuniste, të cilët për arsye të strukturës shoqërore as që pranoheshin fare nga pjesa tjetër e popullsisë”.

Nga përmbledhja që major dr. Dusini i bën bisedës bie në sy se në të nuk është folur për gjëra të rëndësishme dhe thelbësore. Edhe argumentimi që Libohova i bën suksesit të propagandës komuniste është tejet naiv. Një nga arsyet e kësaj bisede të përciptë mund të jetë fakti që Libohova nuk konsiderohej më nga gjermanët si njeri me kredibilitet. Madje ai shikohej si i diskredituar në sytë e shqiptarëve, për shkak të bashkëpunimit dhe shërbimit që i kishte bërë italianëve.

Kol Bibë Mirakaj

***

Shumë më domethënës është takimi që disa ditë më vonë zhvilloi me gjermanët ministri Kol Bib Mirakaj. Më 8 shtator 1943, sapo u bë publik kapitullimi i ushtrisë italiane, në mbrëmje vonë ministri i Brendshëm Mirakaj i kërkoi një takim gjeneralit gjerman, Gnamm. Ndër të tjera i tha atij se ai ishte në gjendje që brenda një kohe të shkurtër të mobilizonte 40.000 shqiptarë për të goditur italianët.

Oferta e ministrit Mirakaj nuk do të kalonte pa u dëgjuar nga gjermanët. Një ditë më vonë, në datën 9 shtator, majori Distler i kërkoi konsullit të përgjithshëm gjerman Schliep që t’i ndërmjetësonte një takim me ministrin e Brendshëm Mirakaj. Takimi u zhvillua në Konsullatën e Përgjithshme Gjermane në orën 15:00. Në takim merrnin pjesë ministri Mirakaj, majori gjerman Distler, konsulli i përgjithshëm Schliep dhe konsulli Merfels.

Majori Distler e ka raportuar si më poshtë përmbajtjen e këtij takimi, të cilin po e japim të plotë: “[…] Pas shpjegimeve të gjata të Kol Bibë Mirakajt mbi okupimin e Shqipërisë nga italianët dhe zhvillimin e raporteve deri kohët e fundit, Kol Bib Mirakaj iu përgjigj pyetjes së bërë prej meje se ku, me çfarë fuqie, nën udhëheqjen e kujt, në çfarë kushtesh dhe para së gjithash kur mund të organizohet numri i vullnetarëve të deklaruar prej tij.

Kol Bib Mirakaj deklaroi fillimisht se praktikisht në këtë moment qeveria shqiptare nuk disponon forca. Milicia qëndron nën komandën italiane dhe numri i xhandarëve që kishte në dispozicion ministri ishte shumë i vogël dhe veç kësaj, ata ishin të vendosur vetëm në Tiranë.

Megjithatë ai theksoi se është në gjendje të grumbullojë rreth 50.000 burra nga krahinat e Kosovës dhe malësia e Shqipërisë Veriore (malësia e Shkodrës), të cilët duke u shpërblyer, ushqyer dhe armatosur prej nesh (gjermanëve) do të luftonin së bashku me ne kundër Aleatëve.

Veç kësaj, ai garanton se me 20.000 xhandarë të tjerë, të cilët ai mund t’i organizojë brenda një afati të shkurtër nga rekrutimi vullnetar, ai është ne gjendje të vendosë në vend qetësinë që kërcënohet nga bandat nacionale dhe ato komuniste. Ai u kishte parashtruar që para disa muajsh propozime italianëve për këtë gjë dhe u kishte kërkuar atyre që të organizohej të paktën një xhandarmëri prej 8.000 burrash. Por ai mbahej gjithmonë me premtime nga italianët dhe së fundmi iu tha se propozimi i tij nuk mund të merrej parasysh. Edhe shpërblimi dhe armatimi i kësaj xhandarmërie, e cila mund të sigurojë lidhjet e prapavijës sonë (gjermane) në rast mbrojtjeje të bregdetit, duhej të merrej përsipër prej nesh (gjermanëve) sepse arka e shtetit është bosh, pasi italianët kishin paguar gjithçka deri në këtë kohë.

