Prof. Asoc. Dr. Marenglen KASMI
(Vijon nga numri i kaluar)
Pushtuesit e rinj gjermanë bënë çarmatosjen e trupave italiane
Ndërkohë lëvizja e trupave gjermane drejt Shqipërisë nuk kishte vazhduar pa përplasje me armë ndërmjet gjermanëve dhe italianëve. Sidomos në rajonin e Dubrovnikut në Kroaci u raportuan beteja të përgjakshme ndërmjet ushtrisë italiane dhe divizionit vullnetar SS “Prinz Eugen”. Ky divizion përbëhej kryesisht nga ushtarë-SS vullnetarë me prejardhje nga pakicat gjermane që jetonin jashtë Gjermanisë, të njohur për brutalitetin e tyre.
Ndërkohë në afërsi të Tiranës, Myslim Peza së bashku me misionin britanik të atashuar pranë forcave të tij partizane i bënte thirrje ushtrisë italiane të dorëzonte armët. Madje, situata u bë më alarmante në pasditen e datës 9 shtator, kur erdhi lajmi se forca partizane po marshonin drejt Tiranës. Në mbrëmje të po kësaj dite mbërriti me avion nga Kraleva e Serbisë gjenerali Bessell, i shoqëruar nga një kompani parashutistësh gjermanë. Po në këtë mbrëmje, mbërriti në Tiranë edhe pararoja e Div. 100 të Këmbësorisë Gjermane nën drejtimin e majorit Laubner.
Në mëngjesin e 9 shtatorit, oficeri i zbulimit i Shtabit Gjerman të Ndërlidhjes, majori Distler pati një bashkëbisedim me homologun e tij të Armatës së 9-të Italiane, majorin de Mateis, i cili e kishte kërkuar takimin. De Mateis-i konsiderohej si njeriu i besuar i gjeneralit Dalmazzo dhe i bëri një ofertë majorit gjerman. Në këtë bisedë, oficeri italian la të kuptohej se gjenerali Dalmazzo mendonte ende që të vazhdonte luftën përkrah gjermanëve. Për këtë gjë u raportua menjëherë në Komandën e Lartë të Juglindjes, në Beograd si më poshtë: “[…] kundërshti të forta ndërmjet Rossi-t dhe Dalmazzo-s. Me gjasë, 60% e oficerëve të Grup-armatës dhe Armatës së 9-të janë kundër dorëzimit dhe janë të gatshëm të na mbështesin ne pa kushte. Kushti për këtë gjë është mosçarmatosja e tyre ose zbatimi i kushteve të ngjashme që nuk e dëmtojnë nderin e ushtarakut. […] një njeri i besuar i ka propozuar Dalmazzo-s të marrë iniciativën dhe të shpallë një lloj diktature ushtarake me tendencë fashiste dhe nacionalsocialiste. (Dalmazzo është një fashist i besuar dhe shok i Duçes)”.
Në mbrëmje, në orën 21:00 Dalmazzo-ja u takua për herë të parë me gjeneralin gjerman Bessell, për të folur personalisht për situatën. Dalmazzo-ja i shprehu qëndrimin e tij gjeneralit gjerman se nuk do t’i pengonte trupat gjermane të merrnin portet detare dhe dëshironte që trupat italiane të grumbulloheshin në tre qytete. Kjo duhej të ishte edhe dita e fundit e Dalmazzo-s si komandant i Armatës së 9-të, sepse urdhri i zëvendësimit të tij kishte ardhur nga Roma para kapitullimit dhe në momentin që u bë i njohur kapitullimi, ishin duke u bërë përgatitjet për zëvendësimin e komandës. Madje, komandanti i ri kishte ardhur tashmë në Tiranë. Dalmazzo-ja do të zëvendësohej nga gjenerali Sogno, i cili sipas gjeneralmajorit Tucci ishte një mason i njohur, sikurse mendohej se ishte edhe mareshali Badoglio. Ndërrimi i detyrës nuk u krye, sepse me situatën e krijuar nga kapitullimi, Dalmazzo-ja refuzoi të dorëzojë detyrën.
Gjenerali Bessell kishte refuzuar të takohej me komandantin e Gruparmatës së Lindjes, gjeneral Rossi-n para se të takohej me vartësin e këtij të fundit, Dalmazzo-n. Sikurse u tha më sipër, mosmarrëveshjet ndërmjet drejtuesve italianë për qëndrimin që duhej të mbanin ishin të njohura dhe Dalmazzo-ja ishte më i pranueshëm në qëndrimet e tij. Duke e vlerësuar situatën si të pashpresë, si pasojë edhe e përçarjes së brendshme të linjës komanduese, në datën 10 shtator në mesditë, komandanti i përgjithshëm Rossi, gjatë negociatave me gjermanët dhe në prezencë të Dalmazzo-s, deklaroi se ai e kishte kuptuar që kërkesa e tij dhe e Komandës Supreme për të mos lejuar trupat gjermane të hynin në Durrës dhe Vlorë nuk ishin logjike. Por, ai shpresonte se anglezët do të lejonin që ai të mblidhte trupat e tij në Kotorr, prej nga mund të organizohej transporti drejt Italisë. Për të realizuar këtë plan ai iu lut gjeneralit gjerman të ndërhynte që të mos zbatohej bombardimi i Dubrovnikut, sipas planit që ishte bërë nga gjermanët. Përplasja me armë në Dubrovnik e forcave italiane me Divizionin SS “Prinz Eugen” kishte ardhur si rezultat i qëndrimeve kryeneçe të komandantit gjerman dhe atij italian. Po ashtu, ndërkohë Rossi kishte urdhëruar komandantin e Armatës së 4-t Italiane, të pezullonte masat që po merreshin për rrethimin dhe asgjësimin e një batalioni pararojë gjerman, i cili kishte avancuar në thellësi. Shtabi Gjerman i Ndërlidhjes në Tiranë ishte në dijeni të faktit se gjatë tentativës që Divizioni SS “Prinz Eugen” kishte bërë për të çarmatosur trupat italiane me sulm kishte pësuar humbje të mëdha në zonën e Dubrovnikut dhe ofensiva e tyre ishte thyer nga trupat italiane.
Është një klishe që qarkullon rëndom pas Luftës së Dytë Botërore sa i përket rendimentit luftarak të ushtarit italian. E vërteta qëndron ndryshe. Përvoja luftarake e trupave italianë si në Luftën Italo-Greke, por edhe në rastin e mësipërm apo gjetkë, tregon se atëherë kur duhej të qëndronin dhe luftonin, ushtarakët italianë ishin shumë të aftë dhe të vendosur. Sigurisht që në rastet më të shumta ushtarët italianë nuk kishin asnjë motiv të luftonin dhe të humbnin jetën. Pjesa dërrmuese e tyre ishte mobilizuar me forcë dhe nuk e shikonin këtë luftë si të tyren. Kësisoj, ata nuk kishin asnjë motiv të bënin luftë të vendosur.
Rossi paraqiti si garanci se armët nuk do të dorëzoheshin në asnjë mënyrë tek anglezët një kopje të urdhrit që ai kishte nxjerrë për trupat italiane, ku urdhëronte se në rast të zbarkimit të anglezëve, të gjitha armët e rënda duhej të shkatërroheshin dhe nxirreshin jashtë luftimi.