Pyetjes që unë i bëra troç, nëse ai vërtet beson se shqiptarët do të luftonin në anën tonë dhe kundër Aleatëve, K.B.M iu përgjigj se ai është i bindur për këtë. Shqiptarët e dinin se vetëm nga Gjermania mund të prisnin ndihmë e  përkrahje, ndërkohë që prej Aleatëve pritej vetëm ndarja e tyre mes serbëve, malazezëve dhe grekëve. Pakica komuniste në vend, e cila mban anën serbo-grekofile mendon vërtet ndryshe. Prej këtyre komunistëve u kryen edhe sulmet e fundit mbi italianët dhe gjermanët. Por, pjesa më e madhe e shqiptarëve është nacionaliste dhe për arsyet e mësipërme nuk ka besim tek Aleatët dhe është e papajtueshme me ata. Aq më tepër për faktin se në fjalimin e tij të fundit Churchill-i foli për Greqinë, Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa Shqipërinë nuk e përmendi fare.

Në vazhdim të bashkëbisedimit K.B.M foli edhe për çështjen e dy oficerëve dhe dhjetë ushtarëve gjermanë të rrëmbyer para pak kohësh nga komunistët. Lidhur me këtë gjë ai tha se sipas hetimeve të bëra, deri pardje (dmth. 7 shtator – shën. im) të rrëmbyerit ishin ende në jetë. Udhëheqësi i bandës dihet se kush është. Mirakaj ka dhënë urdhër që të arrestohen babai dhe xhaxhai i udhëheqësit të bandës. Tani çështja qëndron në duar të italianëve që marrin në pyetje të arrestuarit, të cilët gjatë hetimit kanë deklaruar se robërit ndërkohë janë liruar. Vendi ku banonte banda që organizoi rrëmbimin u shkatërrua gjatë aksionit të pastrimit nga trupat gjermane. K.B.M e vlerësoi këtë masë të marrë si të mirë dhe të drejtë, pasi këtë herë nuk u prekën të pafajshëm. Veç kësaj ai u shpreh edhe vetë për veprime rigoroze kundër bandave komuniste.

Pastaj K.B.M përmendi shqiptarët e shumtë që janë arrestuar prej italianëve, pjesa dërrmuese e të cilëve janë krejtësisht të pafajshëm dhe që e vetmja gjë për të cilën akuzohen është simpatia që ata kanë për Gjermaninë. Në një nga takimet e tij të sotme me ekselencë Dalmazzo-n, Kol Biba iu lut atij që t’i jepte një listë të të arrestuarve dhe ky të përcaktonte cilët ishin të pafajshëm. Ekselencë Dalmazzo-ja është dakord me këtë propozim.

Së fundmi, Kol Bibë Mirakaj tha gjithashtu se sot në mëngjes u mblodh Këshilli i Ministrave dhe në vazhdim të punimeve të tij një ministër propozoi se duke marrë parasysh ngjarjet e fundit në Itali, qeveria duhej të jepte dorëheqjen. Ky propozim nuk ishte miratuar pas kundërshtimit të tij, sepse ai ishte i mendimit se qeveria shqiptare i qëndron besnike interesave shqiptare dhe nuk ka asnjë arsye të japë dorëheqjen, nëse Italia kërkon të bëjë vetëvrasje nëpërmjet politikës së saj të re që po ndjek”.

“Unë e falënderova ekselencën e tij Kol Bibë Mirakaj, i cili flet pak gjermanisht dhe rrjedhshëm italisht, për shpjegimet e tij konfidenciale dhe i premtova atij se do të raportoja menjëherë tek eprorët e mi për përmbajtjen e kësaj bisede dhe që në kohën e duhur do të flisnim përsëri”, e mbyll raportin e tij majori Distler.

Eqrem Bej Libohova

***

Pavarësisht propozimit të ministrit Mirakaj dhe për më tepër duke pasur parasysh nevojën për trupa ndihmëse që gjermanët kishin në këtë kohë, ata nuk e morën parasysh ndihmën e ofruar. Në asnjë dokument që pasqyron diskutimet e kryera në instancat e larta politike dhe ushtarake gjermane të kësaj kohe, nuk përmendet me asnjë fjalë propozimi i ministrit Mirakaj. Premtimi i tij për të mobilizuar për llogari të gjermanëve një numër kaq të madh shqiptarësh dukej i pabesueshëm për gjermanët. Për më tepër që, në vlerësimin që konsulli i përgjithshëm Schliep i bënte klasës politike shqiptare në fillim të gushtit 1943, ai rekomandonte se me qeverinë e kryeministrit Libohova nuk duhej të bashkëpunohej në asnjë mënyrë, se ajo ishte zgjedhur nga italianët.