Pas takimit të dytë me gjeneralin Dalmazzo në mesditën e 10 shtatorit pasdite, togeri Joos u thirr përsëri në komandën e Armatës së 9-të dhe shefi i shtabit, gjenerali Tucci, i dorëzoi atij propozimin me shkrim të gjeneral Dalmazzo-s për çarmatosjen paraprake të armatës. Po ashtu, Tucci i këshillonte gjermanët që puset e naftës në Kuçovë të merreshin sa më shpejt nga forcat gjermane me qëllim që të mos ndërpritej prodhimi. Në mënyrë që dorëzimi të bëhej pa përplasje, ai u lut të njoftohej se cili batalion gjerman do të dërgohej atje. Gjatë bisedës, gjeneral Tucci nuk harroi të theksonte simpatinë që kishte për Gjermaninë. Në të njëjtën kohë ai i dhuroi Shtabit Gjerman të Ndërlidhjes si një dokument historik, origjinalin e thirrjes për t’u dorëzuar, që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të zonës së Pezës i kishte drejtuar komandantit të Armatës së 9-të– çka nuk ishte marrë në konsideratë prej tij.
Si rrjedhim, mëngjesin e datës 10 shtator, porti i Durrësit u mor nga një kompani parashutistësh gjermanë dhe të shtatë vaporët italianë që ishin në port u siguruan. Ndër ta ishin edhe dy torpediere. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes, gjenerali Bessell kërkoi në mënyrë kategorike dorëzimin pa kushte të gjithë armëve të rënda dhe vuri në dukje se garnizoni italian në ishullin Rodos kishte kapitulluar pas një bombardimi nga ajri që zgjati 3 orë. Nëse do të kishte kundërshti, atëherë Luftwaffe-ja gjermane do të bombardonte në mënyrë të plotë e shkatërrimtare qytetin e Tiranës.
Gjenerali Rossi u habit shumë nga paraqitja energjike e planit dhe sidomos nga kërcënimi për bombardim nga ajri. Ai kërkoi një orë kohë dhe urdhëroi mbledhjen urgjente të shtabit të tij. Pasi gjenerali Bessell dhe togeri Joos u kthyen pas një ore, pasoi një debat shumë i gjallë dhe në orën 01:30 të datës 11 shtator 1943 gjeneral Rossi nënshkroi urdhrin e çarmatosjes për gjithë Grup-armatën e Lindjes. Bessell-i e njoftoi Rossin se gjatë paradites do të vinte në Tiranë Komandanti i Juglindjes, gjenerali Rendulic. Pas nënshkrimit të urdhrit, gjenerali Bessell, togeri Joos dhe gjeneral Rossi shkuan në legatën gjermane, te konsulli i përgjithshëm Schliep, ku ndodhej edhe i dërguari i posaçëm i Hitleri-t për Juglindjen, Neubacher-i.
Për të përfituar sa më shumë nga situata, gjenerali Rendulic nuk erdhi në Tiranë atë ditë, por të nesërmen më 12 shtator, rreth orës 10:00. Ai erdhi nga Beogradi me avion dhe shoqërohej nga gjashtë oficerë. Sapo zbriti, Rendulic-i deklaroi se kishte ardhur të arrestonte gjeneralkolonelin Rossi. Lidhur me arrestimin e Rossi-t ai kishte tre variante: Rossi të thirrej për të biseduar në aerodrom dhe aty të arrestohej. Opsioni i dytë ishte që Rossi të arrestohej gjatë kohës që do të shtrohej dreka te hotel “Dajti” ose arrestimi i tij të bëhej në godinën ku ishte vendosur komanda e tij, duke përdorur forca të mjaftueshme. Rendulic vendosi të zgjedhë opsionin e tretë, arrestimin e Rossi-t në zyrë. Për arrestimin e gjeneralkolonelit Rossi ai ngarkoi gjeneralin Gnamm, majorin Sauerbruch, që kishte ardhur me të në avion dhe ishte oficeri i tij i zbulimit, si edhe togerin Joos.
Aksioni u krye në orën 11:30 në formë sulmi të shpejtë. Pak para fillimit të tij gjeneral Rendulic-i urdhëroi gjeneralmajorin Bessell të merrte në telefon Rossi-n, për t’u siguruar se ai ishte në zyrë. Rossi, pa dyshuar aspak në atë që e priste, u shpreh si ishte shumë i kënaqur që do të takonte gjeneralin Rendulic. Arrestimi u krye pa u zbrazur asnjë pushkë. Rossi deklaroi se atij i erdhi keq që arrestimi i tij u bë me kaq shumë bujë, sepse nuk kishte ndër mend të bënte rezistencë. Pasi u lejua t’i sillnin sendet personale, ai u shoqërua për në aerodrom dhe në orën 13:00 u nis për në Beograd.