Po ashtu edhe në një takim të rëndësishëm që u zhvillua një ditë më vonë, më 10 shtator, në Tiranë ku merrte pjesë ministri Neubacher, komandanti i Divizionit 100 Malor, gjenerali Utz, gjenerali Bessell, majori Schlubeck dhe majori Distler që një ditë më parë kishte folur me ministrin Mirakaj, nuk pasqyrohet asgjë për këtë propozim. Madje, ministri Neubacher, si përfaqësuesi i drejtpërdrejtë i Hitler-it përcaktoi vijën politike dhe ushtarake që duhej të ndiqej, duke urdhëruar si më poshtë:

“Detyra më e rëndësishme që më ka dhënë Fyhrer-i është çarmatosja e shqiptarëve dhe bandave shqiptare.

Kemi ndër mend të shpallim një proklamatë duke e publikuar atë sikur vjen nga vetë shqiptarët.

Politika e përgjithshme do të jetë:

  • Do të premtojmë vetëm aq sa mund të mbajmë;
  • Duhet fshehur karakteri ushtarak i administratës;
  • Nuk kemi ndër mend të lejojmë ndikimin bullgar në Shqipëri;
  • Nuk do të konfrontohemi me shqiptarët;
  • Do të bëjmë që kryeministri shqiptar të arratiset.
  • Gjeneral Dalmazzo-ja ka dhënë urdhër që vullnetarët shqiptarë në krahinën e Kosovës të kalojnë në anën tonë;
  • Politikisht nuk do të na sillte ndonjë dobi të merrnim reparte italiane; kjo nuk do të kishte efekt të mirë te shqiptarët;
  • Edhe në Ballkan donim të mbanim një linjë të qartë, gjë e cila deri tani për shkak të ngarkesës së madhe të hipotekës italiane nuk ka qenë e mundur.
  • Duam të qeverisim, por edhe të mos qeverisim. Nuk presim që ata të lexojnë menjëherë mitin e shekullit XX; duam të krijojmë këtu (në Shqipëri) vetëm një bërthamë të qëndrueshme për konsolidimin e Ballkanit.
  • Duhet të përshpejtohet çarmatosja dhe ngritja e rendit të ri politik.
  • Ne bëjmë politikën gjermane në Ballkan. Do të japim premtime dhe këto do t’i përmbushim shpejt”.
Peter A. Harapi

Në dokumentin e sipërcituar, prej të cilit për fat të keq kemi vetëm faqen e parë, pasqyrohet qartë vija politike që duhej të ndiqej nga gjermanët në Shqipëri. Po ashtu, në të thuhet qartë se gjermanët duan të iniciojnë largimin e kryeministrit Libohova nga Shqipëria. Dhe kështu do të ndodhte. Eqrem Libohova u largua më 10 shtator me avion për në Romë me mbështetjen e gjermanëve. Përvoja tregoi se gjermanët jo vetëm që nuk afruan asnjë nga politikanët shqiptarë që kishin bashkëpunuar më parë me italianët, por edhe e ndiqnin aktivitetin e tyre me kujdes. Në një telegram që Komanda e Lartë e Armatës Tankiste 2 në Beograd i dërgonte më 2 dhjetor 1943 Komandës së Grupimit Tokësor E, e njoftonte atë për masat që po merreshin nga Mustafa Kruja për krijimin e një qeverie paralele në Shkodër, e cila do të ishte kundër qeverisë progjermane të Rexhep Mitrovicës në Tiranë. Në të thuhet: “Pandeli Papalillo është parashikuar të jetë kryeministër. Ministra: Kol Bibë Mirakaj, Gjon Markagjoni, Profesor Ernest Koliqi, ish-përfaqësuesi i Shqipërisë në Romë, Xhevat Korça, ministër Arsimi, dr. Hamdi Kërçiku është parashikuar si ministër Financash. Gjithë anëtarët e kësaj qeverie paralele janë fashistë. Drejtimi i tyre politik është pro Boshtit, por sipas këndvështrimit fashist. Nuk mendojnë të rithemelojnë një parti shqiptare fashiste. Shprehen se duan me çdo mjet të rrëzojnë qeverinë aktuale. Donin të organizonin një marshim drejt Tiranës, por hoqën dorë si pasojë e vështirësive të shumta. Kanë shumë para në dispozicion. Deklarojnë se nëse nuk do ta realizojnë dot tani grushtin e shtetit do të shtojnë propagandën për të përgatitur një puç tjetër në të ardhmen. Deri tani kanë bërë vetëm propagandë verbale, por shpejt do të kalojnë në propagandë me fletëpalosje. Vendi i takimit të qeverisë paralele në Tiranë është shtëpia e Hamdi Kerçikut. Mund të mendohet se kjo qeveri paralele do të tentojë të dëmtojë qeverinë aktuale te drejtuesit e Boshtit duke përdorur lidhjet e vjetra të Mussolini-t”. Megjithatë, von Scheiger si njohës i mirë i shqiptarëve dhe i situatës politike në vend nuk u shqetësua nga ky njoftim dhe nuk e vlerësoi këtë zhvillim si të rrezikshëm për gjermanët. Ai shkroi në fund të shkresës se me këtë informacion duhej të njihej vetëm ministri Neubacher. Përvoja historike tregoi se ai e kishte vlerësuar drejt këtë gjë.