Me urdhër të gjeneralit Rendulic në hotel “Dajti” u ftua komandanti i Armatës së 9-të, gjenerali Dalmazzo dhe shefi i tij i shtabit, gjenerali Tucci. Dalmazzo-ja u ngarkua edhe me drejtimin e Grup-armatës së Lindjes, në vend të Rossi-t. Fillimisht Dalmazzo-ja kundërshtoi, duke u shprehur se gjermanët ishin duke u sjellë në mënyrë poshtëruese ndaj ushtarëve e oficerëve italianë, duke u shkulur revolverët nga brezi në mes të rrugës. Madje, ata kishin hyrë me forcë edhe në godinën e komandës së Armatës së 9-të dhe kishin çarmatosur me forcë oficerët italianë. Pasi gjenerali gjerman e siguroi që do të bëheshin verifikimet përkatëse dhe kjo gjë nuk do të përsëritej, Dalmazzo-ja e pranoi detyrën. Gjithsesi, ky ishte veç fillimi, sepse situata do të përkeqësohej edhe më shumë për trupat italiane. Po këtë ditë, gjenerali Rendulic urdhëroi fillimin e çarmatosjes së ushtrisë italiane.
Gjeneralët Dalmazzo dhe Tucci i plotësuan me “besnikëri dhe kujdes gjithë porositë e dhëna” nga gjermanët për zbatimin sa më të qetë të planit gjerman për çarmatosjen e trupave italiane. Në hapësirën shqiptare nuk u regjistrua asnjë përplasje ndërmjet forcave gjermane dhe atyre italiane për aq kohë sa Shtabi Ndërlidhës Gjerman kishte përgjegjësinë e koordinimit të veprimeve. Për gjermanët, edhe humbjet e vogla që ata patën gjatë marrjes së portit të Durrësit më 10 shtator ishin si rezultat i keqkuptimeve të krijuara. Më 13 shtator Dalmazzo-ja njoftoi gjermanët se trupat italiane nuk ishin më në gjendje të siguronin rrethinat e qytetit të Tiranës dhe se mbrojtja e qytetit kishte rënë. Deri në këtë kohë në Tiranë gjendeshin veç disa forca të pakta të pararojës së Div. 100 Malor. Gjermanët u munduan të bindnin gjeneralin Tucci se ishte në të mirën e tyre që të mos hiqnin dorë nga mbrojtja e qytetit deri ditën tjetër, që mendohej se do të hynin në qytet forca të tjera gjermane. Në fakt, pasdite vonë erdhi në Tiranë një batalion këmbësorie malore i Div. 100, i cili menjëherë organizoi mbrojtjen taktike të qytetit, duke kapur kodrat rreth tij.
Për shkak të ndërprerjes së gjithë linjave të komunikimit, komanda e Armatës së 9-të e kishte shumë të vështirë të zbatonte detyrat që iu ngarkuan. Pas shumë përpjekjesh, natën e 14 shtatorit duke u gdhirë 15 shtatori u vendos lidhja ndërmjet kryekomandës në Tiranë dhe disa prej nënkomandave të saj, siç ishte edhe lidhja me komandën e Armatës së 4-t në Durrës. Gjithsesi, kryekomanda nuk mund të telefonohej gjithmonë nga jashtë qytetit, veçse me raste. Përpjekjet e Shtabit Gjerman të Ndërlidhjes për të ruajtur funksional rrjetin e shkëlqyer ekzistues italian, me qëllim që ai të merrej në shërbim nga Div. 100 Gjerman, nuk rezultuan të suksesshme. Duke qenë se nuk pati një qëndrim të unifikuar ndërmjet eprorëve të lartë italianë për sjelljen e trupave italiane ndaj gjermanëve, shumë vendime u lanë në dorë të komandantëve të trupave, të cilët reaguan në mënyra të ndryshme. Si pasojë, pati shumë oficerë italianë që urdhëruan trupat e tyre për të shkatërruar teknikën ushtarake, siç ishin dhe mjetet e ndërlidhjes.
Përpjekja më e madhe e atij shtabi konsistoi në tërheqjen e sa më shumë trupave italiane në anën e tyre dhe kalimi i armëve të rënda, siç ishte artileria bregdetare, të padëmtuara në duart e ushtrisë gjermane. Regjimenti i kavalerisë “Quide” në Tiranë ishte ndër më të njohurit si profashist dhe simpatizant i madh i Boshtit Qendror. Sa i përket orientimit ideologjik të trupave italiane, në fund të muajit gusht gjermanët kishin konstatuar se 60% e oficerëve dhe ushtarëve të Armatës së 9-të ishin fashistë dhe përkrahës të Mussolini-t. Megjithatë, reparteve italiane që paraqiteshin për të luftuar vullnetarisht krah gjermanëve, Shtabi Gjerman i Ndërlidhjes u jepte në përgjithësi përgjigje jo përfundimtare, pasi këto reparte nuk dëshironte t’i merrte në varësi asnjë komandë gjermane. Me sa duket, të vetmin urdhër që kishin trupat gjermane ishte çarmatosja me çdo kusht e ushtrisë italiane, çka shpjegon edhe agresivitetin e ushtrisë gjermane gjatë çarmatosjes së italianëve.
Më 14 shtator komanda e Armatës së 9-të urdhëroi trupat e saj në Shqipëri dhe në Mal të Zi të marshonin drejt stacioneve hekurudhore Pejë-Shkup dhe Prilep-Manastir. Ky ishte rrugëkalimi që kishte miratuar komanda gjermane. Fillimisht ishte menduar të jepeshin katër rrugë marshimi. Por, më 15 shtator erdhi nga gjermanët një urdhër tjetër, sipas të cilit divizioni italian “Brennero” duhet të marshonte në rrugën Dibër-Gostivar. Komanda italiane vuri në dukje se në këtë rrugëkalim ishte hedhur në erë një urë me gjatësi 50 m dhe meqë divizioni ishte i gjithë i motorizuar, kjo rrugë nuk mund të shfrytëzohej për marshim. Gjermanët propozuan që marshimi të bëhej me mushka, por kafshë ngarkese dispononte vetëm divizioni “Taurinense”. Komanda gjermane e Korparmatës 21 Malore urdhëroi që të tërhiqeshin kafshët e ngarkesës nga ky divizion në Mal të Zi dhe kolona e automjeteve të divizionit “Brennero” të vihej në dispozicion të divizionit “Taurinense”. Duke qenë se nuk po bihej dakord për këtë vendim dhe meqë në drejtim të Tiranës po marshonte ndërkohë Korparmata XXI Malore, urdhri i marshimit të divizionit “Brennero” u shty për më vonë.
(Vijon)


Italia solli zhvillim qyteterim,kulture.
Ndertoi qytete evropiane,rruge evropiane.
Fatkeqesi e vertete eshte maloku i Gramshit,.
Mos te pushtofte maloku i Gramshit,,or gramshalesh!
Aq sa u be qytetar Sali Berisha,aq behesh edhe ti.
Dmth gjermanet nuk ishin kalimtar, qe ju rruga ketej nga nahija jone, por pushtues te organizuar, me plane operacionale, çarmatosjen e ushtrise italiane, tashme e kapitulluar…Krahas kesaj si çdo pushtues, edhe luften per çfarosjen e rezistences anti fashiste te patrioteve shqipetar, qe kishin rrokur armet ne mbrojtje te lirise dhe pavarsise, qe ua mori pushtimi italian me 1939!!!