____

Botuar në DITA

Share This Article
10 Comments
  • Nuk bashkepunoi me Talibanet..
    Bashkepunoi me gjermanet..
    Ooo sa mire e beri!
    Nuk bashkepunoi me Talibanet serbo-malazes dhe muxhahidinet katundare.
    Marenglen,,Historine e Revolucionist komunist e shkroive..Shko ne Kandahar te shkruash edhe historine e Revolucionit Taliban..
    Jeni e njejta ftyre,te dale nga e njejta shpelle.

    • Saktë. Marks-Engelsi-Lenini eshte “historian” me plagjarizem dokumentash arkivore.
      Per specie te tilla ishte dhe është gje e mire qe sllavo-komunistet shqipfoles, tradhtare te kombit shqiptar, te ishin kollaboracioniste (bashkepunetore) te serbeve, sllaveve, ruseve.

      • Ne fakt, do ishte mirë të botohej edhe bashkëpunimi i këtyre baballarëve të kombit me UDB-ne pas lufte, si Koliqi, Kol Biba etj., për rrëzimin e qeverisë së Tiranës. Vesi mbetet ves, nuk rrinin dot pa padron e pa tradheti. Dhe flasin tani qiqra në hell dhe akuzojnë Enver Hoxhën për gjithçka.

    • keta e kishin ber shqiperine si portugalia, spanja, greqia hoxhistet e cuan ne kine. hajde mbushi mendjen maringlenit qe e ka gabim.

      • Po po Arjan ke të drejtë, do t’a kishin bërë padiskutim Shqipërinë fushë me lule. Nuk kish si të mos e bënin me Dushan Mugoshen në krye të Komitetit të Prizrenit të UDB-se në 1950 dhe këta si larot e tij. Kur Mugosha ishte në Shqipëri gjatë luftës ishte i keq, me pas u be i mirë, kur shfrytëzonte gjithë emigracionin politik shqiptar me Koliq & co. për t’i bërë gropën Shqipërisë e Kosovës.

  • Qeveria komuniste e Enver Hoxhes u bashkua me traktatin e varshaves,me rusin per te luftuar ameriken.Tani qeveria eshte bashkuar me nato-n ,ameriken per te luftuar rusin.Po e pyes Profesorin Marenglen si e kupton kete lekundje te shqiptareve,pa nje bosht.?

  • Cila nga keto dy qeveri quhet KOLABORACIONISTE?Sepse u nderrua padroni( ne se quan rusin,kinezin dhe ameriken).

  • Shqiptaret jane mercenare si fise, historia e tyre e tregon qarte, skandali me i madh eshte bashkjetesa vellavrasese 44÷90, per tecilen akoma nuk kane kerkuar falje dhe pendese,……dhe as kane per ta kerkuar sespse krimin e kane ne gjak

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *